Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani ishte i pranishëm ditën e sotme në nisjen e Konferencës Gjyqësore Kombëtare, në përfundim të së cilës do të vendosen emrat e dy anëtarëve të rinj të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Gjatë fjalës së tij drejtuar trupës gjyqësore të Republikës së Shqipërisë, z. Manjani ka ripërsëritur edhe njëherë rëndësinë e krijimit të klimës së sundimit të ligjit, përmes respektimit të shumë faktorëve në dhënien e drejtësisë, derisa të mund ta integrojmë këtë sistem krah standarteve evropiane.
Ministri Manjani bëri apel për gjykim të shpejtë, të drejtë dhe të paanshme, si faktorë me rëndësi në garantimin e një gjyqësori të përgjegjshëm.
Më poshtë fjala e Ministrit të Drejtësisë, z. Ylli Manjani:
Rrugës për këtu takova një njeri jo pa rëndësi në jetën politike dhe kur i tregova se po vija në Konferencën Gjyqësore Kombëtare në mënyrë reaguese më tha: Çdo që shkon atje?
Nuk i bëra zë por po përpiqem t’i jap përgjigje atij dhe të shpjegoj arsyen përse jam sot këtu.
Që reforma në drejtësi do të bëhet, kjo nuk diskutohet fare dhe nuk është më temë nëse bëhët apo nuk bëhet. Kjo është një histrori e shkuar dhe një vendim i marrë tashmë. Do të bëhët dhe nuk diskutohet! Por ndërkohë që presim të bëhet reforma, në sallat e gjyqeve përditë bëhen gjyqe, përditë zgjidhen halle ose krijohen të reja, përditë ka kërkesë padi të depozituara, përditë ka vendime për masa sigurie, dënim apo pafajësi njerëzish, qytetarësh të këtij vendi, shërbim që merret në mënyrë ekskluzive nga gjykatat shqiptare.
Ne nuk mund të presim që të bëhët një gjë e madhe sikurse është reforma, sepse ndërkohë jeta po jetohet dhe në sallat e gjyqeve vazhdohet puna. Nuk mundet që në emër të reformës, t’u shesim njerëzve të ardhmen, pra që diçka do të ndodhi në të ardhmen dhe në fakt në emër të të ardhmes po ju shesim padrejtësi, në emër të së ardhmes që e dimë se do të ndodhë por jo se kur, t’ju shesim diçka që po rrëshqet, shërbimin e munguar gjyqësor apo në atë që nuk besohet ende nga njërëzit.
Përditë në zyrën time vijnë ankesa për shërbimin e munguar në gjyqësor. Sigurisht nuk kam ndërmend të hyj në raste konkrete, sepse sikurse kam bërë me dije, që ditën që jam betuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, mos të komentoj vendimin e askujt, por problematikën në emrin e publikut shqiptar duhet ta ngre dhe është detyrë e imja Kushtetuese dhe Ligjore që ta bëj një gjë të tillë. Unë jam anëtar i Qeverisë dhe në përbërje të saj, ne kemi detyrë të qeverisim dhe të qeverisim mirë. Por nuk ka qeverisje të mirë pa drejtësi. Është e pamundur! Sado e mirë të jetë qeverisja, drejtësia është ajo që e vë vulën e mirësisë ose jo, të qeverisjes së vendit.
Mirëpo, çfarë po na ndodh?
Vëmë re disa tendenca dhe e theksoj tendenca sepse nuk janë për fat të mirë të përhapura gjerësit, pra disa tendenca shthurjeje dhe shkartisjeje të jetës së përditshme në gjyqësor. Vonesa në gjykim të pajustifikuara, të cilat nuk kanë kuptim që të ndodhin. Na është shtuar numri i seancave gjyqësore të shtyra për efekt të raporteve mjekësore. Krejt në mënyrë të çuditshme janë shtuar raportet mjekësore mes jush këto kohë. Shërim të shpejtë atyre që janë të sëmurë realisht, por raportet fiktive janë një fenomen që nuk i kanë hije asnjë zyrtari të shtetit dhe aq më pak një gjyqtari i cili apo e cila ka zgjedhur të mos marrë përgjegjësi për çështje konkrete. Ju lutem përpiquni të fokusohemi në çështje që kanë të bëjnë më përgjegjshmërinë, sepse përpara se të jeni gjyqtarë jeni qytetarë të këtij vendi, nga të cilët, të tjerë qytetarë presin përgjegjshmëri. Kam vënë re se me gjithë përmirësimet eventuale, problemi i vjetër i shorteve mbetet përsëri një çështje delikate. Jam gati të identifikoj trupa të caktuara gjykuese brenda shkallës së parë, që gjykojnë një çështje dhe jam po prapë gati të them se kush do të jetë trupa gjykuese që do ta gjykojë në apel. Thuajse dihet dhe ky nuk është short por diçka tjetër… Nuk e kisha besuar por më është konfirmuar në mënyrë të përsëritur një gjë e tillë. Kam biseduar me kryetarin e ri të Gjykatës së Apelit Tiranë se si do ta zgjidhim këtë çështje sepse ky fenomen kryesisht vihet re në Tiranë.
