Fjalimi i Ministrit të Drejtësisë z.Ulsi Manja për Buxhetin 2022 të MD në Parlamentin Shqiptar në 15.11.2021 - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 15/11/2021

Fjalimi i Ministrit të Drejtësisë z.Ulsi Manja për Buxhetin 2022 të MD në Parlamentin Shqiptar në 15.11.2021

E nderuar zonja drejtuese e seancës,

Të nderuar kolege dhe kolegë deputet,

Buxheti është akti juridik më i rëndësishëm në jetën e një parlamenti, ndërsa për një shumicë qeverisëse, si kjo e jona, është shprehje dhe përmbushje e asaj kontrate që ne kemi marrë nga qytetarët në zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Është normale që do të kemi qëndrime të kundërta në këtë sallë, sepse kjo ndarje në radhë të parë është politike. Ne jemi votuar më 25 prill, dhe sigurisht vijmë në këtë sallë parlamenti me një buxhet real, me shifra konkrete dhe me zëra buxhetor që mbështesin ato sektor dhe prioritete, që janë dhe objektivi dhe vizioni i kësaj qeverisje për katër vitet që vijnë.

Si Ministër i Drejtësisë sigurisht kam një ndjenjë të shumëfishtë përgjegjësie, sepse e di se në këto letra, pas këtyre shifrave, janë jetët e mijëra njerëzve lidhur vertikalisht me mua si Ministër i Drejtësisë dhe mijëra e mijëra të tjerë, që do të ndikohen përgjatë një viti nga puna e institucionit që drejtoj.

Sot, këtu, në seancën për projktbuxhetin e parë të mandatit tonë të tretë mund të pohoj me bindje se vizionet e kësaj qeverie bëhen realitet. E tillë është reforma në drejtësi. Një reform që në vitin 2016 po nga ne është buxhetuar në 42.4 miliona euro dhe sot, në vitin 2022 mbështetja buxhetore për reformën në drejtësi, shkon 84 milionë euro, ku përfshihen pagat e reja për SPAK-un dhe Byron Kombëtare të Hetimit, si institucionet më të rëndësishme për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri.

Është viti i tretë që kjo qeveri parashikon rritje rrogash për 3588 punonjës të policisë së burgjeve ku pas shtesës për gradat dhe shtesës për vjetërsi, nga viti i ardhshëm fillon edhe shtesa për natyrë të veçantë pune.

Është projekt buxheti që parashikon pothuaj 89 përqind rritje të buxhetit të vitit 2021 në Agjencinë e Trajtimit të Pronave, ku pothuaj 94% e këtij buxheti do të shkojë për trajtimin e pronarëve.

Është projektbuxheti që parashikon cilësinë e punës së Drejtorisë së Përgjithshme Antikorrupsion, efektet e punës të së cilës kanë nisur të ndihen në dosjet, që po shkojnë drejt prokurorisë.

Unë jam i bindur që me buxhete të mëdha, me stërbuxhete, prodhohen dembelë, por me buxhete normale jo dorëlëshuara, gjenerohen ide dhe përkushtim.  Projektbuxheti për Ministrinë e Drejtësisë për vitin 2022 është 11.78 miliardë lekë, 27.9 përqind më shumë se buxheti i vitit 2021 prej 9.2 miliardë lekësh. Është një tregues i asaj që thashë pak më sipër për vëmendjen e qeverisë në adresimin e nevojave, prioriteteve dhe detyrave që duhen përmbushur në shërbim të qytetarëve.

Po e nis me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve me një buxhet prej 6 miliardë e 269 milionë e 900 mijë lekë me një rritje prej 493 milionë lekë, ose 9 përqind nga viti paraardhës. Rritja e sigurisë në burgje, ulja e mbipopullimit, infrastruktura dhe kushtet bazë të jetesës janë disa nga synimet emergjente. Ashtu si e kam deklaruar edhe në Komisionin e Ligjeve, por kam rastin edhe ta rikonfirmojë në këtë seancë, infrastruktura e re në burgun e Shënkollit do të na krijojë mundësinë që përfundimisht burgu i Zaharisë të mbyllet dhe personat, me masë mjekësore të marrin trajtimin e duhur në një institucion, tërësisht të adoptuar. Lidhur me sigurinë fizike, për të cilën këtë vit kemi parashikuar 430,9 milionë lekë investime, 29 milionë më shumë se vitin 2021.

 

1. Për përmirësimin e kushteve infrastrukturore, trajtimin e të burgosurve, ushqimin, shërbimin shëndetësor si dhe për programet e rehabilitimit kemi parashikuar 185 milionë lekë investime.

2. Për realizimin e sistemit elektronik të menaxhimit të vizitave në burgje, duke synuar rritjen e sigurisë dhe mirëkontrollimin kemi menduar investimin e 122 milionë lekëve.

3. Mbulimin e realizimit të investimeve ne IEVP –Vaqarr,  për rikonstruksionin e godinave.

4. Blerjen e 6 auto-burgje dhe auto-ambulanca në përputhje me standartet e BE-së në vlerën 35 milionë lekë dhe këtu është ai momenti që të sqaroj atë merakun e madh që kishte Kryetari i opozitës z. Basha, jut ha shqiptarëve se 50 milion euro do të shkojnë në shpenzime luksi, blerje autoveturash dhe automjete për institucionet. Jo z. Basha! Janë shpenzime qe shkojnë në forcimin e flotës së Drejtorisë Përgjithshme të Burgjeve në rreth 19 autoburgje dhe autoambulanca , nga të cilat ne një pjesë e merr Ministria e Bendshme.

5.Përsa i takon shpenzimeve kryesore në Drejtorinë e Burgjeve, pjesën kryesore të buxhetit, 4.5 miliardë lekë, e zë zëri i pagave.

