Fjala e ministrit të Drejtësisë z.Ulsi Manja në takimin përmbyllës të ciklit të trajnimeve të nëpunësve të Drejtorisë së Përgjithshme të Kodifikimit dhe Harmonizimit të Legjislacionit në Ministrinë e Drejtësisë - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 11/10/2021

Fjala e ministrit të Drejtësisë z.Ulsi Manja në takimin përmbyllës të ciklit të trajnimeve të nëpunësve të Drejtorisë së Përgjithshme të Kodifikimit dhe Harmonizimit të Legjislacionit në Ministrinë e Drejtësisë

Mirëdita të gjithëve!

Do të doja ta filloja fjalën me një falenderim për partnerin tonë në shumë punë të përbashkëta misionin EURALIUS, i cili ka qenë dhe vijon të jetë mbështetës i pakursyer i Ministrisë së Drejtësisë. Një falenderim të veçantë shkon për drejtuesen e këtij misioni znj. Bernhard, e cila jo vetëm ka drejtuar procese të rëndësishme në fushën e drejtësisë,  por ka dhënë kontributin duke bashkëpunuar ngushtësisht me Ministrinë e Drejtësisë, së fundmi edhe për organizimin e një cikli trajnimesh të specializuar për stafin e Drejtorisë së Përgjithshme të Kodifikimit. Ky cikël trajnimesh ka synuar forcimin e kapaciteteve profesionale të të gjithë nëpunësve të kësaj Drejtorie dhe të strukturave juridike të ministrive të linjës që kanë marrë pjesë.

Në fund të vitit 2020 Drejtoria e Përgjithshme e Kodifikimit pati një riorganizim strukturor, riorganizim ky që solli nevojën e forcimit të aftësive profesionale të stafit, në fushat  e specializimit të së drejtës, duke e shndërruar këtë Drejtori të Ministrisë së Drejtësisë në strukturën qendrore kompetente të dallueshme nga strukturat e tjera juridike të administratës shtetërore të ofrimit të  shërbimeve juridike.

Zhvillimi i këtij cikli trajnimesh kam bindjen se jo vetëm ka  qenë i domosdoshëm por dhe se përfitimi ka qenë i dukshëm si në ngritjen profesionale të stafit, ku me aftësitë profesionale dhe etike që zotërojnë të jenë në gjendje t’i përgjigjen me sukses sfidave dhe ndryshimeve që hasin në tregun e punës, ashtu edhe në vendosjen e Drejtorisë në qendër të procesit të ofrimit të shërbimeve juridike.

Sikurse kam thënë edhe herë të tjera, për mua, Drejtoria e Përgjithshme e Kodifikimit është “zemra” e Ministrisë së Drejtësisë, pasi mbart peshën më të madhe në raport me të gjithë strukturat juridike të nivelit ekzekutiv në vend, në ushtrimin e veprimtarisë legjislative në Republikën e Shqipërisë. Ajo është strukturë përgjegjëse për hartimin dhe miratimin e akteve në fushën e drejtësisë apo në kompetencë të Ministrisë së Drejtësisë, por përmes saj garantohet filtrimi dhe rritja e cilësisë së aktivitetit legjislativ të Këshillit të Ministrave, ministrive dhe institucioneve qendrore në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, si dhe të Kuvendit të Republikës.

Pikërisht, për shkak të funksioneve që ushtron dhe rolit që ka, një nga prioritetet qeverisëse dhe prioriteti i punës time si Ministër Drejtësie, është padiskutim reformimi i mëtejshëm i Drejtorisë së Kodifikimit me burime njerëzore cilësore, të motivuar për të punuar dhe të aftë për të nxjerrë produkte pune me cilësi të dallueshme, duke konfirmuar stafin si ekspertët më të mirë ligjorë, kompetitivë dhe kompetentë në vend në fusha të caktuara të ligjit dhe Drejtorinë e Kodifikimit si drejtorinë më prestigjioze  në vend në ofrimin e shërbimeve ligjore.

Angazhimi i kësaj drejtorie në procese komplekse që mbartin aktivitete ligjore që kërkojnë kohë dhe njohuri të specializuara të ligjit, jurisprudencës dhe doktrinës, sikurse janë proceset që lidhen me përafrimin të legjislacionit të vendit me legjislacionin e Bashkimit Evropian, vlerësimit të hapësirave korruptive gjatë hartimit të legjislacionit apo që lidhen me përgatitjen e mendimeve/opinioneve ligjore për akte me rëndësi dhe interes të lartë publik.Të gjitha këtyre kërkesave u përgjigjen politika të qëndrueshme të trajnimit, duke synuar përshtatjen e aftësive të stafit me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të përparuara të punës.

Për këtë arsye, zhvillimi i kapaciteteve të Drejtorisë nëpërmjet trajnimit dhe edukimit në vazhdimcertifikimit të vijueshëm  si pjesë e skemave të zhvillimit profesional, mbetet një nga detyrat kryesore të saj dhe pas kryerjes së reformimit të 2020.

Në këtë mënyrë, do të jemi në gjendje t’i përgjigjemi nevojave dhe objektivave të qeverisë shqiptare për forcimin e procesit legjislativ në vend.

Do të doja ta përmbyllja këtë fjalë të shkurtër me shprehjen e juristit amerikan Louis Brandeis “Nëse duam që ligji të respektohet, si fillim duhet të bëjmë ligje të respektueshme .”. Prandaj, është detyra jonë në rradhë të parë të gjejmë dhe të vëmë në punë të gjithë mekanizmat dhe instrumentet e mundshme për ndërtimin e kapaciteteve, forcimin e procesit legjislativ dhe shtetit të së drejtës, duke shërbyer si shembull për të tjerët.

Ndaj sot, në këtë ditë përmbyllëse, unë si Ministër Drejtësie por edhe si profesionist i fushës, dëshiroj t’i uroj stafit suksese në punë dhe t’iu them se nuk duhet të ndalojmë këtu më këtë trajnim. Edukimi në vazhdim është instrumenti i duhur për të qenë koherentë dhe unë do të jem krah cdo nisme dhe procesi ligjor që do të lindë si nevojë por edhe detyrë e të gjithëve ne për të vënë në zbatim çdo reformë, me qëllim bashkimin tonë me vendet anëtare të BE-së , dhe natyrisht do të vijoj të jem një bashkëpunëtor i paepur i mbështetësve tanë ndërkombëtarë si EURALIUS.

Suksese!