E nderuar Shkëlqesi, Ambasadore Kim,
Të nderuar pjesëmarrës,
Jam thellësisht e nderuar që bashkarisht me Ambasadoren, znj. Kim, jemi sot në këtë ngjarje historike, që shënon një hap të ri në historinë e bashkëpunimit midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, në fushën e bashkëpunimit gjyqësor.
Jemi mbledhur këtu sot për të nënshkruar marrëveshjen e re të ekstradimit mes dy vendeve tona, pas gati 100 vjetësh nga marrëveshja e parë e ekstradimit – ende në fuqi – me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Marrëveshja e re që nënshkruajmë sot zëvendëson Traktatin Dypalësh të Ekstradimit, të nënshkruar në vitin 1933, hyrë në fuqi në vitin 1935, pas ratifikimit dhe nënshkrimit të Protokollit të Shkëmbimit nga Faik Konica, Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA dhe Cordell Holl, Sekretari i Shtetit të Shteteve të Bashkuara, duke e modernizuar dhe përshtatur atë me realitetin e kohës që jetojmë.
Kjo Marrëveshje është rezultat i një pune të gjatë mes përfaqësuesve teknikë te grupeve negociatore dypalëshe dhe i një bashkëpunimi tejet të ngushtë mes dy qeverive tona.
Korniza ligjore e deritanishme, konsiderohej tashmë e “vjetëruar” – pra e tejkaluar në shumë aspekte, si pasojë e evoluimit të legjislacionit penal ndër vite.
Me marrëveshjen e re realizojmë zgjerimin dhe përditësimin e kategorive të veprave penale për të cilat mund të kërkohet ekstradimi nga palët, mbi bazën e parimit të kriminalitetit të dyfishtë, duke përfshirë tashmë edhe veprat penale më të reja si ato me karakter financiar, tatimor dhe doganor, korrupsionin, veprat mjedisore, veprat në fushën informatike e çdo vepër që dënohet me heqje të lirisë për një periudhë maksimale prej më shumë se një viti ose për një dënim më të rëndë, me përjashtim të veprave penale me karakter politik.
Marrëveshja që nënshkruajmë sot shënon një hap të rëndësishëm përpara në luftën kundër krimit sa i përket vendeve tona pasi ofron instrumenta të reja për të luftuar me efikasitet format e reja të kriminalitetit dhe për të mos lënë asnjë shteg në ndjekjen penale dhe sigurimin përpara drejtësisë të autorëve përgjegjës për kryerjen e veprave penale në të dy vendet tona.
Marrëveshja shërben si një sinjal i qartë dhe i vendosur ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, se askush nuk do të gjejë asnjë strehë për t’iu shmangur zbatimit të ligjit penal në SHBA apo në Shqipëri.
Akti që formalizojmë sot përmes këtij nënshkrimi, është shenjë e qartë e vullnetit të palëkundur të Qeverisë shqiptare, në drejtim të zbatimit të ligjit dhe forcimit të shtetit të së drejtës, por edhe provë e mbështetjes së pakursyer të mikut dhe aleatit tonë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në realizimin e këtij objektivi të përbashkët.
Mbështetja politike dhe teknike e Shteteve të Bashkuara është shprehur më së miri që në fillesat e konceptimit dhe hartimit të reformës në drejtësi, përmes ekspertizës teknike të misioneve të saj, e vijon në mënyrë të pandërprerë e të vendosur me ndjekjen e zbatimit dhe konkretizimit hap pas hapi të kësaj reforme, sa të vështirë – aq edhe të domosdoshme për të ardhmen e Shqipërisë.
Reforma në drejtësi, si dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar kanë qenë që në krye të herës kryefjala e punës së Ministrisë së Drejtësisë dhe kësaj Qeverie Shqiptare.
Jemi të ndërgjegjshëm se ka ende shumë për të bërë për ne dhe të gjitha institucionet e drejtësisë në vend për të ravijëzuar, në mënyrë definitive, konturet e drejtësisë së re të shumëpritur. Por, pengesat e hasura deri këtu nuk mund dhe nuk duhet, në asnjë të mënyrë, të zbehin rezultatet e rëndësishme të arritura në këto 3 vite nga miratimi i reformës në drejtësi: sot kemi institucione drejtësie të pavarura dhe të pakapshme nga pushtete të tjera, transparente dhe llogaridhënënse përpara qytetarëve dhe publikut të gjerë.
Jam e nderuar të kem sot në këtë ceremoni edhe praninë e drejtuesve më të lartë të organit të prokurorisë, Prokurorit të Përgjithshëm, z. Cela, dhe Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Kraja.
Realizimi i kësaj marrëveshjeje është rezultat i punës së përbashkët në grup të përfaqësuesve tanë dhe kontributi i tyre për zbatimin me sukses të saj është i një rëndësie thelbësore.
Më vjen mirë që nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje vjen fill pas zbatimit të marrëveshjes me EUROJUST të nënshkruar nga Ministria e Drejtësisë, përmes caktimit për herë të parë të prokurores sonë në Hagë duke filluar nga muaji janar 2021, edhe falë mbështetjes financiare dhe logjistike të qeverisë për forcimin e bashkëpunimit gjyqësor.
Bashkëpunimi dhe bashkëveprimi ndërmjet organeve gjyqësore dhe agjencive ligjzbatuese Shqiptare me partnerët tanë europianë dhe amerikanë do të kontribuojë në rritjen e efikasitetit të luftës kundër krimit të organizuar dhe rritjen e besimit në kapacitetet dhe vullnetin e autoriteteve shqiptare në luftën kundër krimit.
E nderuar Ambasadore Kim,
Me këtë marrëveshje që nënshkruajmë sot, pothuajse prej 100 vjetësh, ne jemi shpresëplotë se do t’i japim shteteve tona, një marrëveshje historike ekstradimi që nga mosha dhe cilësia do t’ia kalojë jetëgjatësisë së traktatit të vitit 1933.
Shumëçka ka ndryshuar në historinë e vendit tim që nga viti 1933, shumë përpjekje janë bërë më parë për ta firmosur këtë marrëveshje, por sot me krenarinë më të madhe mund të shpreh që historia na e rezervojë ne, kënaqësinë dhe mundësinë për ta firmosur, legjitimuar dhe për ta bërë realitet.
Në emër të popullit shqiptar, falenderoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe personalisht juve, Ambasadore Kim për mbështetjen e pakushtëzuar që i keni dhënë Shqipërisë në forcimin e shtetit të së drejtës, që do të shërbejë si një pasaportë në rrugëtimin evropian.
Faleminderit!
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.