Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani ka marrë sot pjesë në takimin e organizuar nga projekti EURALIUS IV, me temë “E ardhmja e Sistemit të Integruar Informativ për Menaxhimin e Çështjeve (ICMIS)”, në gjykatat shqiptare.
Përmes këtij takimi, projekti EURALIUS IV kishte për qëllimin mbledhjen e të gjitha palëve të interesuara, për të diskutuar lidhur me problematikën e sistemit në përdorim, si dhe hapat që duhet të ndërmerren në planin afatshkurtër dhe afatgjatë, në mënyrë që të arrihet në një sistem tërësisht funksional.
Gjatë fjalës së tij në këtë tryezë diskutimi, Ministri Manjani ka bërë prezente një sërë problematikash që kërkojnë një përgjigje të menjëhershme, zgjidhja e të cilave do të përmirësonte klimën e besimit të publikut ndaj sistemit gjyqësor.
Më poshtë fjala e plotë e Ministrit të Drejtësisë, z. Ylli Manjani:
“Tema që diskutojmë sot është një temë jashtëzakonisht e rëndësishme, që ka të bëjë me dy gjëra themelore.
E para, me garancinë për transparencë në procesin gjyqësor dhe e dyta me shmangien e çdo lloj abuzimi apo spekulimi, që duhet ta them se përgjatë kësaj kohe si Ministër Drejtësie e kam ndeshur si shqetësim publik, për paragjykimin e shortit të gjyqtarëve, pra mënyrës se si ndahen çështjet.
Sigurisht jetojmë në një konteks jo të izoluar sepse duam të anëtarësohemi në Bashkimin Evropian dhe Raport Progresi i fundit i BE-së, më lejoni të citoj, na kritikon rëndë për mungesën e një “track recordi” të çështjeve në sistemin gjyqësor. Natyrshëm që disktumi shkon se si funksionon sistemi elektronik i integruar i menaxhimit të çështjeve.
Kjo çel debatin e radhës, por ajo që mua më shqetëson është kjo gjë:- Cilado qoftë zgjidhja që ne do ta studiojmë gjatë këtij aktiviteti, thirrja ime e parë për të gjithë kryetarët e gjykatave, kancelarët e gjykatave, është që të përdorin sistemin aktual sepse të paktën ICMIS të jep garancinë e shortit të paanshëm. Nuk e siguron “Track Record” për çështjen sa herë të duash informacion, sepse një dosje që regjistrohet në gjykatë me një numër protokolli nuk është më i njëjti numër në një gjykatë tjetër për po të njëjtën çështje dhe kjo krijon një konfuzion.
Kjo është një gjë që nuk mund ta përballojmë dot. Ka çështje dhe është bërë kjo punë si llotari kombëtare, që dihet edhe se kush është gjykatësi i apelit, se kush do ta gjykojë çështjen. Për fat të keq kjo na ka ndodh. Kjo është një histori që nuk mund ta tolerojmë më!
Sigurisht që unë nuk jam këtu për të hedhur poshtë sistemin dhe për të thënë se kush është e mira dhe e keqja. Ne jemi mbledhur për të diskutuar se cfarë do të bëjmë për këtë sistem.
Unë e mirëkuptoj apo jam gati ta mirëkuptoj Gjykatën e Tiranës që ka qenë hezitante për ta aplikuar këtë sistem por nuk arrij të kuptoj se si është e mundur që vihet në diskutim autoriteti i shtetit shqiptar.
Një gjykatë del më vetë, një gjykatë tjetër ka një sistem tjetër dhe asgjë e integruar nuk funksionon. Gjykata e Tiranës nuk është republikë më vete por është pjesë e sistemit gjyqësor të Republikës së Shqipërisë, me gjithë të drejtat që mund të ketë. Ashtu sikurse Gjykata e Gjirokatrës nuk mund të jetë perandori më vete dhe as e ndonjë pashallëku më vete por është pjesë e sistemit gjyqësor të Republikës së Shqipërisë gjithashtu. Dhënia e vendimit gjyqësor është pjesë e pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe kjo është absolute, e paprekshme dhe kush e prek ka prekur republikën. Por shërbimi pulik është i inegruar dhe pjesë e së tërëës dhe pavarësisht ndarjes së pushteteve qëllimi është i përbashkët, t’i shërbejmë publikut.
Sistemi sigurisht duhet ta pranojmë se ka disa probleme. Ai nuk e jep “track record-in”, nuk na jep mundësnë të kemi në çdo çast informacion adekuat mbi çështjen, mbi palët, gjykimin dhe afatet. Aq më tëpër që nuk ka jep mundëinë të prodhojmë të dhëna statistikore kur na duhet, por duhet të presim vjetarin klasik që bën Ministria e Drejtësisë dhe nuk na jep të kuptojmë se kush është trendi i çështjeve, kush është trendi i gjykimit, si janë afatet etj etj.
