Fjala e Ministrit të Drejtësisë z.Ulsi Manja në takimin konsultativ “PËR HARTËN E RE GJYQËSORE” - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 28/12/2021

Fjala e Ministrit të Drejtësisë z.Ulsi Manja në takimin konsultativ “PËR HARTËN E RE GJYQËSORE”

Përshëndetje të nderuar pjesëmarrës,

përfaqësues të partnerëve ndërkombëtarë,

kolegë,

Takimi i sotëm shenjon një hap të rëndësishëm në drejtim të konkretizimit të të gjithë përpjekjeve tona për të maksimizuar efiçencën e gjyqësorit në Shqipëri.

Reforma në drejtësi që në gjenezën e saj, është udhëhequr nga nevoja e domosdoshme për t’u ofruar qytetarëve shqiptarë drejtësi cilësore dhe të shpejtë. Krahas reformimit të të gjithë kuadrit kushtetues, ligjor dhe institucional të sistemit të drejtësisë, rezultati i pritshëm i kësaj përpjekjeje kolosale është rritja e ndjeshme e efiçencës në funksionimin e organet e organeve të sistemit të drejtësisë.

Reforma në drejtësi është tashmë në fazën e konsolidimit të saj. Të gjithë jemi dëshmitarë të rolit që ka luajtur Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi në mbështetjen e zbatimit të reformës në drejtësi. Paketa e ligjeve të reformës në drejtësi u plotësua edhe me ndryshimet e marsit të këtij viti, e njohur si paketa e eficencës. Nëpërmjet saj krijuam mekanizmat e përshtatshëm për mirëfunksionimin e gjykatave dhe rritjen e shpejtësisë së shqyrtimit të çështjeve nga gjyqtarët.

Duke qënë të ndërgjegjshëm se asnjë reformë nuk mund të shtyhet përpara pa mjetet e nevojshme financiare dhe infrastrukturore, Qeveria Shqiptare ka ofruar mbështetje të pakursyer për reformën në drejtësi përgjatë 5 viteteve të fundit, pavarësisht situatave të fatkeqësisë natyrore me të cilat është përballur vendi. Krahas, plotësimit të kërkesave të Këshillave për të mbuluar nevojat e sistemit, kemi ngritur një sistem pagash në nivele dinjitoze, të cilat u lejojnë gjyqtarëve dhe prokurorëve ushtrimin me përkushtim dhe devotshmëri të kësaj detyre të rëndësishme në interes dhe shërbim të qytetarëve.

Tashmë, është koha e duhur që investimet që kemi kryer për sistemin gjyqësor, të përkthehen në përfitime për qytetarët t cilve ju duhet të trokasin në dyert e gjykatave dhe prokurorive. Ne duhet të garantojmë që qytetarët të marrin drejtësinë në kohën më të shpejtë të mundshme nga një gjyqësor i pavarur dhe i paanshëm.

Një nga instrumentet që ne kemi në dorë për të rritur shpejtësinë që qytetarët marrin zgjidhje të çështjes së tyre, është pikërisht harta e re gjyqësore.

Në këtë kuadër, me qëllim optimizimin  dhe rritjen e produktivitetit të gjykatave parasqesim sot këtë propozim të përbashkët për rishikimin e hartës gjyqësore. Rishikimi i hartës gjyqësore nuk është vetëm një detyrim ligjor, por, më së pari, është një proces thelbësisht i diktuar nga realiteti i sistemit gjyqësor në Shqipëri, me synimin e qartë për të garantuar ruajtjen e një balancë të drejtë midis garantimit të funksionimit efektiv të sistemit, si dhe mundësimit të aksesit në drejtësi për të gjithë qytetarët.

Siç edhe e përmendi kryetarja e KLGj, grupi i punës së KLGJ ka kryer një punë të lavdërueshme për analizimin e situatës së sistemit gjyqësor, veçanërisht në drejtim të analizës së ngarkesës së çdo gjykate, si dhe kujdesin që, për aq sa është e mundur, të garantohet edhe afërsia e individit me gjykatën.

Në qasjen dhe rolin që Ministria e Drejtësisë ka në këtë proces, ne jemi kujdesur për të garantuar që propozimi i ardhur nga KLGJ, jo vetëm të balancojë me kujdes përmbushjen e objektivave që përcakton ligji, por që njëkohësisht të propozojmë bashkërisht një hartë gjyqësore që i përgjigjet realitetit shqiptar, duke pasur në konsideratë edhe mendimin e institucioneve të tjera, grupeve të interesit, si dhe duke u kujdesur që riorganizimi gjyqësor të kryhet me faturën më të vogël financiare që do të jetë e mundur.

Nga ana tjetër, një nga çështjet që kemi pasur në kujdes, dhe për të cilën kemi zhvilluar diskutime të zgjeruara me KLGJ ka qenë edhe garantimi i ofrimit të shërbimeve administrative nga gjykatat, sa më pranë qytetarëve.

