Fjala në Rekomandimet e Prokurorit të Përgjithshëm nga Këshilli i Ministrave.
I nderuar Prokuror i Përgjithshëm z. Cela,
I nderuar Drejtues i Prokurorisë së Posaçme z.Kraja,
Të nderuar drejtues të prokurorive të të gjitha shkallëve,
E nderuar drejtuesja e OPDAT znj. Lakomy,
Unë falënderoj Prokurorin e Përgjithshëm për organizimin e këtij takimi pasi është një takim shumë i rëndësishëm në një kohë që Keshilli i Ministrave ka miratuar rekomandimet prioritare në luftën kundër kriminalitetit për vitin 2021, ashtu si dhe Kuvendi ka miratuar rezolutën për Institucionet e drejtësisë, duke përfshirë Prokurorinë e Përgjithshme dhe SPAK.
Rekomandimet prioritare në luftën kundër kriminalitetit janë instrumenti kryesor i politikbërjes së Këshillit të Ministrave, dhe Ministrit të Drejtësisë në nxitjen e luftës kundër kriminalitetit, në çdo formë që ai shfaqet, nga ana e prokurorisë. Dhe ashtu siç adresohen këto rekomandime, ashtu edhe monitorohet për zbatimin e tyre.
Garantimi i sigurisë së qytetarërëve nëpërmjet luftës ndaj kriminalitetit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti është një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë shqiptare. Por përgjegjësia përgjigjia ndaj kriminalitetit nuk mund të jepet e vetme nëpërmjet masave që merr Qeveria, ajo duhet të jetë më të njëjtën goditje dhe nga institucionet e tjera të drejtësisë sipas përgjegjësve dhe detyrimeve kushtetuese e ligjore.
Reforma në drejtësi, solli ndryshime të thella ligjore dhe institucionale që kanë prekur veçanërisht sistemin e drejtësisë penale, me qëllim krijimin e një sistemi drejtësie të pavarur, të paanshëm, të besueshëm, të drejtë, po edhe të përgjegjshëm, i icli duhet ti përgjigjet dhe pritet tu përgjigjet pritshmërive të publikut për të luftuar kriminalitetin.
Sot me sistemin e ri të drejtësisë, është ndryshuar rrënjësisht struktura institucionale në sistemin e drejtësisë dhe veçanërisht edhe organizimi i prokurorisë duke synuar si garantimin e pavarësisë së brendshme ashtu dhe të jashtme të prokurorëve. Prokurorëve ju është dhënë fuqia për të qënë të pavarur, jashtë ndikimit të drejtuesit të prokurorisë apo prokurorit të përgjithshëm, pa qënë të ndikuar nga politika, pa qënë të ndikuar nga krimi, për të mos qënë të cënuar në pavarësinë e tyre të brendshme.
Qeveria I ka dhënë mbështetje të jashtëzakonshme reformës në drejtësi, prokurorisë, trajtimit financiar të prokurorëve, trajtimi financiar me masë shpërblimi prokurorët e SPAK, duke i rankuar në majën e pozicioneve më mirë të paguar në funksione shtetërore. Gjithashtu është dhënë e gjithë mbështetja për krijimin sëfundmi, me krijimin e njësisë të këshilltarëve ligjorë në prokurorinë e përgjithshme. E cila padyshim do të sjelli mbështetje dhe lehtësim për të gjithë veprimtarinë që Prokuroria e Përgjithshme kryen. Tashmë jam e bindur dhe të gjithë presin që rradha për të treguar përgjegjshmërinë është e prokurorëve e drejtuesve të prokurorisë me qëllim që jo vetëm të tregojnë përgjegjshmëri në ushtrimin e detyrës së tyre por njëkohësisht edhe për të qënë një përgjegjshmëri në raport me pritshmëritë e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Në drejtim të strukturës institucionale, për të bërë të mundur funksionimin e sistemit të ri të drejtësisë penale, tashmë jemi në dijeni dhe janë funksionale organet e reja të drejtësisë duke kuptuar që secili prej këtyre organeve ka ka kompetencat e veta të parashikuara në Kushtetutë dhe në ligjet organike, por në çfarëdo lloj rasti bashkëpunimi ndërmjet tyre duhet të udhëhiqet nga parimi i luajalitetit kushtetues i cili shpreh në thelb respektin e ndërsjelltë nga secili subjekt ndaj kompetencave të tjetrit duke nënkuptuar kështu krijimin e një raporti bashkëpunimi midis të gjitha institucioneve. Në këtë kuptim, ndërmjet institucioneve të sistemit të drejtësisë penale, duhet të ketë një raport të fortë bashkëpunimi dhe ndërveprimi ndërmjet të gjitha institucioneve me qëllimin kryesor, forcimin e sistemit të drejtësisë penale.
