Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, priti në një takim zyrtar Ministren e Drejtësisë së Rumanisë, znj. Alina-Ștefania Gorghiu. Në pritjen që u zhvillua në Ministrinë e Drejtësisë, Ministrin Manja e shoqëronte Kryetarja e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtave të Njeriut, znj. Klotilda Bushka, ndërsa Ministren Gorghiu e shoqëronte Presidenti i Komitetit të Çështjeve Ligjore, Mandateve, Disiplinës, Imuniteteve dhe Vlefshmërive të Senatit Rumun, z. Cristian-Agustin Nicolescu-Tăgărlas.
Në fokus të takimit ishin marrëdhëniet e shkëlqyera parlamentare dhe bashkëpunimi ndërmjet dy ministrive të drejtësisë. Të dy ministrat u dakordësuan për rivitalizimin e marrëveshjes në fushën civile dhe familjare, si dhe shprehën angazhimin për fillimin e punës për të gjitha çështjet e dakordësuara në deklaratën e mirëkuptimit të firmosur ndërmjet dy ministrive të drejtësisë në qershor 2022, në Bukuresht.
Ministri Manja vlerësoi mbështetjen e Rumanisë në proceset integruese, si një hap të rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy ministrive. “Rumania si vend mik është e gatshme të ofrojë mbështetje për integrimin evropian, asistencë ligjore dhe shkëmbim përvojash në fushën e drejtësisë. Ky është një hap i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve tona në fushën e drejtësisë”, tha Ministri Manja.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.