 

Ky është viti i tretë, që qeveria shqiptare parashikon rritje për punonjësit e burgjeve. Me pak shifra po u shpjegoj rritjen në tre vjet të pagave bazuar tek gradat, vjetërsinë në punë dhe shtesa për natyrë të veçantë pune që do të nisë zbatimin vitin e ardhshëm:

  • Për punonjësit e rolit bazë paga është rritur nga  7935 lekë në 10.130 lekë;
  • Për punonjësit e rolit të mesëm ka rritje nga  5800 në 13.100 lekë;
  • Për punonjësit e lartë nga 8500 në 16.000 lekë.

 

Rritje page po sipas kategorive kanë përfituar edhe 247 pjestarët e stafit mjekësor, konkretisht:

  • Pozicioni i kryeinferimierit në vlerën 25.195 lekë ose 47 përqind
  • Pozicioni i farmacistit në vlerën 35.395 lekë ose 66 përqind
  • Pozicioni i infermierit në vlerën 17.745 lekë ose 33 përqind
  • Pozicioni i Shefit të Shërbimit në vlerë 33.000 lekë ose 44 përqind
  • Pozicioni i Mjekut specialist në vlerën 26.400 lekë ose 42 përqind

 

Kolegë deputetë!

Ne jemi një qeveri e majtë, por nuk kemi treguar kurrë ndasi ngjyrash as në shërbime e as në detyrime. Për ne shqiptarët, nga i pari tek i fundit, meritojnë të shërbehen mirë nga shteti dhe t’u shlyhen të gjitha detyrimet. E them këtë me zë të plotë, sepse nga buxheti prej  4,3 miliardë lekë i Agjencisë së Trajtimit të Pronave,  do të shpërndahen tek përfituesit 1,215,971,969.51 lekë (1 miliard e dyqind e pesëmbëdhjetëë milionë e 971 mijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e nëntë lekë) për egzekutimin e 997 kërkesave për prona të zëna.

Për vitin 2021, funksionet e këtij institucioni në lidhje me proceset e kompensimit, kanë qenë të pezulluara, si pasojë e Vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por sigurisht që institucioni vijoi punën e tij dhe në objektivat e vitit 2022 kemi vlerësimin procedurial dhe ligjor të mbi 4200 vendimeve që i ka ndryshuar zëri kadastral i pronës nga tokë bujqësore në tokë truall, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rekomandimeve të GJEDNJ-së.

Buxheti financiar për vitin 2022 për këtë agjenci ka pësuar një rritje të konsiderueshme, nga 2 miliardë e 250 milionë që ishte në 2021. Kjo vëmendje e veçantë e qeverisë shqiptare ndaj pronarëve, më jep besimin në lidhje me objektivin më të rëndësishëm që ka ky institucion: përfundimi i proçesit të kompensimit brenda shkurtit të vitit 2026.

Dua të flas pak tani për buxhetin e një sektori pothuaj hije, por që  me mbështetjen e qeverisë, partnerëve tanë ndërkombëtarë, insistimin personal, shpresoj të kthehet shumë shpejt në një organizëm ndihmës dhe shpëtues për mijëra qytetarë shqiptarë, Ndihma Juridike Falas. Buxheti i parashikuar për këtë sektor për vitin 2022 është 84 milionë lekë, me një rritje prej 9 milionë lekësh, ose 12 përqind krahasuar me vitin 2021. Ky buxhet do të përdoret për:

-Dixhitalizimin e ofrimit të ndihmës juridike

-Krijimin e platformës juristionline.al

Juristi Online

juristionline.al

-Krijimin e një sistemi të integruar të dhënash për shërbimin e ofruar të ndihmës juridike, i aksesueshëm nga të gjithë

Dhe këtu bëhet fjalë për ndihmën juridike që marin kategori që skanë mundësi ti marrin këto shërbime juridike qoftë të ndihmës parësore po ashtu dhe të ndihmës dytësore.

Edhe për Shërbimin e Provës, buxheti vjen në rritje.

Për Komitetin e Birësimeve gjithashtu.

Për Shërbimin përmbarimor dhe për Mjekësinë Ligjore.

Në fakt e lashë për në fund, por jo pse është i fundit, programin “Planifikim, Menaxhim dhe Administrim” në të cilin përfshihet buxheti i aparatit të Ministrisë së Drejtësisë, Agjencisë Kombëtare të Falimentimit, Arkivit Shtetëror të Sitemit Gjyqësor dhe Qëndra e të Miturve, për të cilin janë planifikuar gjithsej 688 milionë e 540 mijë lekë për vitin 2022, nga 615 milion e 800 mijë lekë në vitin 2021, duke shënuar një rritje prej 72 milion e 740 mijë ose 12 %.

Ky buxhet do të përdoret kryesisht për investime si:

  • Sistemi elektronik i menaxhimit të denoncimeve mbi rekordet korruptive
  • Sistemi informatik i menaxhimit të proceseve të brendshme
  • Ngritja e sistemit të integruar të të dhënave të drejtësisë penale për të miturit

 

Përfundimisht nga sa përshkrova më sipër, ky buxhet shpreh më së miri, ndjeshmërinë e qeverisë shqiptare, qasjen e saj ndaj qytetarëve dhe problematikave të tyre të përgjithshme apo të veçanta. Jam i bindur se me miratimin e tij, për vitin 2022, sistemi i drejtësisë, reformat e nisura dhe ato të saponisura, goditja ndaj korrupsionit, do të marrin një shtysë të re pozitive, në atë që qeveria sonë, maxhoranca jonë ka marrë tre herë rresht besimin e popullit: shërbimin ndaj qytetarëve me përkushtim.

Faleminderit!