E nderuar zonja kryetare
Të nderuar kolegë deputetë
Në shtator të vitit të shkuar, i hapëm rrugë lidhjes së një marrëveshjeje të re mes Mbretërisë së Spanjës dhe Republikës së Shqipërisë në fushën e ekstradimeve,një shenjë e besimit të fortë, ndërmjet autoriteteve gjyqësore në mes të dy vendeve tona.
Sigurisht Republika e Shqipërisë ka patur bashkëpunim me Mbretërinë e Spanjës në fushën penale, por ky bashkëpunim është bazuar në Konvetën Europiane të Ekstradimeve të vitit 1957.
Projekligji që sjellim sot para jush, eliminon një pengesë ligjore që ekzistonte në bashkëpunimin ndërmjet të dy vendeve tona dhe që ka të bëjë me rezervën ligjore, me të cilën Shqipëria ka ratifikuar Konventën Europiane mbi Ekstradimin për moslejimin e shtetasve shqiptarë drejt Spanjës dhe anasjelltas dhe paskësaj me Mbretërinë e Spanjës, autoritetet tona gjyqësore do të lejojnë ekstradimin reciprok të shtetasve shqiptarë në drejtim të Spanjës dhe anasjelltas.
Qëllim tjetër është forcimi I bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve gjyqësore të dy vendeve tona dhe përmirësimi i procedurave të ekstradimit të shtetasve të dy vendeve tona.
Por, pse jo është edhe një instrument shtesë në marrëdhëniet juridiksionale në fushën penale ndërmjet Shqipërisë dhe Spanjës, e mbi të gjitha një sinjal i qartë për botën e krimit, që çdo shtetas shqiptar I cili kryen një krim në territorin e Spanjës nuk mund të gjejë strehë në Shqipëri, dhe anasjelltas çdo shtetas spanjoll që kryen një vepër në Spanjë dhe që vjen në Shqipëri, nuk mund të gjejë vend as në Shqipëri, përveçse t’i nënshtrohet drejtësisë të secilit vend.
Dua të sjell në vëmendjen tuaj të nderuar kolegë, se në shtetinj spanjoll jetojnë me mijëra qytetarë shqiptarë, ku sigurisht mes tyre ka edhe persona që mund të kenë probleme me ligjin dhe në pesë vitet e fundit Ministria e Drejtësisë ka përpunuar 92 letërporosi hyrëse dhe dalëse si dhe 25 kërkesa për ekstradim nga Spanja dhe 3 kërkesa për ekstradim nga autoritetet shqiptare drejtuar Spanjës.
Për ndonjë skeptik brenda apo jashtë kësaj salle, po sqaroj se marrëveshje nuk parashikon kosto buxhetore shtesë, pasi përcakton procedurat që ndiqen gjatë një kërkese për ekstradim. Kostot eventuale të procedurës së ekstradimit do të përballohen brenda tavaneve buxhetore të miratuara për institucionet respektive të ngarkuara me zbatimin e saj ku secila prej palëve mbulon çdo shpenzim që kryhet në territorin e palës së kërkuar për shkak të një kërkese për ekstradim. Ndërsa, shpenzimet e tranzitit mbulohen nga pala kërkuese.
Nisur nga rëndësia që ka kjo marrëveshje për plotësimin e kuadrit juridik në fushën e bashkëpunimit dypalësh në fushën penale, por edhe të asistimit të qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Spanjë, ju ftoj ta votojmë këtë projektligj në unanimitet. Gjithsesi unë jam I hapur për çdo pyetje apo informacion shtesë që do të kërkojnë kolegët.
Faleminderit
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.