Fjalimi i ministres së Drejtësisë, znj.Etilda Gjonaj i mbajtur në seancën e Parlamentit gjatë shqyrtimit të projektligjit “Për dëmshpërblimin e ish- të dënuarve politikë të regjimit komunist” - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 13/09/2018

Fjalimi i ministres së Drejtësisë, znj.Etilda Gjonaj i mbajtur në seancën e Parlamentit gjatë shqyrtimit të projektligjit “Për dëmshpërblimin e ish- të dënuarve politikë të regjimit komunist”

I nderuar z. Kryetar! Të nderuar deputetë!

Është një përgjegjësi e madhe politike të diskutosh në këtë sallë çështjen e dëmshpërblimit të ish- të përndjekurve politikë nga regjimi komunist.

Bëhet fjalë për një plagë të madhe, të cilën qeverisja e djathtë e ka trajtuar vetëm me shkrim, vetëm duke miratuar ligjin, por në asnjë rast nuk ka thënë se sa këste ka dhënë për të përndjekurit politik. Dhe është pikërisht qeverisja e majtë, Partia Socialiste, e cila në mënyrë të vazhdueshme ka tentuar dhe ka zbatuar me rigorizitet ligjin, duke dhënë këstët për të përndjekurit politik.

Të na thotë në një rast të vetëm Partia Demokratike se sa këste dhe sa kanë përfituar të përndjekurit politik gjatë qeverisjes së djathtë.

Qeveria Rama, që prej marrjes së mandatit e ka pasur një prej prioriteteve të punës së saj, zgjidhjen përfundimtare të çështjes së dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë dhe i ka kushtuar një vëmendje të veçantë kësaj problematike.

Projektligji “Për dëmshpërblimin e ish- të dënuarve politikë të regjimit komunist”, që është propozuar për amendim synon finalizimin me sukses të detyrimit ligjor të shtetit shqiptar për përmbylljen e procesit të dëmshpërblimit për këtë shtresë sensitive të shoqërisë.

Që nga fillimi i procesit, 24 291 qytetarë kanë kanë kërkuar këtë të drejtë, duke paraqitur aplikimet e tyre pranë Ministrisë së Drejtësisë.

Janë miratuar në total 13 118 kërkesa për dëmshpërblim, të miratuara me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Vetëm gjatë periudhës shtator 2017- shtator 2018 janë miratuar me VKM  një total prej 165 përfituesish, si dhe jemi në proces të ndryshimit të një VKM-je për masën së dëmshpërblimit për 80 ish-të dënuar, për korigjimin e masës së tyre, të cilët kanë përfituar me VKM të mëparshme.

Projektligji për amendimin e ligjit nr.9831/2007, “Për dëmshpërblimin e ish- të dënuarve politikë të rregjimit komunist”, të ndryshuar, propozohet si një nismë e përbashkët e tre ministrive,  Ministrit të Drejtësisë, Ministrit të Financave dhe Ekonomisë, dhe Ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me qëllim përshpejtimin e procedurave të dëmshpërblimit për ish të përndjekurit e regjimit komunist, të cilët sot janë ende gjallë dhe bëjnë pjesë në kategorinë parësore, si dhe për familjarët e viktimave të burgosura, ekzekutuara dhe të internuara.

Në këtë kuadër, projektligji në fjalë, rregullon: heqjen e raportit të përcaktuar të fondit të miratuar, ku 70% i vihet në dispozicion kategorisë parësore dhe pjesa tjetër i shpërndahet kategorisë së trashëgimtarëve;

E dyta synon të rregullojë dëmshpërblimin e plotë, për të gjithë ata ish-të dënuar, të cilët janë ende në jetë, por që për shkak të kufizimeve aktuale të ligjit që është në fuqi, ku përcaktohet ndarja e shumës së dëmshpërblimit në 8 këste, me vlerë maksimale 1 000 000 lekë, nuk kanë marrë dot të gjithë shumën e miratuar të dëmshpërblimit. Ndërkohë që sot ekzistojnë subjekte parësore, të cilët e superojnë këtë vlerë  dhe që do t’u mundësohet me vendim të Këshillit të Ministrave për të marrë këstin e 9-të.

E treta, ky projektligj rregullon  trajtimin e subjekteve përfituese, ku vlera totale e miratuar deri në 1.000.000 lekë, duke krijuar mundësinë që të likuidohet në një këst të vetëm, pavarësisht fazës në të cilën ndodhet shpërndarja e dëmshpërblimit.

Dëshiroj të theksoj se të gjitha ndërhyrjet e mësipërme ligjore që sjellin ndryshime në mekanizmin e shpërndarjes së fondit të dëmshpërblimit bëhen me qëllimin e vetëm për të shmangur burokracitë dhe lehtësuar dëmshpërblimin përfundimtar të ish të dënuarve politikë të regjimit komunist.

Për pasojë, ndryshe nga sa është deklaruar në lidhje me këtë nismë edhe nga ana e përfaqësuesve të opozitës, të cilët ende nuk na e kanë dhënë shifrën, këstët që kanë miratuar për këtë kategori, dua të theksoj se rishikimi i mekanizmit të shpërndarjes së fondeve të vëna në dispozicion për ish të përndjekurit politik, nuk prek të drejtat tashmë të fituara të asnjë ish të dënuari politikë apo familjari të tij, si dhe as nuk redukton dhe as nuk mohon masën totale të shpërblimit financiar të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, për secilën kategori të subjekteve parësore.

Dhe dua ta theksoj fort se ky projektligj nuk prek as rishikimin e dëmshpërblimit të marrë nga ish-të përndjekurit.

Duke pasur parasysh karakterin thellësisht sensitiv të kësaj çështjeje, një propozim i tillë është bërë në funksion të thjeshtimit të procedurave dhe finalizimit me sukses të detyrimit ligjor dhe moral të kompensimit dhe rehabilitimit tërësor, me të cilin ngarkohet shteti ynë në lidhje me këtë kategori subjektesh.

Të nderuar deputetë,

Dua të ritheksoj edhe njëhere se me anë të këtij projektligji, synohet që të trajtohet dhe të rregullohet  njëherë e mirë e gjithë problematika në lidhje me të drejtën që u takon ish të dënuarve politikë dhe të finalizohet me sukses detyrimi ligjor që shteti, qeveria shqiptare ka për përmbylljen e procesit të dëmshpërblimit për këtë shtresë.

Ne kemi jo vetëm vullnetin politik, por e kemi treguar me veprime konkrete, se jemi karshi një shtrese të popullsisë, që ka vuajtur pasojat çnjerëzore të një prej diktature komuniste.

Dhe duke patur në konsideratë që qeverisja e djathtë në asnjë rast nuk ka bërë të mundur që kjo shtresë të paguhet dhe të marrë dëmëshpërblimin ashtu siç duhet dhe siç e meriton, Ju ftoj të bëheni pjesë e zgjidhjes, duke nisur me miratimin e ndryshimeve të këtij projektligji.

Faleminderit!