Sigurisht që ne duhet të hymë në një proces më modern, në një proces më të përshtatshëm dhe kemi biseduar me kolegët e EURALIUS për të ndërtuar një model më të mirë, me qëllim që të ndihmojmë transparencën dhe të rrisim besimin ndaj gjykatës tek publiku. Besimi i gjykatës tek publiku nuk rritet nëse dihet se kush është gjykatësi që do gjykoj çështjen, sado i mirë të jetë ai vendim.
Duhet të biem dakort për një refomë institucionale, pra të dijmë se kush janë zyrtarët përgjegjës për administrimin e këtij sistemi, këtij që është apo atij që do jetë. Personalisht nuk e mbështes idenë e ndarjes apo copëzimit të menaxhimit të këtij sistemi në nivel gjykatash. Duhet të jetë një autoritet superior për dy arsye: e para, duhet që informacioni elektronik që regjistrohet në gjykatë të jetë i lidhur edhe me regjistrat e tjerë, regjistrin e prokurorisë, regjistrin TIM-s, si dhe me regjistrimin e ekzekutimit të vendimeve. Pra të kemi një sistem unik të shtetit shqiptar, që gjërat të lidhen, sepse me këtë sistem merret informcion shumë shpejtë nga të interesuarit por edhe administrohet më mirë.
Ndarja apo copëzimi në administrim nuk është e sugjerueshme në asnjë parim menaxhimi dhe ky është hapi i parë që duhet të zgjidhim, se kush duhet të merret me këtë gjë.
E dyta, do na duhet të bëjmë një analizë të defiçencës së sistemit aktual dhe një fizibilitet se si mund ta menaxhojmë më mirë sistemin e ri dhe të krijojmë një gjë të integruar dhe që të na sigurojë informacion të përshtatshëm, ashtu siç thotë raport progesi. Ka një pikë shumë të rëndësishme në raport ku ne kritikohemi për mungesën e “track record”, të cilin nuk e kemi dhe duhet ta bëjmë. Më pas vijmë natyrshëm tek faza e implementimit dhe ulemi me të gjitha agjencitë donatore, në radhë të parë me EURALIUS-in, që e falenderoj shumë sepse në komponentin që ka për këtë pjesë, ka një analizë të qartë të gjithë fenomenit dhe ky është një dokument shumë i mirë mbi të cilin mund të nisim një proces reformimi.
I jam shumë mirënjohës Delegacionit të BE-së që na mbështet në këtë nismë dhe disa nisma bilaterale në nivel të qeverive të vendeve të ndryshme, që kanë gatishmërinë e nevojshme për të na ndihmuar në këtë proces. Ndihma është dhe duhet të vijë momenti që ta bëjmë efektive. Por që ta bëjmë efektive duhet të ndihmojmë njëri tjetrin sepse kemi shume data-baza të krijuara me informacion dhe nuk po arrijmë t’i lidhim njëra me tjetërn. Psh, kemi Regjistrin e Noterisë dhe deri më sot shumë pak e kemi përdorur, ndërkohë që po tentojmë ta zgjerojmë dhe t’i japim kuptim, që të përdoret edhe nga prokuroria për nevoja hetimi por edhe nga gjykata nëse është e nevojsme. Jemi ende mbrapa me Regjistrin e Përmbarimit por edhe me atë do të krijomë një sektor që do të merret ekzaktësisht me këtë punë dhe pjesa gjyqësore është pjesa që na krijon një “dhimbje koke”, sepse është pjesa më e rëndësishme. Prandaj them se ja vlen ta diskutojmë këtë çështje dhe e përshëndes këtë nismë, e cila ka gjithë mbështjen time sepse është një refomë shumë e rëndësishme për mua si Ministër Drejtësie në kuadër të transparencës gjyqësore.
Kjo është diçka që nuk duhet ta tolerojmë më, as për shkak të problemeve që kemi aktualisht dhe as për shkak të faktit që duhet të mos mendojmë apo të injorojmë të ardhmen tonë të afërt në Bashkimin Evropian. Nuk ka nevojë të shpikim, perëndimi e ka skemën gati dhe ne duhet thjesht ta përshtasim siç duhet.
Unë pres sot nga kjo tryezë që sot të kemi një vizion të qartë se çfarë do të bëjmë me këtë çështje, se çfarë përgjigje do t’ju japim nesër njërëzve, se si do ta zgjidhim shortin dhe si do të ndihmojmë cilindo person të interesuar që të marri informacion të qartë dhe korrekt online, mbi gjyqin e tij dhe mbi sjelljen e gjykatës dhe gjyqtarit në raport me gjyqin.
Kjo është përgjigja që duhet të jemi në gjendje t’i japim opinionit publik dhe përdoruesve të gjykatave”.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.