Fjala e Ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja në konferencën rajonale "Të bashkuar kundër dhunës - Mjaft", që u mbajt sot në Prishtinë! - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 06/12/2023

Fjala e Ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja në konferencën rajonale “Të bashkuar kundër dhunës – Mjaft”, që u mbajt sot në Prishtinë!

Kam kënaqësi të veçantë të jem sot prezent këtu me ju, përgjatë këtyre “16 Ditëve të Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, të mbledhur nën mikëpritjen dhe kujdesin dashamirës të Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës dhe homologes sime të nderuar, Znj. Haxhiu.
Na bashkon sot adresimi i një plage të rajonit tonë dhe më gjerë, sikurse është dhuna me bazë gjinore dhe ajo në familje. Kemi qënë gjatë këtyre ditëve dëshmitarë dhe veçanërisht të prekur nga një akt i papreçedentë dhune fatale ndaj gruas. Urojmë që drita e shpirtit të Liridonës, tashmë i lirë përtej çdo kthetre dhune të kësaj bote, të ndriçojë si fanar kujtese për të gjithë ne, për të mos harruar kurrë se lufta jonë me dhunën ndaj grave, nënave, vajzave, e motrave tona është ende larg për t’u quajtur e përfunduar.
Ndaj sot është në vëmendje dhe vigjilencë të shtuar të Qeverisë Shqiptare, jo vetëm konsolidimi i një kuadri strategjik e ligjor bashkëkohor që është në përputhje me standardet ndërkombëtare e ato evropiane, por mbi të gjitha krijimi i shërbimeve miqësore dhe mikpritëse ndaj çdo rasti dhune.
Sot në nivel qeverisjeje lokale, aktualisht janë në funksionim mekanizma për raportimin e dhunës me bazë gjinore në të 61 bashkitë e vendit. Këto njësi janë baza për të shtyrë përpara trajtimin e barabartë gjinor si parakusht për eliminimin e dhunës në të gjitha sferat e jetës. Aktualisht ofrohen 34 shërbime mbështetëse të specializuara për viktimat, organizuar në 16 qendra të përkohshme në nivel qarku dhe bashkie dhe 2 qendra kombëtare. Të gjitha qendrat ofrojnë strehim, shërbim shëndetësor, ligjor, psiko-social, mbrojtje, ofrim sigurie dhe shërbime anti-trafikim, si dhe edukim dhe kujdes për fëmijët.
Kemi trefishuar asistencën ekonomike për viktimat e dhunës në familje nga janari 2022. Paralelisht, kemi dyfishuar pagesën e ndihmës ekonomike për 15,000 familje me 3 e më shumë fëmijë, si dhe pagesën e ndihmës ekonomike për 5700 familje me kryefamiljare gra të cilat kanë mbi 2 fëmijë.
Nga mjetet tona më të forta në këtë luftë në çdo cep të Shqipërisë është ofrimi i ndihmës juridike falas. Vetëm përgjatë 2023 kanë qënë 690 viktima të dhunës në familje që kanë përfituar ndihmë juridike parësore dhe 74 që kanë përfituar ndihmë juridike dytësore.
Krahas këtyre masave, agjenda e Shqipërisë në luftimin e dhunës me bazë gjinore dhe asaj në familje nuk lë mënjanë një aspekt kyç: ndëshkimin. Qëndrimi ynë është i qartë: 0 tolerancë ndaj dhunuesve të të gjitha formave. Policia, prokuroritë dhe gjykatat mbeten bashkëpunëtori ynë jetik në këtë mision dhe ne mbetemi të dedikuar fuqishëm në forcimin e një drejtësie penale që reagon shpejt dhe në mbështetje të viktimave, bazuar mbi një kuadër ligjor të rishikuar e në përmirësim. Edhe në kuadër të Kodit të ri Penal do të tentojmë ti përshtatemi realiteteve të reja, dhe nevojës për të shënjestruar siç duhet dënimin e pakompromis të dhunës ndaj grave.
Në 10 muaj të këtij viti janë lëshuar 2373 urdhra mbrojtjeje për gratë dhe vajzat, shenjë kjo e ndërgjegjësimit të rritur dhe mostolerimit në rritje të episodeve të dhunës. Një grua që flet, shpëton një tjetër grua dhe një grua që hesht, mbjell heshtje për shumë të tjera.
Paralelisht jemi duke finalizuar bashkërendimin ndërinstitucional për vënien në funksionim të Regjistrit Kombëtar për të Dënuarit për Krime Seksuale, miratuar me ligj në vitin 2022, si një nisëm ligjore e admirueshme e 22.000 qytetarëve. Ky regjistër do të na pajisë me një mekanizëm kombëtar për monitorimin e abuzuesve seksualë, duke dekurajuar në mënyrë të matshme çdo sjellje që kërcënon sigurinë e  grave, vajzave tona.
Shqipëria i është kundërvënë me forcë stereotipeve gjinore duke dhënë këto 10 vitet e fundit shembullin e një qeverisje me rol të shtuar udhëheqës të grave. 13 gra janë aktualisht në poste ministrore nga 17 gjithsej aktualisht, duke e renditur Shqipërinë që prej vitit 2021 mes 10 vendeve të para në botë për përfaqësimin e grave në qeveri. Në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2021, 50 gra morën mandatin nga 140 vende gjithsej, duke përbërë 37.5% të Kuvendit. Kryetarja e Kuvendit dhe një nga dy nënkryetarë janë gra, dhe 50% e Komisioneve të Përhershme Parlamentare drejtohen nga deputete gra.
Koleget gra në politikë përpos rolit të tyre në domenet ku angazhohen mbartin një peshë të madhe: Të flasin e punojnë fort për të gjitha ato vajza e gra që nuk kanë zë, ose zëri i është shuar nga dhuna.
Natyrisht sado kapilar të jetë sistemi ynë për të parandaluar dhunën, ose për t’i ardhur në ndihmë viktimave të dhunës nuk do të shkonim larg pa rolin e pazëvendësueshëm të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë. Ndaj dua të falenderoj të gjithë ato nisma qytetare që me përpjekjet e tyre të vogla e të mëdha vijnë në ndihmë të viktimave të dhunës, dhe u flasin vajzave të reja, nënave se askush nuk duhet të jetojë në mjerimin e dhunës.
Dhuna me bazë gjinore dhe ajo në familje nuk është sjellje kulturore, është thjesht sjellje kriminale, ndaj dhe si e tillë duhet trajtuar. Ndaj është detyrë e jona si prind që brezave të ardhshëm të vajzave t’u ofrojmë siguri në çdo hap.
Faleminderit!