Në të gjithë bashkarisht kemi detyrimin moral por dhe profesional, veçanërisht si anëtarë të asaj pjesë të shëndoshë të shoqërisë që ka luftuar fort për të ngritur dhe garantuar funksionimin e plotë të institucioneve të sistemit të drejtësisë, me qëllim që reforma në drejtësi, të përmbushë plotësisht pritshmëritë që ka publiku ndaj saj.
Pavarësisht kësaj, nga zbatimi në praktikë i dispozitave të reja kushtetuese e ligjore, ka raste që shikohet një qasje që është në kundërshtim me frymën dhe qëllimin e ndërmarrjes së reformës në drejtësi, ajo e keqkuptimit të pavarësisë, si një instrument që nënkupton mungesën e llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë në ushtrimin e detyrës.
Përkundrazi, duhet të theksojmë dhe të kuptojmë të gjithë që pavarësia e prokurorit, është një instrument që rrit akoma më shumë detyrimin për llogaridhënie, në kuptim të ushtrimit të ndjekjes penale dhe luftës kundër kriminalitetit dhe përgjegjshmërisë në pritshmëritë që ka e gjithë shoqërisë shqiptare që besimi i tyre, si dhe investimi në reformën në drejtësi, ishte zgjedhja e duhur për ta sjellë shqipërinë më pranë evropës dhe rritur besimin e qytetarëve në institucionet shqiptare. Dhe kjo, është një barrë që më së pari rendon mbi prokurorët dhe drejtuesit e prokurorive.
Për këtë shkak, jo pa qëllim, drejtimi i parë që Këshilli i Ministrave ka vendosur për rekomadimet kundër kriminalitetit është garantimi i pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së prokurorit.
Prokurori i Përgjithshëm luan rol kyç në garantimin e mbarëvajtjes së veprimtarisë së prokurorisë dhe në sigurimin e pavarësisë dhe autonomisë së prokurorit në marrjen e vendimeve gjatë ushtrimit të detyrës. Këtë rol, prokurori i përgjithshëm e ushtron nëpërmjet miratimit të udhëzimeve të përgjithshme, dhe përgjatë vitit 2020, prokurori i përgjithshëm ka nxjerrë disa prej tyre. Sidoqoftë, është detyrë e çdo drejtuesi të prokurorisë që të garantojë zbatimin e vendimeve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm.
Për këtë qëllim, drejtuesit e prokurorive kanë një rol shumë të rëndësishëm në jetësimin e këtyre udhëzimeve me qëllim garantimin e përgjegjshmërisë dhe pavarësisë së çdo prokurori. Roli i çdo drejtuesi, duhet të jetë në funksion, jo vetëm të përmbushjeve të detyrimeve ligjore, për organizimin e punës dhe marrjen e masave të nevojshme për mirëfunksionimin e prokurorisë, por duhet të jetë ura lidhëse ndërmjet punës që kryhet nga çdo prokuror për luftën kundër kriminalitetit dhe rolit të Prokurorisë së Përgjithshme në raportimin dhe përmbushjen e detyrimeve që burojnë për sistemin e prokurorisë kjo në zbatim edhe të rekomandimeve të Këshillit të Ministrave për luftë kundër kriminalitetit.