Dua të theksoj se  MD ka ngulmuar  dhe dakordësuar me KLGJ-në garantimin e shërbimeve administrative për publikun, në godinat ekzistuese të gjykatave të shkallës së parë përmes modelit të one stop shop. Kështu, pavarësisht se selia e gjykatës mund të zhvendoset, KLGJ do të duhet të kujdeset që në godinat ekzistuese të gjykatave, të ruajë një sportel për të gjithë qytetarët ku mund të paraqesin kërkesëpaditë, apo kërkesat e ndryshme, që lidhen me gjykimin e çështjeve, si dhe të marrin shërbime të tjera nga administrata e gjykatës.

Ministria e Drejtësisë, në analizën që ka kryer, përveç analizës së KLGJ, ka shqyrtuar me kujdes edhe kriterin e garantimit të aksesit në drejtësi, ose më saktë, nevojën që gjykata të jetë sa më afër individit. Kjo është edhe një nga kritikat kryesore që ky propozim paraprak i hartës së re gjyqësore ka pasur. Unë dua të garantoj çdo qytetar si dhe palë të interesuar, përfshirë edhe komunitetin e avokatëve, që ky propozim është balancimi më i mirë i të tre objektivave: afërsisë së gjykatës me individin, përdorimit me efektshmëri të burimeve publike si dhe rritjen e cilësisë dhe përshtatshmërisë së shërbimeve të ofruara.

Ndonëse kur flasim për akses në drejtësi elementi i parë që marrim në konsideratë është distanca ndërmjet qytetarit me gjykatën. Ky element duhet analizuar më thellë duke marrë në konsideratë afatin e arsyeshëm për shqyrtimin e çështjes, cilësinë dhe profesionalizmin e gjyqtarëve, efiçencën e gjykatave etj. Sa i takon distancës, ky propozim garanton plotësisht që të përmbushet standardi i  CEPEJ për distancën e qytetarit nga gjykata, veçanërisht të gjykatave të shkallës së parë.

Edhe në nivel apeli, duhet vënë në dukje që tipikisht, lëvizjet demografike në Shqipëri, kanë treguar që popullsia është përqendruar pranë qyteteve të mëdha, veçanërisht në Tiranë dhe kryesisht në ultësirën perëndimore. Pra, mbi 90 përqind e popullsisë në Shqipëri, do të kenë akses në Gjykatën e Apelit në Tiranë për më pak se 2 orë.

Kjo zgjidhje e propozuar, në raport me përfitimet që merren në drejtim të uljes së kostos dhe rritjes së cilësisë së shërbimeve gjyqësorë, është zgjidhja më e balancuar për të pasur një hartë gjyqësore që i përgjigjet nevojave të realitetit shqiptar.

Përmes hartës së re gjyqësore do të realizohet thelbi i së drejtës për akses në gjykatë, për shkak se riorganizmi do të sjellë gradualisht normalizimin e ngarkesës së gjyqtarëve dhe rrjedhimisht reduktimin e kohës për të shqyrtuar çështjet. Seancat nuk do të shtyhen më për periudha shumë të gjata duke ulur ndjeshëm kostot për qytetarët.

Sidoqoftë, dua të theksoj veçanërisht se ky është fillimi i një procesi konsultimi me të gjithë aktorët e interesuar. Jemi këtu sot dhe do të jemi në javët në vijim të gatshëm dhe të hapur për të dëgjuar me vëmendje çdo shqetësim që palët e interesuara kanë për këtë propozim, si dhe për të reflektuar mbi këto shqetësime. Krahas këtij takimi, edhe në takimet e ardhshme,  të gjitha palët e interesuara dhe që impaktohen drejtpërdrejtë nga harta gjyqësore, përfshirë këtu komunitetin e gjyqtarëve, prokurorëve, afvokatëve dhe profesionistëve të tjerë të sistemit të drejtësisë do të ftohen që të bëhen pjesë e këtij diskutimi me bindjen se cdo diskutim na jep mundësi për të përmirësuar cilësisht hartën dhe cdo aspekt që pason miratimin e saj.

Në cilësinë e Ministrit të Drejtësisë, garantoj gatishmërinë time maksimale si dhe përkushtimin e plotë të të gjithë stafit të Ministrisë së Drejtësisë për të vijuar me të gjithë fazat e procesit të finalizimit të hartës së gjyqësore që përmbush standardet tona ligjore si dhe ato ndërkombëtare.Mbetem me besimin se bashkëpunimi i deritanishëm për garantimin e një procesi transparent dhe cilësor, do të rezultojë në miratimin e një harte gjyqësore që përmbush plotësisht pritshmëritë e qytetarëve dhe do të forcojë besimin që reforma në drejtësi, më në fund, do të sjellë drejtësinë e merituar për çdo qytetar shqiptar.

 

Ju faleminderit!