Ka edhe një tendencë, nuk është e përhapur, po ka një të tillë, se po punohet si për ditën e fundit dhe kjo nuk është e pranueshme për një trupë gjyqësore. Ata që e mendojnë veten si për ditën e fundit, janë sigurisht përgjegjës dhe e mendojnë veten të larguar nga refoma në drejtësi. Por unë mendoj se çdokush përveçse e ka kokën mbi shpatullat e veta, duhet të mendojë mirë se papërgjegjshmëria vetëm ia rëndon pozitën.
Shpallja e vendimeve në mënyrë që paarsyetuar ose vonesa në arsyetim, sëmundje e vjetër kjo, është shtuar kuptohet edhe nën klimën e papërgjegjshmërisë dhe duke “pritur Godonë”, se diçka do të ndodhi në refomë, hajde t’i biem në top…
Kjo është histori që nuk shkon sepse jeni Gjyqtarë të Republikës. Jeni ju ata që duhet të na korrektoni ne dhe jo ne t’ju japim leksione se si të silleni. Ky është standardi i Republikës Parlamentare, standardi i paanësisë, standardi ku gjykata duhet të jetë mbi çdo pushtet tjetër. Presim nga ju dhe ju kërkoj ndjesë nëse kjo parashtresë e imja mund të konsiderohet ndërhyrje apo një mënyrë se si duhet të silleni, sepse nuk është ky qëllimi im, por e theksoj që po parashtroj disa fenomene dhe probleme që vihen re sot në mënyrën se si po sillet gjykata.
Nuk po i hyj fare çështjes së thelbit të vendimit, por në raste të caktuara vëmë re se po krijohet krejtësisht një jurisprudencë e re, jashtë normave të shkruara ligjore. Nuk është diskutim akademik, por diskutim real. Kemi vënë re në mënyrë të veçantë në Gjykatën Administrative, ku edhe vlerësimi në punë, që është një proces ekskluziv i punëdhënësit me punëmarrësin sipas hierarkisë, tashmë e ka marrë përsipër ta bëjë gjykata. Cfarë punë ka gjykata të hyjë në juridiksionin e një pushteti tjetër. A po flasim për pavarësinë e pushteteve, për ndarjen e tyre?
Nuk kam asnjë vërejtjen për krijimin e jurisprudencës së re, por në mënyrë të tillë që të ketë sens. Sepse të gjitha këto janë kosto financiare që rëndojnë në xhepat e njerëzve, të cilat mund të ishin përdorur më mirë dhe në mënyrë efektive, si për të rregulluar mjediset tuaja që janë ende me probleme, për të rregulluar sistemin elektronik që është ende me problem, për t’ju paguar juve më mirë, që sigurisht nuk paguheni mirë dhe për të rregulluar shumë e shumë elementë të tjerë.
Nuk kemi ndërmend të tërhiqemi dhe sëbashku me Këshillin e Lartë të Drejtësisë, i cili do të vazhdojë punën e tij dhe duhet të kapë ritmin, të vonuar për shkaqe të arsyeshme, apo të paarsyeshme, do të duhet ta marri në dorë këtë situatë, ta vëmë në shinat e ligjit, por edhe të ofrimit të shërbimit gjyqësor sa më shpejt të jetë e mundur. Inspektoriati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Inspektoriati i Ministrisë së Drejtësisë, janë të angazhuar bashkërisht që të mos lejojnë përhapjen e këtyre tendencave që përmenda.
Republika jonë e përbashkët ka nevojë për të gjithë ju, askush të mos trembet nga reformat, nga diskutimet publike se diçka do të ndodhi. Secili të bëjë punën që i takon, Shqipëria ka nevojë për të gjithë. Ka nevojë për qytetari dhe për zbatim të ligjit.
Jehona e gjyqësorit të papërgjegjshëm është sot në kancelaritë e Evropës ku duam të integrohemi, jo ne pa ju dhe ju pa ne, por të gjithë bashkë. Sigurisht kur i kërkova ndjesë Qeverisë Franceze e kisha një hall. Dhe më duhet t’i kërkoj ndjesë edhe Qeverisë Italiane dhe disa qeverive të tjera, të cilat prodhojnë hetime, orë të tëra përgjime, mbledhje provash, duke harxhuar para për këtë punë. Dënon drejtësia e këtyre vendeve, ndërsa drejtësia jonë i liron. Si autoritet ligjor, për të ruajtur marrëdhëniet juridiksionale me këto shtete, sigurisht që kam një përgjegjësi dhe duhet ta bëj këtë kërkim ndjese edhe në emrin tuaj. Ju lutem shumë të jeni të përgjegjshëm dhe ta shihni këtë vend, jo si për ditën e fundit, por si ditën e parë të jetës sonë të përbashkët, për ta bërë këtë vend evropian. Dhe ky vend nuk bëhët evropian në qoftë se kontestojmë vendimet e Evropës.
Ju uroj punë të mbarë sot dhe në vijim, derisa të vijmë në standardet që na kërkon Evropa, që na kërkon shteti shqiptar, shoqëria shqiptare, për gjykime të shpejta, të drejta dhe të paanshme.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.