Fjalimi i ministres së Drejtësisë, znj.Etilda Gjonaj i mbajtur në seancën e Parlamentit gjatë shqyrtimit të projektbuxhetit 2019 - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 23/11/2018

Fjalimi i ministres së Drejtësisë, znj.Etilda Gjonaj i mbajtur në seancën e Parlamentit gjatë shqyrtimit të projektbuxhetit 2019

I nderuar z. Kryetar,

Të nderuar deputetë,

Qytetarët shqiptarë i dhanë një mandat të fortë Partisë Socialiste dhe Kryeministrit për të bërë shtet me një sistem drejtësie të pavarur dhe të pastër.

Guri i parë i themelit sapo është hedhur me ngritjen e strukturave dhe funksionimin me sukses të procesit të vettingut, i cili po pastron nga themelet sistemin e degraduar të drejtësisë së kapur.

Buxheti i vitit 2019 është prova kryesore që Qeveria Shqiptare dhe Kryeministri janë të vendosur për t’ia përmirësuar jetën qytetarëve shqiptarë dhe për ta bërë Shqipërinë një shtet të zhvilluar që qëndron e barabartë me shtetet e tjera të familjes së përbashkët evropiane.

Ne, jemi të vendosur të vazhdojmë të gjithë angazhimin tonë politik dhe qeverisës për të bërë të mundur zbatimin e reformës në drejtësi në interes të qytetarit, në interes të pasjes së një sistemi drejtësie ku çdo qytetar është i barabartë përpara ligjit, pavarësisht pushtetit politik apo ekonomik që mund të kenë.

Buxheti i vitit 2019 provon, përtej çdo dyshimi vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të zbatuar reformën në drejtësi, për t’i bërë institucionet e drejtësisë një vend ku qytetarët gjejnë drejtësinë dhe jo padrejtësinë.

Qeveria nuk do të kursejë asnjë qindarkë për të ndërtuar një sistem të ri drejtësie, për të pastruar pallatin e drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, të lidhur me krimin ose edhe të paaftë profesionalisht.

Ministria e Drejtësisë, sëbashku me partnerët ndërkombëtar po punon për krijimin e kushteve më të mira për ngritjen e organeve të reja që do të garantojnë një sistem drejtësie të pavarur, eficent dhe të drejtë.

 

Të nderuar deputetë,

Qeveria është angazhuar publikisht për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve që qytetarët shqiptarë marrin nga Ministria e Drejtësisë dhe institucionet e saj të varësisë. Buxheti i vitit 2019 e bën të mundur përmbushjen e këtij angazhimi.

Buxheti i parashikuar për veprimtarinë e Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve në varësi të saj është rritur ndjeshëm nga Qeveria.

Për vitin 2019, buxheti i parashikuar për Ministrinë e Drejtësisë është në total 12 miliard e 401 milionë e 756 mijë lekë. Ky buxhet, i krahasuar me buxhetin e vitit 2018 është rritur me 14%.

Ky buxhet do të administrohet me kujdes dhe në interes të qytetarëve. Ministria e Drejtësisë tashmë është e shkëputur nga një periudhë e keqplanifikimit dhe keqadministrimit të parave publike.

Vettingu është një pjesë e rëndësishme e reformës në drejtësi. Për shkak të ndjeshmërisë së publikut ndaj këtij procesi ai ka marrë vëmendjen më të madhe mediatike dhe publike. Por në konceptin tonë reforma në drejtësi është një paketë shumë më e gjerë reformash se sa vetëm vlerësimi kalimtar i gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Paketë e cila është mbështetur financiarisht si rrallë herë nga buxheti i shtetit ku 1.5 miliardë do t’i kushtohen vetëm skemës së re të pagave për gjyqtarët dhe prokurorët, duke përfshirë këtu mbështetjen financiare të institucioneve të reja të vettingut si dhe institucioneve të reja që do të ngrihen që në fillim të vitit 2019, Këshillat dhe institucionet e SPAK.

Por pjesa e reformës në drejtësi e miratuar me ligjet nga kjo mazhorancë është drejtësia sociale, e cila do të ndikojë në rritjen e aksesit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe krijimin e një sistemi drejtësie restaurues dhe integrues për të miturit.

Në këtë kontekst ne i kemi kushtuar një vëmendje shumë të madhe Drejtësisë për të miturit dhe ndihmës juridike falas, si dy shtylla shumë të rëndësishme të një sistemi drejtësie modern.

