Fjala e zv/Ministres së Drejtësisë znj. Adea Pirdeni në Komisionin e Jashtëm Parlamentar për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Mbretërisë së Spanjës dhe Republikës së Shqipërisë si shtesë e Konventës Evropiane për Ekstradimin e Vitit 1957” - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 19/01/2022

Fjala e zv/Ministres së Drejtësisë znj. Adea Pirdeni në Komisionin e Jashtëm Parlamentar për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Mbretërisë së Spanjës dhe Republikës së Shqipërisë si shtesë e Konventës Evropiane për Ekstradimin e Vitit 1957”

E nderuar kryetare e Komisionit për Politikën e Jashtme,

Të nderuar deputetë,

Sot ju paraqitet për shqyrtim projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Mbretërisë së Spanjës dhe Republikës së Shqipërisë si shtesë e Konventës Evropiane për Ekstradimin e Vitit 1957”.”. Kjo marrëveshje synon të intensifikojë nivelin e bashkëpunimit efektiv ndërkombëtar në fushën penale ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës, konkretisht përmes lehtësimit të procedurave të ekstradimit të shtetasve ndërmjet të dy vendeve.

Sjellim në vëmendjen e anëtarëve të nderuar të këtij Komisioni se Konventa Evropiane për Ekstradimin, ratifikuar me Ligjin Nr. 8322 datë 2.4.1998 “Për ratifikimin e Koventës së Këshillit të Evropës për Ekstradimin dhe të dy protokolleve shtesë“ parashikon shprehimisht në nenin 28 se palët nënshkruese të kësaj Konvente mund të nënshkruajnë marrëveshje dypalëshe ose shumëpalëshe me qëllim plotësimin e parashikimeve të kësaj Kovente ose lehtësimin e zbatimit të saj.

Mbi këtë bazë konventore, projektligji për ratifikimin e kësaj marrëveshje parashikon se palët bien dakort të ekstradojnë reciprokisht shtetasit e tyre me qëllim ndjekjen penale për kryerjen e veprave penale, me qëllim ekzekutimin e një dënimi ose zbatimin e një mase sigurimi, në përputhje me dispozitat e Konventës Evropiane për Ekstradimin. Në këtë Konventë parashikohet shprehimisht në nenin 6, pika 1, shkronja “a” se çdo palë ka të drejtë të refuzojë ekstradimin e shtetasve të saj. Megjithatë, në nenin 2 të ligjit nr. 8322, datë 2.4.1998 “Për ratifikimin e konventës së Këshilllit të Europës për Ekstradimin dhe të dy protokolleve shtesë” parashikohet se lidhur me nenin 6 të Konventës pika 1, shkronja “a”, pala shqiptare refuzon ekstradimin e shtetasve të vet, me përjashtim të rasteve kur është parashikuar ndryshe në marrëveshje ndërkombëtare, ku Shqipëria është palë, duke i hapur kështu rrugë mundësisë së ekstradimit të shtetasve shqiptarë, si dhe ekstradimin e shtetasve të një shteti tjetër drejt Shqipërisë, nëse parashikohet shprehimisht në Marrëveshje.

Më konkretisht, përmes këesaj marrëveshje, mundësohet ekstradimi i shtetasve spanjollë në Shqipëri dhe e anasjellta. Në këtë mënyre, synohet gjithashtu ruajtja dhe forcimi i lidhjeve mes dy sistemeve të drejtësisë, si dhe përmirësimi i zbatimit në praktikë të institutit të ekstradimit për dorëzimin reciprok të autorëve të veprave penale ose personave ndaj të cilët ushtrohet ndjekja penale ose ndaj të cilëve do të zbatohet një masë sigurimi. Kjo marrëveshje përbën garanci të shtuar për marrëdhëniet juridiksionale në fushën penale me Spanjën, duke parashikuar lejimin e ekstradimit të shtetasve të vet për secilin nga shtetet palë në marrëveshje.

Kjo Marrëveshje i ka kaluar nëpër të gjithë fazat e parashikuara në legjislacionin për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë. Marrëveshja është miratuar, në parim, nga Këshilli i Ministrave me vendimin nr. 560, datë 29.09.2021. Në vijim të miratimit, në parim, marrëveshja është nënshkruar datë 04.10.2021 në Madrid nga Kryeministrat e të dy vendeve.

Kjo marrëveshje nuk parashikon nevoja buxhetore shtesë, pasi përcakton procedurat që ndiqen gjatë një kërkese për ekstradim. Kostot eventuale të procedurës së ekstradimit do të përballohen brenda tavaneve buxhetore të miratuara për institucionet respektive të ngarkuara me zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Sipas parashikimeve të nenit 24 të Konventës së Këshillit të Evropës për Ekstradimin, secila prej palëve mbulon çdo shpenzim që kryhet në territorin e palës së kërkuar për shkak të një kërkese për ekstradim. Ndersa, shpenzimet e tranzitit mbulohen nga pala kërkuese. Vlen të theksohet, megjithatë, se është vështirësisht e parashikueshme a priori tërësia e kostove që duhet të mbulojnë institucionet e përfshira në këtë proces, si  Prokuroria e Përgjithshme, gjykatat, Ministrinë e Drejtësia, dhe e të tjerë, ashtu edhe kohëzgjatja e këtij procesi.

Ministria e Drejtësisë, në cilësinë e Autoritetit Qendror kompetent për zbatimin e Koventës Evropiane për Ekstradimin dhe marrëveshjeve dypalëshe për ekstradimin, ka shqyrtuar një numër të konsiderueshëm kërkesash për bashkëpunim gjyqësor në fushën penale me Spanjën përgjatë viteve të fundit.  Që prej vitit 2017, kjo Ministri ka përpunuar 92 letërporosi hyrëse dhe dalëse si dhe 25 kërkesa për ekstradim nga Spanja dhe 3 kërkesa për ekstradim nga autoritetet shqiptare drejtuar Spanjës. Përmes kësaj marrëveshje ne synojmë të thellojmë më tej përpjekjet tona për të qënë një partner i besueshëm në luftën kundër krimit transnacional.

Në përfundim të kësaj ekspozeje të qëlllimit, përmbajtjes dhe procedurës së ndjekur për nënshkrimin dhe ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, natyrisht betemi në dispozicion për të  diskutuar dhe qartësuar aspekte të vecanta të marrëveshjes në cmimin e deputetëve anëtarë të këtij Komisioni.

Ju faleminderit!