Mbrojtja e prokurorëve nëpërmjet komisionit të posaçëm të mbrojtjes së prokurorëve si një organizëm i ri brenda KLP, duhet të trajtojë me seriozitetin e duhur çdo rast të kërcënimeve dhe cënimeve të sigurisë së jetës dhe shëndetit të prokurorëve dhe familjarëve të tyre për ti dhënë mbrojtjen e nevojshme Prokurorëve. Dhe kjo padyshim është pjesë e këtij rekomandimi apo këtij grup rekomandimeve që vijnë në grupin e parë që Këshilli i Ministrave ka miratuar sa i përket rekomandimeve në luftën kundër kriminalitetit.
Një numër i madh raportesh ndërkombëtare, vijojnë të vënë theksin në nevojën që Shqipëria ka për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Si shëmbull, Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, i publikuar në Mars 2021, vë theksin tek zbatimi me efektivitet i ligjit dhe reformës në drejtësi, nevoja e rritjes së hetimit dhe ndjekjeve penale, dënimit të rasteve të veprave penale për trafikim të lëndeve narkotike (droga të forta), hetimin e pastrimit të parave të krimit të organizuar në pasuri të paluajtshme si dhe sekuestrimin e tyre.
Tashmë e dimë që fillimi i funksionimit dhe efektiviteti i Prokurorisë së Posaçme përbën një rol të padiskutueshëm në fushën e ndëshkimit të korrupsionit, të zyrtarëve të lartë dhe në gjyqësor, sekuestrimin dhe konfiskimin e të ardhurave me origjinë kriminale, aseteve kriminale apo pasurisë së pajustifikuar të vënë nga korrupsioni zyrtar, parandalimin e korrupsionit në strukturat shtetërore dhe për rikthimin e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë. Dhe taë çka të gjithë ne e kemi fort në zemër dhe po punojmë të gjithë bashkë në luftën ndaj pandëshkueshmërisë. Po ashtu, tashmë ka filluar edhe funksionimin Byroja Kombëtare e Hetimit e cila është një instrument i çmuar në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Dhe besoj me të gjithë zhvillimet që do ndodhin në muajt në vijim, BKH do të jetë një strukturë shumë e rëndësishme për SPAK.
Për herë të parë filluam të zbatojmë vitin e kaluar, ne një situatë të vështirë pandemie që padyshim dhe sistemi i drejtësisë nuk mundi të mos prekej nga kjo pandemi, duke vendosur në rregjimin e posaçëm 41 bis subjektet e para për të mos lejuar kontrollin e veprimtarisë së paligjshme nga brenda burgjeve. Kjo në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Posaçme, Gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të gjitha institucionet ligjzbatuese. Patjetër që do të vijojmë të punojmë bashkarisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe parandalimin e krimit sipas kompentencave kushtetuese dhe ligjore që ka secili institucion.
Siç ju jeni të gjithë në dijeni, ne miratuam së fundmi një paketë prej 10 ligjesh, duke ndryshuar jo vetëm ligjet procedurale por edhe ligjin për luftë kundër krimit të organizuar me qëllim që të garantonim kushte më të mira, për prokurorët dhe gjyqtarët e posaçëm, ashtu edhe për hetuesit e byrosë kombëtare të hetimeve. Tashmë, Këshilli i Ministrave si dhe Kuvendi ka garantuar kushtet më të mira, krahasuar me çdo zyrtar tjetër publik, për prokurorët, gjyqtarët, hetuesit si dhe stafin e gjykatave dhe prokurorisë së posaçme.
Për këtë shkaqe, në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, Këshilli i Ministrave ka rekomanduar veçanërisht shtimin e numrit të hetimeve proaktive (çështje të filluara kryesisht) me qëllim përmirësimin e cilësisë së hetimeve të veprave kundër korrupsionit si dhe shtimin e numrit të hetimeve sistematike pasurore dhe hetimit për veprat penale që gjenerojnë produkte/të ardhura, apo shtimin e aseteve të sekuestruara/konfiskuara.
