E nderuar znj. Ministre e Drejtësisë së Kosovës znj. Haxhiu,
I nderuar z. Ministër i Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut z. Marichikj,
I nderuar z. Ambasador z. Vos,
I nderuar Professor Hillion,
Të nderuar pjesëmarrës!
Rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë mbart mjaft sfida në disa fusha, ku padyshim ajo e drejtësisë mbetet një nga sfidat kryesore për të gjitha vendet tona me qëllim përmbushjen e detyrimeve drejt integrimit Europian dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
Unë dëshiroj t’iu falenderoj për këtë organizim të këtij takimi rajonal, ku në fakt bashkë edhe me Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën po punojmë për reformën në Drejtësi.
Më lejoni të ndaj këtu ecurinë e kësaj reforme dhe arritjet e Shqipërisë ku përparimi është i dukshëm edhe pse punë të mëdha na presin.
Kemi përfunduar me ndërhyrjet në legjislacion, ku vota unanime e paketës ligjore dhe ndërhyrjeve në Kushtetutë solli vullnetin politik të pozitës dhe opozitës në të njëjtin qëndrim, duke përkrahur ndryshimet ligjore dhe kushtetuese.
Kemi arritur të kemi një proces “Vetting”-u rezultativ edhe pse jo të pritshëm në të tilla nivele të larta të largimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, një proces “Vetting”-u i cili po sjell një transformim të vazhdueshëm të sistemit gjyqësor shqiptar, me synimin e plotë kthimin dhe rritjen e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë dhe sigurimin e pavarësisë së gjyqësorit për një shtet të fortë të së drejtës.
Organet e “Vetting”-ut funksionojnë me kapacitete të plota dhe ky rivlerësim i gjyqtarëve dhe prokurorëve po zbatohet nën monitorimin e rreptë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Aktualisht, janë vettuar 450 gjyqtarë e prokurorë, 60% e të cilëve ose janë larguar ose dorëhequr nga sistemi, një shifër e paprecedentë kjo në lëmin e drejtësisë shqiptare.
Kjo reformë nuk do të ishte esenciale pa ngritjen dhe funksionimin e institucioneve të reja të drejtësisë, të cilat kanë patur dhe do të vijojnë të kenë mbështetjen e Qeverisë Shqiptare dhe Ministrisë së Drejtësisë për të përmbushur objektivat e tyre për një sistem drejtësie të pavarur, profesional dhe me integritet, ku forca e ligjit do të eliminojë njëherë e mirë sistemin e pandëshkueshmërisë dhe të korrupsionit.
Ka përfunduar procesi i krijimit të institucioneve të pavarura të qeverisjes gjyqësore si Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë.
Është ngritur një arkitekturë e re gjithëpërfshirëse institucionale për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, e përbërë nga:
-Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
-Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH)
-Gjykatat kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar,
-Funksionalizimi i plotë i Gjykatës së Lartë dhe i Gjykatës Kushtetuese.
Arritjet kryesore të reformës në Drejtësi këto 5 vitet e fundit, padyshim janë të shumta por miratimi i të gjithë kuadrit ligjor në drejtësi evidentojnë më së miri ndryshimin rrënjësor dhe rindërtimin e sistemit të drejtësisë sipas modelit evropian, bazuar në një sistem vlerësimi të aftësive profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, vlerësim të integritetit dhe pastërtisë së figurës.
Ndryshimet kushtetuese dhe paketa ligjore e reformës në Drejtësi janë një garanci për pavarësinë e gjyqësorit dhe integritetin e magjistratëve, përtej çdo ndikimi për të siguruar llogaridhënie dhe efikasitet në sistemin e drejtësisë.
Tashmë jemi në fazën e dytë, atë të konsolidimit të reformës në Drejtësi, duke synuar një finalizim të plotë të gjithçka nevojitet për të qenë, më ndjeni për jo modestinë, modeli i parë në vendet e rajonit e më gjerë i reformës më të plotë në Drejtësi.
Rrugëtimi ynë do të mbështesë edhe shtimin e mandatit të organeve të “Vetting”-ut, për të përfunduar me sukses dhe kaluar në filtër gjithë trupën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe do të mbështesë organet e reja të drejtësisë.
Ne jemi këtu për të dhënë shembull të arritjeve, por dhe për të mësuar nga gabimet tona me qëllim fitimin e kohës të një procesi të pakthyeshëm, atë të integrimit në Bashkimin Evropian, ku sundimi i ligjit, funksionimi demokratik i institucioneve, reforma në administratën publike dhe reformat ekonomike do të jenë kryefjala e këtij procesi.
Dhe, ne si Ministri Drejtësie, lider në kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”, i cili është kapitulli fondamental që hapet i pari dhe mbyllet i fundit, si dhe institucion kontribues në kapitullin 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, po punojmë për të zbatuar metodologjinë e re të zgjerimit, por edhe duke plotësuar 4 parimet kryesore: kredibilitetin, angazhimin politik, ndjekjen e procesit dinamik dhe duke ndjekur të gjitha hapat dhe udhërrëfyesit e procesit.
Dëshiroj të theksoj këtu se Ministria e Drejtësisë ka përfunduar procesin 1-vjeçar të punës për hartimin e paketës strategjike për fazën e dytë të zbatimit të reformës në drejtësi për vitet 2021-2025, një dokument strategjik që synon jetësimin e vizionit për një “Sistem drejtësie të pavarur, llogaridhënës, të aksesueshëm, transparent dhe efiçent që mbron të drejtat e njeriut dhe i shërben shoqërisë sipas standardeve evropiane”.
Së fundmi por jo nga rëndësia, në këtë tryezë jemi bashkarisht jo vetëm për të dhënë arritjet dhe sfidat tona, por edhe për të ndërtuar e ndarë eksperienca në këtë proces të përbashkët si në reformën në drejtësi, ashtu edhe në bashkëpunimin ndërkombëtar gjyqësor me të gjitha vendet e rajonit dhe më gjerë.
Përfitoj nga rasti të theksoj këtu bisedimet për intensifikim të marrëdhënieve me Maqedoninë e Veriut dhe shkëmbim i përvojave në procesin Screening për Kapitujt 23-24 në procesin e integrimit dhe rishikimin e marrëveshjeve në fushën penale.
Nënshkrimin e marrëveshjes të bashkëpunimit gjyqësor në fushën civile me Kosovën, pasi kanë përfunduar negociatat dhe kanë konkluduar draft marrëveshjen “Për ndihmë të ndërsjelltë juridike në çështjet civile dhe tregtare”.
Me Malin e Zi, do të shihej po ashtu intensifikimi dhe dhënia e mundësive të shkëmbimit të eksperiencave në procesin e prescreening e më shumë vendeve të rajonit, për të ndjekur frymën e instrumentit Open Balkan në fushën e DREJTËSISË si kryesor në kapitullin 23 të procesit të integrimit.
Ju faleminderit!
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.