Fjala e Ministrit Naço gjatë “Konferencës Gjyqësore Kombëtare” - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 18/04/2014

Fjala e Ministrit Naço gjatë “Konferencës Gjyqësore Kombëtare”

Inkurajimi i gjyqtarëve të ndershëm, të cilët nuk tundohen nga fenomene korruptive, si dhe forcimi i pavarësisë së tyre në marrjen e vendimeve, duke rritur padyshim llogaridhënien dhe integritetin si faktorë kyç të reformës në drejtësi, ishin pjesë e mesazhit që ka përcjellë Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço gjatë fjalës së tij në “Konferencën Gjyqësore Kombëtare”.

Ndërsa ka evidentuar faktin se ekziston një klimë e përgjithshme mosbesimi ndaj sistemit në përgjithësi, por edhe ndaj gjyqësorit në veçanti, Ministri Naço ka sjellë në vëmendjen e gjyqtarëve të pranishëm në konferencë edhe  kritikat e faktorit ndërkombëtar, por edhe ato të publikut të gjerë, të cilët presin më shumë drejtësi.

“Është shumë e rëndësishme që kjo situatë së pari të pranohet si një realitet që duhet ndryshuar, dhe së dyti është po kaq e rëndësishme që të konvergojmë me vullnet dhe përpjekje të përbashkëta në ndryshimin e këtij realiteti”, u shpreh z. Naço

Më poshtë fjala e plotë e Ministrit të drejtësië, z. Nasip Naço gjatë “Konferencës Gjyqësore Kombëtare”.

***

Me kënaqësi pranova ftesën e Kryetarit të Gjykatës së Lartë për të marrë pjesë në këtë mbledhje të Konferencës Gjyqësore Kombëtare, sepse e konsideroj si një mundësi të mirë për të komunikuar drejtpërdrejtë me gjyqtarët, për të dëgjuar njëri tjetrin në adresimin e shqetësimeve të përbashkëta.

 

Njëkohësisht ndihem i nderuar që jam përsëri në një komunitet me të cilin më lidh një pjesë e rëndësishme e karrierës time.

 

Ky fakt ma bën më të lehtë komunikimin me ju dhe gjej rastin që t’u siguroj  angazhimin tim si Ministër i Drejtësisë se do të jem në mbështetje të çdo nisme tuaj, që shkon kah pavarësisë, integritetit dhe efiçencës së sistemit gjyqësor.

 

Në nisje të fjalës time do të doja të ritheksoja se  Ministria e Drejtësisë mbetet e vendosur në realizimin e reformave, të cilat çojnë drejt konsolidimit të shtetit të së drejtës, rritjes së transparencës, përgjegjshmërisë dhe profesionalizmit të aktorëve të pushtetit gjyqësor, si dhe në rritjen e besimit të qytetarëve ndaj këtij sistemi.

 

Në këtë drejtim, përmirësimi i infrastrukturës së sistemit për menaxhimin e çështjeve gjyqësore, si dhe forcimi i kapaciteteve administrative mbetet prioriteti ynë konstant, në përgjigje edhe të rekomandimeve të Progres Raportit të vitit 2013. Ky raport adreson plotësimin e kuadrit ligjor për reformën gjyqësore, duke theksuar se disa masa janë ende të papërfunduara dhe një vlerësim gjithëpërfshirës i reformës pengohet nga  mungesa e treguesve specifikë.

 

Gjithashtu, raporti, ndër të tjera adreson, se: “Institucionet shtetërore që trajtojnë luftën kundër korrupsionit mbeten të brishta ndaj presionit dhe ndikimit politik, ndërsa  lufta kundër korrupsionit në gjyqësor ka bërë progres të kufizuar”

 

Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e tij të fundit për të drejtat e njeriut, midis të tjerave ka evidentuar se qeveria nuk e zbatoi ligjin dhe shpesh zyrtarët përfshihen në praktikat korruptive pa u ndëshkuar; korrupsioni ishte i përhapur në të gjitha degët e qeverisë dhe përdorimi i sloganeve nga ana e qeverisë, që nxisnin tolerancën zero për korrupsionin, shpesh ndrydhte raportimin dhe nxiste manipulimin e të dhënave, që tregonte se korrupsioni nuk ekzistonte.

 

Për këto arsye është e nevojshme rritja e efiçencës së sistemit nga njëra anë, por edhe në rritja e transparencës në veprimtarinë e gjykatës dhe në vendimmarrje nga ana tjetër.

