Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani ka qenë sot i pranishëm gjatë analizës vjetore të punës së institucionit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku ka theksuar ndër të tjera rëndësinë e auditit të performancës, duke evidentuar se çdo objektiv qeverisës është i lidhur me para publike dhe këto para publike kanë nevojë që të auditohen mësë miri duke garantuar qëllimin final, që është projektimi i tyre në shërbime sa më të mira publike.
Më poshtë fjala e plotë e Ministrit të Drejtësisë, z. Ylli Manjani:
“Asnjë qeveri nuk është e imunizuar nga gabimi, apo qoftë dhe nga krimi, kështu që nga kjo pikëpamje nevoja për audit, kontrolle dhe për verifikimin e vazhdueshëm të mënyrës se si përdoren fondet publike çdo qeveri e ka të pashmangshme, madje e ka të domosdoshme. Kështu që nga kjo pikëpamje përgëzimet e mia dhe në emër të Qeverisë Shqiptare ndaj Kontrollit të Lartë të Shtetit për çdo rresht, paragraf, pikë apo presje që ka në rekomandimet e tij.
Padyshim që konstatimet tuaja janë detyrim për ne, kjo është e padiskutueshme. Natyrisht që shkelja e ligjit është e larmishme dhe për ne nuk është e rëndësishme të lidhet detyrimisht me shumat përkatëse, se nga njëherë e kemi ngarkuar opinionin publik me shuma marramëndëse, duket sikur ka ndodhur ndonjë hata edhe pse nuk e përjashtoj edhe ndodhjen e hatasë, por ka disa gjëra që duhet t’i sqarojmë mire.
Në komentin publik, në analizën publike ende për fat të keq nuk kemi hequr dorë nga parimet e drejtësisë popullore, ku tregohet gishti krejt papritur ose në mënyrë të pritur publikisht dhe menjëherë sapo del ne televizion shpallesh fajtor. Kjo është një praktikë komuniste, 24 karatëshe, e cila del nga parimet e diktaturës dhe të drejtësisë popullore dhe këtë gjë sigurisht që nuk mund ta pranojmë sot në një mjedis demokratik, për shkak se jetojmë në një kohë tjetër dhe zakonisht analiza publike e nisur nga këto premisa besoj që e përkeqëson situatën.
Kemi ardhur në një pikë që kemi më shumë persona të arrestuar në sistemin tonë të burgjeve sesa të dënuar dhe kjo nuk është sukses i drejtësisë penale. Ka një zgjidhje të cilën Qeveria Shqiptare dhe jam i sigurt që edhe parlamenti në mënyrë konsensuale shumë shpejt do t’i ofrojë prokurorisë shqiptare, Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe kujtdo denoncuesi tjetër, që të hetoj krimin e organizuar dhe në mënyrë të veçantë korrupsionin e qeverisë. S’ka më diskutim kjo histori, do ta realizojmë në mënyrë konsensuale që nesër askush mos të ketë arsye për të thënë që po e bëjmë politikisht, por do ta bëjmë siç e ka bërë Rumania, Kroacia dhe vende të tjera, që ne kemi mundësinë për t’i marrë këto modele dhe t’i korrektojmë vendimet e tyre nëse ka ndonjë gabim.
Ne jemi të interesuar më shumë sesa çdokush tjetër që kushdo që shkel ligjin të shkojë para drejtësisë. Ky është një instrument që jemi të angazhuar 100 përqind për ta bërë një orë e më parë. Shkelja e ligjit nuk mund të çojë detyrimisht në veprimtari penale.
Vepra penale është njëra gjë, por morali i zyrtarit publik që gjendet në akuzë jo detyrimisht penale, por kapet me shkelje të ligjit, sigurisht që nuk mund të jetë nëpunësi i administratës publike. Jo vetëm për institucionet që unë kam në varësi, por në tërësi i kam sugjeruar Qeverisë që rekomandimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit të jenë të zbatueshme, në kuptimin e masës disiplinore. Çdo shoqëri ka një moral dhe morali i zbatimit të ligjit është i padiskutueshëm!
Drejtësia popullore thoshte se çfarë thotë populli bën partia. Ka rënë ky system, nuk ekziston më. Sot është drejtësia e ligjit dhe në bazë të ligjit mund të hysh në burg, ose mund të mos hysh në burg, por ama edhe kur nuk hyn në burg s’mund të jesh nëpunës publik nëse kapesh me shkelje të ligjit. Ky është morali i vetëm që na vë ne përpara standardit demokratik korrekt.
E fundit që kam është që ne kemi shumë nevojë për audite performance. Auditi i performancës i cili nuk çon detyrimisht në etiketimin shkelës ligji apo abuzues. Çdo objektiv qeverisës, çdo objektiv politik ose politikash është i lidhur me para publike dhe këto para publike kanë nevojë që të auditohen mësë miri, kanë nevojë që ta përmirësojnë qeverisjen në drejtim të realizimit të objektivit ashtu siç duhet dhe që përkthehet pastaj në shërbime sa më të mira publike.
Për këtë ndihma e Kontrollit të Lartë të Shtetit është e pazëvendësueshme. Kështu që nga kjo pikëpamje ju përshëndës, ju urojë punë të mbarë dhe në bashkëpunimin tonë të përvitshëm të jemi sa më efiçientë”, u shpreh z. Manjani
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.