Fjala e Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, në ceremoninë e prezantimit të flotës së re të automjeteve të sistemit penitenciar! - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 24/11/2023

Fjala e Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, në ceremoninë e prezantimit të flotës së re të automjeteve të sistemit penitenciar!

E nderuar znj. Zv/ Kryeministre

Shkëlqesia juaj Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar,

Të nderuar të ftuar,

Të nderuar punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve,

Jam shumë krenar që sot e nisim këtë takim me premtime të mbajtura për një sistem penitenciar dinjitoz.
Në emër të të gjithë punonjësve të sistemit të burgjeve, dua të falenderoj publikisht Qeverinë shqiptare dhe Kryeministrin Edi Rama, për mbështetjen që i kanë dhënë këtij sistemi të rëndësishëm të sigurisë kombëtare në buxhetim dhe logjistikë!

Ndaj, jo rastësisht jemi sot këtu në shesh të rrethuar nga flota e re e automjeteve të Policisë së burgjeve, dëshmi simbolike e investimeve në vitet e fundit në infrastrukturën fizike, dhe të transportit në sistemin penitenciar.

Falë mbështetjes buxhetore në rritje të këtyre 3 viteve të fundit, mbështetjes bujare të partnerëve tanë britanikë, të cilët gjej rastin t’i falenderoj, po rrisim dita ditës standardet e sistemit penitenciar në infrastrukturë, logjistikë lëvizëse dhe teknologji duke përmirësuar ndjeshëm standartet e sigurisë dhe trajtimit dinjitoz të të dënuarve dhe të paraburgosurve.

Vitin e fundit realizuam me sukses një proces tërësor optimizimi të infrastrukturës sonë fizike duke mbyllur 4 burgje. Në masterplanin tonë 2023-2030 kemi vendosur objektiva të qartë për ndërtimin e institucioneve të reja, me kapacitet shumë më të madh se ato ekzistuese, duke reduktuar kështu ndjeshëm kostot dhe duke përmirësuar kushtet e vuajtjes së dënimit për personat e dënuar, ku vëmendje e posaçme do t’i dedikohet institucionit të grave.

Në kuadër të këtyre planeve për riorganizim, do të mbyllim 10 burgje. Disa prej tyre, si burgu i Burrelit dhe i Tepelenës, do të vlerësohen për t’u shndërruar në vende memorie. Mandela thonte se “Nuk e njeh vërtetë një komb, nëse nuk i ke parë burgjet e tij”. Ndaj, është detyra jonë që të përçojmë ndër breza atë pjesëz të errët të historisë së Shqipërisë, që nuk mund të mbetet kurrë në harresë.

E meqë e kishim tek mos lënia në harresë, dëshiroj sot të them se përpos investimeve në infrastrukturë fizike, digjitale dhe transportit, në fakt aseti jonë i vërtetë janë 4524 punonjësit e policisë së burgjeve. Ndaj dhe investimi ynë kryesor është tek kapitali jonë njerëzor në sistemin penitenciar.

Ka qënë vullneti i kësaj Qeverie për të kthyer vëmendjen dhe për t’i bërë më në fund drejtësi punonjësve të policisë së burgjeve, duke barazuar pagat e tyre me ato të Policisë së Shtetit. Madje një tjetër rritje prej 10% pritet të ndodhë me Ligjin e ri të buxhetit të sapo miratuar, ku 79% e buxhetit të sistemit të burgjeve shkon për fondin e pagave. Këto rritje shkojnë në favor të 4524 familjeve që mbahen nga këta punonjës në saj të sakrificës së tyre të përditshme.

Ndaj, gjej rastin këtu, në prani të Zv/Kryeministres të falënderoj secilin prej jush, një e nga një, ata që janë këtu dhe ata që në këto momente janë në krye të detyrës, për dedikimin, dhe ndjenjën e detyrës dhe përkatësisë ndaj institucioneve tona të sigurisë.

Ju jeni një armatë e heshtur dhe e palodhur, por e pazëvendësueshme në misionin që kryeni. Falë dedikimit tuaj dhe diligjencës në punë, nga institucionet e ekzekutimit vijnë vetëm lajme të mira si këto që po ndajmë sot me ju.

Natyrisht mbetet akoma punë përpara për t’a bërë pozicionin e punonjësit të policisë së burgjeve tërheqës për kandidatë të rinj që duan t’i bashkohen ekipeve tona. Bashkërisht me DPB kemi nisur shumë iniciativa që janë ende për t’u finalizuar në rrugën tonë drejt modernizimit të sistemit dhe forcimit të kapaciteteve njerëzore të sistemit penitenciar.

Faleminderit!