Në këtë kuptim transparenca si një element i rëndësishëm krijon një marrëdhënie besimi të dyanshme ndërmjet gjykatës dhe qytetarëve, si dhe ndikon pozitivisht në ngritjen e besimit të munguar të publikut përkundrejt sistemit.

Të gjithë jemi dëshmimtar të një klime të përgjithshme mosbesimi ndaj sistemit në përgjithësi, si dhe ndaj gjyqësorit në veçanti. Në këtë drejtim nuk kanë munguar as kritikat e faktorit ndërkombëtar, por as edhe ato të publikut të gjerë, të cilët presin më shumë drejtësi dhe efiçencë nga ju.

Është shumë e rëndësishme që kjo situatë së pari të pranohet si një realitet që duhet ndryshuar, dhe së dyti është po kaq e rëndësishme që të konvergojmë me vullnet dhe përpjekje të përbashkëta në ndryshimin e këtij realiteti.

Për këtë qëllim, që në fillim të mandatit tim si Ministër i Drejtësisë kam kërkuar në KLD, por edhe publikisht që reformat në sistemin gjyqësor t’i ndërmarim së bashku. Këto reforma do të duhet të orientohen në drejtim të përmirësimit të efektshmërisë dhe performancës. Për këtë nuk mungojnë indikatorët as të misioneve që na asistojnë dhe as të ekspertëve vendas.

Kam kërkuar dhe do të inkurajoj KLD, si “qeverisjen “ tuaj, që të eci sipas disa prioriteteve që shkojnë kah këtij orientimi.

Kam kërkuar dhe inkurajuar që të përfundojë situata e papranueshme besoj edhe për ju, e kryetarëve të gjykatave që drejtojnë gjykatat pa mandat prej vitesh në kundërshtim me ligjin.

Kam kërkuar dhe inkurajuar që të përmbyllim procesin e emërimeve në Gjykatat administrative përpara çdo emërimi tjetër të ngutur dhe jo në respekt të ligjit.

Prej gjashtë muajsh  kam kërkuar në KLD zbatimin e Dekretit Nr. 7818, datë 16.11.2012, të Presidentit të Republikës “Për caktimin e numrit të gjyqtarëve në Gjykatat e Shkallës së Parë, të Apelit dhe të Gjykatave Administrative, si dhe caktimin e kompetencave tokësorë dhe selisë qendrore të Gjykatave Administrative” për të dalë nga situata absurde dhe jo ligjore, e cila ka shkaktuar deri bllokimin e pagave të gjyqtarëve.

Kam kërkuar dhe propozuar në KLD që të zgjidhej absurdi i mosemërimit prej dy vitesh i magjistratëve që kishin përfunduar shkollën e Magjistraturës në vitin akademik 2011-2012.

Kam kërkuar dhe inkurajuar, që lista e përhershme e renditjes së gjyqtarëve të jetë e disponueshme sikurse kërkon ligji si dhe të shërbejë si një kriter objektiv në promovimin e gjyqtarëve. Po në funksion të kritereve objektive të promovimit, kam kërkuar rishikimin e sistemit të vlerësimit të gjyqtarëve si një element mjaft i rëndësishëm në këtë drejtim.

Për këtë qëllim, Ministria e Drejtësisë ka ndërrmarrë nismën për hartimin e projektligjit “Për Sistemin e Vlerësimit të Gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë”.

 

Ky projektligj synon nxitjen e pjesëmarrjes aktive të gjyqtarit në procesin e vlerësimit të tij duke e bërë partner në këtë mekanizëm. Vlerësimi periodik vjetor i gjyqtarëve bazuar në kritere objektive dhe metodë të standartizuar, do t`u mundësojë gjyqtarëve të promovohen dhe të avancojnë në karrierë vetëm në sajë të meritës profesionale.

 

Edhe sipas rekomandimit të dhënë nga Misioni EURALIUS, për sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve në Shqipëri, vlerësimi duhet të mbetet në dorë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por të bazohet në vetëvlerësim.

Në këtë kuadër inkurajojmë Konferencën Gjyqësore Kombëtare të bëhet partner i rëndësishëm në procesin e hartimit dhe zbatimit të kësaj nisme jetike për sistemin gjyqësor.

 

Ndërkohë, edhe në përgjigje të disa qëndrimeve refraktare dhe përpjekjeve për të politizuar këtë proces, do të doja t’ju siguroja ju dhe gjithë opinionin, se ky kurs reformash nuk synon dhe nuk ka lidhje me asnjë lloj cënimi apo ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit, përveçse me konsolidimin dhe rritjen e performancës së tij.

