Gjatë seancës plenare të kësaj të hëne, ku u votua me shumicë të cilësuar Projektligji “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”, Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço ka shprehur edhe njëherë vendosmërinë e qeverisë shqiptare për ta çrrënjosur korrupsionin me forcën e ligjit, të respektuar njësoj dhe për të gjithë.
Ndërsa ka cituar raportet e fundit të ndërkombëtarëve në lidhje me fenomenin e korrupsionit në Shqipëri, Ministri Naço theksoi se sloganet e qeverisë së kaluar kanë qenë pjesë e një demagogjie që e ktheu në një plagë shoqërore këtë fenomen, i cili nuk e ka kursyer popullin e thjeshtë.
“Këmbanën e alarmit e japin qytetarët çdo ditë, të cilët e ndiejnë në mënyrë të drejtpërdrejtë padrejtësinë e fenomenit të korrupsionit. Ky realitet i zymtë nuk ndryshon me demagogji dhe as me institucione të brishta dhe të korruptuara, pasi ka plot raste që dëshmojnë forcën dhe mjetet e shumta që disponon korrupsioni dhe krimi i organizuar”, theksoi Ministri Naço
Ndërsa ka bërë publike disa të dhëna zyrtare në lidhje me dënimet e dhëna ndër vitë për vepra penale të korrupsionit, Ministri Naço u shpreh se lufta kundër korrupsionit në të gjitha nivelet përfshirë dhe sistemin e drejtësisë do të ketë në fokusin e saj çmontimin e murit të pandëshkueshmërisë, duke synuar ndërgjegjësim të opinionit publik, parandalimin e korrupsionit duke reformuar dhe modernizuar gjithë sistemin shtetëror në shërbim të qytetarëve, dekurajim pa kompromis nëpërmjet ligjit antimafia përmes sekuestrimit apo konfiskimit të pasurive që rrjedhin nga veprimet kriminale korruptive si dhe zbatimit të ligjit duke forcuar shtetin ligjor.
Ministri Naço ka risjellë në vëmendjen e deputetëve në sallë, deklaratën e dhënë nga, Sekretarja e Shtetit znj. Hilari Klinton, gjatë vizitës së saj më 1 Nëntor 2012, ku i përcolli një mesazh të fortë klasës politike, duke e konsideruar korrupsionin një kancer që konsumon shoqërinë, mbron udhëheqësit që nuk kanë vlera morale dhe ndëshkon popujt që mundohen të përmirësojnë jetën e tyre.
Ndërsa ka propozuar masat konkrete legjislative në luftën kundër korrupsionit, Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, theksoi se eksperienca e deritanishme ka treguar se masat që janë ndërmarrë nuk kanë arritur të sjellin efektet e dëshiruara në hetimin dhe ndëshkimin e praktikave korruptive.
“Këto masa konsistojnë më së pari në konsiderimin e korrupsionit, si krim të rëndë, jo në kuptim të rritjes së masës së dënimit, por në faktin që këto vepra penale do të hetohen dhe gjykohen nga Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda, me të njëjtat mjete siç luftojmë organizatat dhe bandat kriminale, një histori suksesi kjo për sistemin e drejtësisë, që nga viti 2004. Në frymën e këtyre ndryshimeve veprat penale të korrupsionit do të hetohen dhe gjykohen nga një trupë prokurorësh dhe gjyqtarësh tashmë të konsoliduar në profesionalizmin e tyre, si dhe në unifikimin e praktikës gjyqësore, në gjykimin e çështjeve të korrupsionit”, u shpreh z. Naço
Sipas Ministri Naço, ndryshimet legjislative të propozuara, vullneti politik i treguar nga maxhoranca si dhe opozita, do ta shndërrojë korrupsionin e zyrtarëve nga një aktivitet me risk të vogël e fitim të lartë në një aktivitet me risk të madh dhe me fitim zero.
Në përfundim të fjalës së tij Ministri Naço ka shprehur mirënjohjen për kontributin që kanë dhënë partnerët ndërkombëtarë, Komisioni Evropian, Këshilli i Evropës, OSBE, OPDAT dhe PAMEKA, Programet e asistencës së EURALIUS dhe partnerëve të tjerë, të cilët me mbështetjen e vazhdueshme kanë kontribuar në drejtim të reformimit, modernizimit të sistemit shtetëror në përgjithësi e veçanërisht të atij të drejtësisë, në frymën e parandalimit dhe luftës kundër korrupsionit.
“I pushtetshmi dhe njeriu i thjeshtë, i pasuri dhe punëtori, të jenë të barabartë përpara ligjit! Ky është vullneti i shqiptarëve dhe vullneti i shqiptarëve është vullneti ynë”, përfundoi Ministri Naço
© Ministria e Drejtësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.