Nga ana tjetër, për luftën kundër krimit të organizuar ka një nevojë të jashtëzakonshme për fuqizimin e bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese rajonale dhe ndërkombëtare në funksion të efektivitetit të hetimeve për veprat penale që lidhen sidomos me trafikimin e narkotikëve, pastrimit të parave, financimin e terrorizmit dhe trafikimin e qenieve njerëzore, duke pasur në konsideratë që krimi i organizuar, po ndërmerr gjithmonë e më shumë përmasat dhe karakteret e krimit transnacional.
Një rendësie të veçantë, në kuadër të luftës kundër korrupsionit, duhet vendosur në hetimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të larguar për shkak të vetingut, qoftë me dorëheqje, apo me vendime shkarkimi. Të mos harrojmë që pritshmëritë e publikut për reformën në drejtësi janë që çdo gjyqtar ose prokuror që ka abuzuar me detyrën dhe është pasuruar duke e shpërdoruar atë, në kurriz të fatkeqësive dhe halleve të qytetarëve shqiptar, të vetmin fat që duhet të ketë, është dënimi penal dhe konfiskimi i pasurisë së paligjshme, dhe jo vetëm shkarkimin nga detyra.
Kjo, ka qenë në vijimësi edhe një kërkesë e komunitetit ndërkombëtar dhe e bashkimit evropian dhe për këtë shkak, kërkon vemendjen e duhur prej të gjithë prokurorëve të SPAK dhe padyshim gjyqtarët e GJKKO. .
Ndryshime të rëndësishme me paketën e miratuar së fundmi lidhen edhe me ndryshimin e kompetencës lëndore të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pikërisht në nenin 75/a të Kodit të Procedurës Penale. Qëllimi i ndërmarrjes së kësaj nisme lidhet me krijimin e kushteve të përshtatshme për ushtrimin e ndjekjes penale nga gjykatat dhe prokuroritë me juridiksion të posaçëm për korrupsionin dhe krimin e organizuar po gjithashtu edhe nga gjykatat, për hetimin dhe gjykimin e veprave penale të cilat shkaktojnë pasoja të rënda. Për këtë arsye duhet vëmëndje e shtuar nga strukturat e posaçme për të arritur rezultatet në hetimin dhe gjykimin e rasteve të korrupsionit në nivele të larta dhe krimit të organizuar, ashtu siç duhet që prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm me shumë përgjegjshmëri të ndjekin të gjitha ratet korrupsionit të vogël që tashmë janë pjesë e kompetencës së tyre.
Së fundmi, një vemendje të veçantë në rekomandimet e Këshillit të Ministrave për luftën kundër kriminalitetit luan edhe forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe konsolidimi i ndërveprimit ndërmjet agjencive ligjzbatuese të brendshme por edhe me ato me karakter ndërkombëtar.
Bashkëpunimi ndërkombëtar në kuadër të marrëdhënieve juridiksionale me autoritet e huaja në fushën penale, është gjithashtu i rëndësishëm dhe kërkon fillimisht koordinimin ndërinstitucional midis organit të prokurorisë dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese apo institucioneve të tjera që marrin pjesë aktive në këtë proces me qëllim finalizimin me sukses dhe në një kohë sa më të shpejtë të bashkëpunimit me autoritetet e huaja.
Në këtë kuadër, ne presim që pas një pune shumë të gjatë që kemi bërë së bashku me Prokurorinë e Posaçme, Kuvendi të miratojë ndryshimet e ligjit për marrëdhëniet juridiksionale me jashtë, që krijojnë edhe kuadrin e duhur ligjor për rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar, veçanërisht nëpërmjet skuadrave të përbashkëta hetimore.
Ashtu siç presim që shumë shpejt të fillojë zbatimi i projektit për sistemin e bashkërenduar për marrëdheniet juridikisionale ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme, si një rekomandim i MONEYVAL dhe FATF por edhe për të lehtësuar procedurat dhe shkurtuar kohën e procesit të ndjekur nga të gjitha autoritet e përfshira në bashkëpunimin ndërgjyqësor.