 

Ju keni pushtetin e madh, por njëkohësisht edhe përgjegjësinë që nëpërmjet Konferencës Gjyqësore të zgjidhni përfaqësuesit tuaj në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

 

Ky pushtet ju ngarkon nga njëra anë me përgjegjësinë e një selektimi të kujdesshëm në procesin e zgjedhjes së anëtarëve të KLD, por edhe me mundësinë për të ballafaquar pritshmëritë tuaja me punën e tyre nga ana tjetër.

 

Me këtë rast ju keni mundësinë jo vetëm të ftoni në llogaridhënie të zgjedhurit prej jush, por edhe të kontribuoni në vendosjen e prioriteteve dhe reformave nëpërmjet rezolutës që do të miratoni, si një detyrim për këtë Këshill.

 

Po kështu, i ndërgjegjshëm për rëndësinë e bashkëpunimit midis aktorëve në fushën e drejtësisë, dëshiroj të theksoj se Ministria e Drejtësisë shikon tek Konferenca Gjyqësore një partner të besueshëm dhe të denjë në implementimin e reformave.

 

Në këtë kuadër do të kërkoja mbështetjen e kësaj Konference në përpunimin e rregullave të etikës në vijim të ndryshimeve në ligjin për Konferencën Gjyqësore për shmangien e konfliktit të interest të anëtarëve të KLD.

 

Besoj se, edhe ju e konsideroni të papranueshëm faktin që të zgjedhurit tuaj në KLD të shrytëzojnë mandatin dhe besimin duke promovuar vetveten. Është gjithashtu e pandershme që të përdoren artifica ligjore për t’iu shmangur frymës së ligjit dhe për të lejuar konfliktin e interesit midis anëtarëve të KLD-së.

 

Në këtë kuadër dëshiroj të theksoj gjithashtu se një frymë e tillë jo vetëm nuk ndihmon në përmirësimin e imazhit dhe perceptimit të publikut, si dhe faktorit ndërkombëtar ndaj sistemit, por në të kundërt zhvlerëson çdo përpjekje pozitive dhe reformuese.

 

Po kështu dëshiroj të nënvizoj se inkurajimi i praktikave pozitive dhe vlerësimi i aftësive profesionale të gjyqtarit duhet  të jetë rruga e vetme që çon në promovimin dhe karrierën e çdo gjyqtari, dhe jo qokat e radhës.

 

Është e rëndësishme për të gjithë sistemin që ne të inkurajojmë gjyqtarët e ndershëm, të cilët nuk tundohen nga fenomene korruptive, të inkurajojmë çdo punë të mirë që bëhet në sistemin e drejtësisë, të forcojmë çdo ditë pavarësinë tuaj në marrjen e vendimeve, duke rritur padyshim llogaridhënien dhe integritetin, si faktorë kyç të reformës në drejtësi.

 

Për të gjithë këtë reformë të rëndësishme në sistemin gjyqësor do të vlerësojmë rekomandimet dhe sugjerimet e partnerëve tanë ndërkombëtarë  dhe aktorëve të   fushës si dhe kemi ftuar zyrtarisht Komisionin e Venecias.

 

Për këtë qëllim Ministria e Drejtësisë i ka kërkuar Komisionit të Venecias eskpertizën për reformimin e hallkave të rëndësishme të sistemit të drejtësisë siç është  Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë etj., për t’i dhënë një frymë dhe dimension të ri promovimit të gjyqtarëve, në bazë të vlerësimit objektiv të punës së tyre dhe aftësive profesionale në ushtrimin e detyrës.

 

Të gjitha këto reforma, sigurisht, kërkojnë mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë, por edhe partnerëve ndërkombëtarë si Komisioni i Venecias, OPDAT, USAID, OSBE, PAMEKA etj., si dhe  Konferencën Gjyqësore, KLD-në, Gjykatën e Lartë dhe vullnetin e gadishmërinë tuaj, jo vetëm për t’i përdorur ato, por dhe për t’i orientuar në drejtim të rritjes së eficencës dhe shërbimit ndaj qytetarëve.

 

Në përfundim ju inkurajoj, si aktor dhe partner të rëndësishëm në proceset reformuese, se Ministria e Drejtësisë është duke ndërmarrë, me qëllim realizimin e synimit të përbashkët për një shtet të së drejtës, që vepron në interes dhe për interes të qytetarëve të tij.