Për implementimin e Kodit të Drejtësisë Penale për të Miturit është e domosdoshme ngritja e dy institucioneve, Qendra e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve dhe Institucioni i Edukimit dhe Rehabilitimit të të Miturve, të cilat janë parashikuar në projekt-buxhetin e vitit 2019.

Ngritja dhe funksionimi i këtyre dy institucioneve do t’i shërbejë trajtimit të të miturve në përputhje me standardet më të larta të mbrojtjes së të drejtave të tyre, duke synuar edukimin, rehabilitimin dhe ri integrimin e të miturve në konflikt me ligjin.

Qëllimi i këtyre dy institucioneve është që të miturit në konflikt më ligjin, të trajtohen pa u izoluar përmes programeve të përshtatshme për edukimin, rehabilitimin dhe ri integrimin në komunitet dhe në shoqëri dhe shmangien e përfshirjes sërish të tyre në rrugën e kriminalitetit dhe uljen e recidivizimit.

140 milionë lekë në total janë parashikuar të investohen në këto dy institucione të reja.

Ndërkohë mbështetur në parashikimet e ligjit 111/2017, “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti”, struktura e integruar e Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas, e cila do të ketë 8 qendra shërbimi në tetë rrethe të vendit.

Për funksionimin e kësaj Drejtorie dhe qendrave të saj, për menaxhimin, administrimin dhe ofrimin e shërbimit ligjor falas, ku edhe qytetarët në pamundësi financiare të mbrohen në gjykatë për çështjet civile dhe administrative me një avokat profesionalisht i zoti, janë parashikuar 89 milionë lekë në  projektbuxhetin e vitit 2019.

Nëpërmjet planifikimit dhe administrimit ë kujdesshëm të parave publike, Ministria e Drejtësisë, nëpërmjet ALUIZNI-t për vitin 2018 kishte parashikuar që të miratohen 25,000 leje legalizimi për 25.000 familje shqiptare ndërkohë që vetëm për periudhën Janar-Tetor 2018 u arrit që të legalizohen 25.131 objekte ose 18% më shumë se pritshmëria.

Ministria e Drejtësisë gjatë vitit 2018, nëpërmjet Agjencisë së Trajtimit të Pronave ka kompensuar 65 subjekte sipas kërkesave të veçanta dhe vlera financiare e shpërndarë është 338 milion e 742 mijë lekë.

Ndryshimet ligjore të VKM nr. 223/2016 të ndodhura në dhjetor 2017, i dhanë prioritet kompensimit fizik nga fondi i tokës së ATP-së lidhur me ekzekutimin e vendimeve.

ATP në dhjetor 2018 përfundon procesin e vlerësimeve të të gjithë vendimeve që kanë njohur të drejtën e pronës për kompensim duke nxjerrë faturën financiare totale. Me përmbylljen e proceseve të mësipërme, ATP do të vijojë me ekzekutimin e kërkesave për kompensim.

Projektbuxheti i vitit 2019 ka parashikuar buxhetin prej 4 miliardë lekë vetëm për kompensimin e pronarëve.

Ministria e Drejtësisë është angazhuar për të kryer një reformë thelbësore në sistemin e burgjeve. Sistemi penitenciar paraqet një shqetësim serioz në kushtet aktuale. Edhe pas ndërhyrjeve gjatë vitit 2018 institucionet e paraburgimit dhe të vuajtjes së dënimit kanë probleme të theksuara mbipopullimi dhe mungesë standardesh në respektimin e të drejtave themelore të të burgosurve.

Përveç reformës në rekrutimin e drejtuesve të burgjeve si dhe të stafit policor dhe civil, ne jemi të vendosur për të përmirësuar kushtet dhe trajtimin e të dënuarve. Për këtë qëllim buxheti i Ministrisë së Drejtësisë ka parashikuar për programin e burgjeve 5 miliardë e 853 milionë e 174 mijë lekë.

Gjatë vitit 2019 do të kemi një trajtim dinjitoz të personelit policor të burgjeve duke i pajisur pas 10 vitesh më uniformë si dhe 3559 punonjës policie do të përfitojnë një rritje të pagës bazë në nivelin deri në 7%. Është rritja e parë që ju bëhet pas kaq shumë vitesh.

Në sajë të rritjes së kërkesës për realizimin e investimeve deri më tani kemi mundur të kapitalizojmë 88.57% të fondeve prej 400 milionë të akorduara për vitin 2018 për drejtorinë  Burgjeve. Në dhjetor 2018 përmbyllen punimet për rritjen e kapaciteteve në burgun 313 në Tiranë, i cili do të ulë mbipopullimin dhe do të sjellë përmirësim të ndjeshëm të kushteve të jetesës dhe sigurisë.