Nga ana tjetër, një nga qëllimet që duhet të arrihet është edhe rritja e komunikimin të drejtëpërdrejtë nëpërmjet autoriteve gjyqësore me qëllim përshpjetimin e veprimtarisë hetimore procedurale në dy ose më shumë vende të ndryshme.
Përveç rezultateve që solli reforma në drejtësi në aspektin e marrëdhënieve ndërkombëtare kemi arritur një rezultat shumë pozitiv që të emërojmë për herë të parë në janar të këtij viti, Prokurorin tonë të ndërlidhjes në Eurojust i cili jo vetëm i jep mundësinë Shqipërisë të përfaqësohet denjësisht për herë të parë në këtë strukturë por nga ana tjetër për të shërbyer si një mekanizëm efikas për prokurorinë për të ndjekur prioritetet në luftën kundër kriminalitetit.
Për këtë qëlim, unë besoj fort që shkëmbimi i informacionit dhe i përvojës, me partnerët tanë ndërkombëtarë, por nga ana tjetër edhe mbështetja logjistike dhe financiare për organizimin e operacioneve të përbashkëta do të ndihmojë shumë në luftën kundër krimit të organizuar si dhe luftën kundër korrupsionit, veçanërisht në hetimet pasurore për pasuri që mund të ndodhen jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Një ndër rekomandimet e fundit të miratuara nga Këshilli i Ministrave lidhet me përgjegjësinë që ka prokuroria për të patur një vëmendje të shtuar në trajtimin me përgjegjshmëri dhe në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare të autorëve dhe viktimave të veprave penale që vijnë nga shtresat vulnerable , por që lidhen me vepra penale me natyrë gjinore seksuale dhe diskriminuese si dhe për rastet e keqtrajtimit, abuzimit, shfrytëzimit e trafikimit të fëmijëve ashtu siç kërkohet dhe në këtë vit dhe ka qënë një ndër rekomandimet që kërkohet gjithmonë në Rekomandimet e Këshillit të Ministrave për të rritur e cilësisë së hetimit por edhe ashpërsimi i politikës penale për autorët e veprës penale të dhunës në familje. Tashmë jeni në dijeni për atë çka ka rezultuar dhe nga monitorimi i zbatimit të rekomandimeve të një viti më parë nga Këshilli i Ministrave, ku ky rekomandim nuk ka gjetur reflektim nga të gjitha rastet që lidhen me veprat penale të dhunës në familje.
Për Këshillin e Ministrave dhe Ministrinë e Drejtësisë, lufta kundër kriminalitetit në të gjitha format e saj, por veçanërisht e krimit të organizuar dhe korrupsionit, është një nga përparësitë absolute. Dhe unë e vlerësoj faktin që jemi në këtë takim bashkërisht duke kuptuar qartë që pririoriteti është i njejtë, por na duhet që secili nga ne në përgjegjësitë që Kushtetuta dhe ligji na i njeh, do duhet të veprojmë në zbatim të këtyre rekomandimeve.
Besimi i qytetarëve shqiptar në strukturat e shtetit, është i varur më së pari në efektivitetin e organit të prokurorisë në luftën kundër kriminalitetit; sa më e suksesshme kjo luftë, sa më shumë autorë të veprave penale që do të vendosen para drejtësisë, aq më i fortë do të jetë besimi i qytetarëve në forcën parandaluese dhe ndëshkuese të gjithë sistemit të drejtësisë.
Dhe unë besoj që është detyra e secilit prej jush, të merrni çdo masë të nevojshme, që të garantoni përmbushjen e këtyre rekomandimeveqë përbëjnë bazën kryesore të asaj çka po konsiderohet pririoritet, por dhe të asaj çka konsiderohet më tepër pritshmëri e qytetarëve dhe pritshmëri e partnerëve ndërkombëtarë në një rrugëtim që Shqipëria tashmë e ka nisur në procesin e integrimit europian.
Ju faleminderit,
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.