Fjala e plotë të mbajtur sot në aktivitetin që u zhvillua në kuadër të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 05/02/2021

Fjala e plotë të mbajtur sot në aktivitetin që u zhvillua në kuadër të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian

Të nderuar pjesëmarrës,

 

Është një kënaqësi e veçantë t’ju përshëndes në këtë konferencë me fokus Kapitullin 23 si një ndër shtyllat kryesore të procesit të negociatave drejt Bashkimit Evropian. Ministria e Drejtësisë, si institucioni lider në përgatitjen dhe koordinimin e procesit të negocimit për Kapitullin 23 dhe kriterin politik, mbart një përgjegjësi të veçantë dhe në të njëjtën kohë, një sfidë të madhe, për të shtyrë përpara procesin e harmonizimit të legjislacionit me acquis-në e Bashkimit Evropian.

Ky është një proces me rëndësi jetike për të gjithë qytetarët të Shqipërisë dhe ne gjendemi këtu si aktorë të një momentumi historik. Ne jemi të ndërgjegjshëm se ​​progresi në fushën e gjyqësorit, antikorrupsionit dhe të drejtave të njeriut jo vetëm ka ndikim të drejtpërdrejtë në avancimin e axhendës tonë të integrimit në BE, por edhe se këto zhvillime kontribuojnë fillimisht dhe thelbësisht në përmirësimin konkret të jetës së qytetarëve shqiptarë.

Këto zhvillime përkthehen në shërbime më të mira juridike, akses më të mirë në drejtësi, ndjekje dhe ndëshkim efektiv të rasteve të korrupsionit, respekt për të drejtat e njeriut, e veçanërisht respekt për të drejtën për një gjykim të drejtë, si dhe atë për të cilën ne ndihemi më së shumti përgjegjës: besimin e qytetarëve në një drejtësi që vihet në shërbim të tyre.

Mund ta pohojmë me modesti se Qeveria Shqiptare është në pararojë të procesit të ngritjes së një infrastrukture ligjore dhe arkitekture institucionale të sundimit të ligjit në Shqipëri, formësimit të një sistemi gjyqësor bazuar në parimet thelbësore të funksionimit të një gjyqësori të denjë për Shqipërinë evropiane.

Ridizenjimi i sistemit të drejtësisë në Shqipëri ka qenë një revolucion i paprecedent ligjor dhe strukturor i pushtetit gjyqësor. Ky proces që deri më tani shtrihet përgjatë 6 viteve, i cili  ndryshoi 1/3 e Kushtetutës shqiptare dhe u pasua nga një kornizë ligjore e përbërë nga 27 ligje dhe nga aktet nënligjore në zbatim të tyre, ka ridimensionuar tërësisht fytyrën e gjyqësorit shqiptar.

Lajtmotivi i kësaj sipërmarrje kaq të rëndësishme ka qënë dhe mbetet forcimi i pavarësisë, efiçencës, dhe llogaridhënies së gjyqësorit përmes ngritjes së organeve eficente të qeverisjes së gjyqësorit në përputhje me standardet më të mira evropiane si dhe rivendosja e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë përmes procesit të rivlerësimit kalimtar të gjykatëve dhe prokurorëve.

Gjithashtu, në kuadër të reformës në drejtësi ngritja e strukturave të specializuara kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si Prokuroria e Posaçme, Byroja Kombëtare e Hetimit si dhe Gjykatat e Posaçme, ka synuar të targetojë drejtpërdrejtë dhënien fund njëherë e përgjithmonë të kulturës së pandëshkueshmërisë.

Në kuadër të luftës kundër korrupsionit, si një nga prioritetet kyçe të Qeverisë Shqiptare dhe një ndër komponentët kryesorë të kapitullit 23, janë ndërmarrë hapa solidë me qëllim ngritjen dhe funksionimin e mekanizmave që synojnë çrrënjosjen e korrupsionit në sektorët më të ndjeshëm. Rrjeti i Koordinatorëve kundër Korrupsionit, si një mekanizëm i krijuar rishtaz, po me shumë këmbëngulje për ta shndërruar atë në një derë të hapur për qytetarin që nëpërkëmbet në dyert e institucioneve, është një prej tyre. Ky Rrjet është i përbërë nga profesionistë të rinj e me integritet, të cilët do të angazhohen fuqimisht për mbledhjen, përpunimin dhe raportimin e çdo indicieje të rasteve të dyshuara si korruptive, për ta përcjellë më pas për shqyrtim në strukturat e specializuara të Ministrisë së Drejtësisë ose Prokurorisë së Posaçme, sipas rastit.