Vetëm muajin e fundit për sistemin penitenciar u vunë në dispozicion 95.5 milionë lekë për forcimin e sigurisë me ngritjen e sallës operative, e cila do të mund të garantojë aksesin 24 orë të disa trupave në kamerat dhe skanerët e institucioneve penitenciare, duke e konsideruar projekti i “4 syve”.

Gjithashtu, gjatë këtij viti siç edhe u premtua në buxhetin e vitit 2018 po arrihet përfundimi i informatizimit të sistemit të burgjeve për kartelat e të dënuarve. Nëpërmjet transmetimit online ky sistem do të ndihmojë administratën e burgjeve mbi identifikimin në kohë reale të nevojave dhe problematikave të ndryshme që përballet sot një institucion i vuajtjes së dënimit. Kjo ndikon dukshëm në mirëmenaxhimin dhe kontrollin me efikasitet në kohë reale të gjithë sistemit penitenciar në Shqipëri.

Në shumën prej 492 milion lekësh janë parashikuar investime në kuadër të rritjes së sigurisë në burgje si dhe rritjes së kapacitetit dhe përafrimit të standardeve me standardet e EU-së.

Projekt buxheti 2019 ka të parashikuar edhe blerje pajisjesh të ndryshme për sistemin e burgjeve në funksion të përmirësimit rrënjësor të menaxhimit dhe administrimit në sistemin penitenciar shqiptar nëpërmjet krijimit të bazës së nevojshme logjistike, rritjes së rendimentit të punës, përmirësimit të vazhdueshëm të elementeve të sigurisë dhe uljes së shpenzimeve të mirëmbajtjes së automjeteve.

Buxheti i vitit 2019, me qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të Ministrisë  dhe marrjen më të mirë të këtyre shërbimeve nga qytetarët ka parashikuar, ndër të tjera edhe investimet e mëposhtme:

Përmirësimi i sistemit ALBIS. Ky sistem lejon përmirësimin e cilësisë së shërbimit përmbarimor privat dhe shtetëror, Nëpërmjet tij, ministria e Drejtësisë mund të inspektojë shërbimet e ofruara dhe të rrisë në këtë mënyrë transparencën me publikun dhe parandalimin e akteve korruptive në sektorin përmbarimor.

Mirëmbajtja dhe zhvillimi i sistemev ICMIS, me vlerë 22.3 milionë lekë. Gjithashtu, qëllimi i këtij projekti është gjenerimi i statistikave për Ministrinë e Drejtësisë dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë, si dhe rritjen e transparencës nëpërmjet regjistrimit elektronik të dosjeve gjyqësore.

Dixhitalizmi i regjistrit të noterisë dhe lidhja online me shërbimin e regjistrimit të pasurisë, me vlerë 8 milion lekë. Qëllimi i këtij projekti është gjenerimi i statistikave dhe indikatorëve globalë me analitikë për Ministrinë e Drejtësisë dhe institucione të tjera shtetërore (Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Prokuroria e Përgjithshme etj). Qytetarët shqiptarë do të mund të marrin në zyrën e noterit shërbimet që ofrohen nga zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme.

Një projekt tjetër i rëndësishëm për përmirësimin e cilësisë së shërbimit që qytetarët marrin nga Ministria e Drejtësisë është edhe Ndërtimi i arkivës elektronike, e motorit të kërkimit të Qendrës së Botimeve Zyrtare, i cili do të sjellë një koncept të ri të kërkimit dhe qasjes në dokumentacionin e kërkuar.

 

Të nderuar deputetë,

Projektbuxheti 2019 është prova më e mirë që Qeveria dhe Kryeministri janë të vendosur për shtet, punë e mirëqenie.

Shteti, puna dhe mirëqenia fillojnë nga drejtësia dhe sistemi i drejtësisë.

Mbështetja buxhetore që i jepet drejtësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë është mesazhi më i qartë që Shqipëria, me reformat që ka ndërmarrë dhe mbështetjen buxhetore të këtyre reformave, do të jetë shumë shpejt pjesë e familjes së përbashkët evropiane.

Vota juaj për këtë buxhet, është mesazhi më i mirë që mund t’i japim qytetarëve shqiptarë, që jemi të vendosur në zbatimin e reformës në drejtësi dhe forcimin e shtetit ligjor.

Prandaj ju ftoj të gjithëve të votoni atë!

Faleminderit