Përpos krijimit të mekanizmave të tillë me rol primar në ndjekjen e rasteve korruptive, i kemi kushtuar vëmendje maksimale edhe parandalimit të korrupsionit në të gjitha nivelet. Kemi nisur koordinimin e një procesi gjithëpërfshirës të vlerësimit të riskut të integritetit, përmes miratimit të Planit të Integritetit të Ministrisë të Drejtësisë, proces që do t’a zgjerojmë në mënyrë kapilare  në ministritë e tjera të linjës. Në cilësine e koordinatorit kombëtar kundër korrupsionit, jam e bindur se nxitja e një qasjeje refuzuese ndaj korrupsionit kërkon domosdoshmërisht ndryshimin e kulturës tonë institucionale.

Në kuadër të kapitullit 23, dhe në vazhdën e nismave për zbatimin e standardeve të të drejtave dhe lirive themelore, fokusi ynë specifik këto tre vitet e fundit, ka qenë jetësimi i një sistemi ndihme juridike që ka në themel garantimin e standardeve më të mira të aksesit në drejtësi. Përmes rrjetëzimit të ofrimit të ndihmës juridike nga qendrat e ndihmës juridike falas në të gjithë Shqipërinë, OJF-ve  të licencuara për të ofruar ndihmë juridike të financuar nga shteti, 10 klinikave të ligjit të ngritura në institucionet e arsimit të lartë, si dhe platformës “juristionline”, besoj fort se kemi hedhur themelet e një ngrehine të qendrueshme në garantim të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve.

Vlen të përmend, se në rrugën e ndërmarrjes së reformave të thella, nuk kemi qenë kurrë vetëm. Mirënjohja jonë e veçantë i shkon asistencës që kemi marrë nga partnerët tanë ndërkombëtarë si dhe nga ekspertiza vendore e paçmueshme dhe kontributi i çdo eksperti, aktori të shoqërisë civile, për të ndërmarrë një reformë të tillë ishte me vlerë. Ndaj, kjo reforme i përket nga pak çdo personi që ka kontribuar në të. E përmbi të gjitha, pikërisht në këtë moment, kur Shqipëria është në pritje të mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare, dhe kur procesi i screening dypalësh pritet të pasojë, nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme sesa tani, që të shtrijmë kërkesën për bashkëpunim me vende të cilët e kanë përfunduar tashmë me sukses këtë proces, ose ato që janë në pararojë në rajon. Ky bashkëpunim është me rëndësi thelbësore jo vetëm për forcimin e marrëdhënieve tona të ndërsjella, por edhe për shkëmbimin e mësimeve të marra përgjatë procesit.

Ndaj më lejoni këtu të falënderoj shumë përzemërisht EMA si bashkëorganizator i këtij aktiviteti, panelistët, Z. Figel dhe Z. Pejovic që i bashkohen përpjekjeve tona për t’u vetëpërmirësuar dhe për t’u përgatitur sa më mirë për hapat e rëndësishëm që na presin në kuadër të procesit të negocimit. Një falenderim i veçantë shkon për ish-Zëvendësministren e Drejtësisë Znj. Caka, që ka qënë pjesë shumë e rëndësishme e këtij procesi pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe që vazhdon të kontribuojë në proceset tona jetike.

Jam e bindur se nga sinergjia që do të krijohet nga diskutimet e sotme, shenjë shumë e pastër e solidaritetit midis partnerësh, Ministria e Drejtësisë, GNPIE për kapitullin 23, si dhe të gjithë aktorët e tjerë të pranishëm, do të marrin me vete shumëçka lidhur me proceset e pritshme me fokus kapitullin 23. Mbetem me shpresën se ky takim është vetëm i pari ndër shumë takime përgatitore në përmbushje të misionin tonë të përbashkët, vendosjen e hapave të sigurt për integrimin e Shqipërisë në BE!

Faleminderit!