Fjala e Ministrit Manjani gjatë analizës së Gjykatës Administrative të Apelit për vitin 2015 - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 03/05/2016

Fjala e Ministrit Manjani gjatë analizës së Gjykatës Administrative të Apelit për vitin 2015

Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani i pranishëm gjatë analizës së veprimtarisë të Gjykatës Administrative të Apelit për vitin 2015, i ka bërë thirrje të gjithë trupës gjyqësore për t’u distancuar nga pjesa e korruptuar e sistemit gjyqësor, ndërsa ka përshëndetur finalizimin me sukses të një operacioni të nisur prej kohësh për arrestimin në flagrancë të një gjyqtari.

Ndër të tjera, gjatë fjalës së tij Ministri Manjani theksoi se mbetet përkrahës i Gjykatës Administrative dhe nxit vendime të drejta, të shpejta dhe cilësisht korrekte.

Më poshtë fjala e plotë e Ministrit të Drejtësisë, z. Ylli Manjani: 

“Prokuroria shqiptare finalizoi me sukses një operacion të nisur prej kohësh për arrestimin në flagrancë të një gjyqtari. Ishte një reagim proporcional dhe reagime të tilla besoj që do të ketë prapë. Një reagim i cili vjen për shkak të një ngarkese të jashtëzakonshme të opinionit publik me ngjarje dhe episode jo të këndshme. Janë ngjarje dhe episode të cilat kanë të bëjnë me faktin që punonjës të drejtësisë kapen në flagrancë duke futur dorën në xhep të palëve në gjykim. Sot do të shpallej një vendim i blerë dhe unë e përshëndes prokurorinë shqiptare që e ndaloi këtë fenomen, sigurisht duke përshëndetur gjithashtu edhe palët të cilat u bënë pjesë e kësaj veprimtarie hetimore të sukseshme, veprimtari e cila tashmë duhet të transferohet në dyert e gjykatave dhe është radha e kolegëve tuaj, e gjykimit penal që të distancohen në emrin e vet dhe në emrin tuaj nga kjo ngjarje tepër e rëndë. Ashtu siç nxis çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë që të mos harxhojë kohë të bëjë denoncime vend e pavend, por të rrjeshtohet e të denoncojë në zyrën e prokurorit, më së pari, policit gjyqësor në qoftë se e ka për më kollaj, që raste të tilla të jenë sa më të sukseshme që të jetë e mundur, ashtu sicc i takon besoj dhe kolegëve të KLD-së, që një orë e më parë jo ta pezullojë por ta shkarkojmë këtë gjyqtar, minimalisht për akte dhe sjellje që cënojnë rëndë autoritetin tuaj, figurën tuaj. Unë jam i bindur që askush këtu, në këtë sallë, ashtu sikurse shumica e trupës gjyqësore nuk kanë ndërmend të paguajnë kostot publike të elementëve të kësaj natyre. Dhe unë besoj që këtu ndajmë të njëjtën pikëpamje. Është momenti për të treguar që jo të gjithë gjyqtarët janë njësoj.

E fillova këtë prezantim me këtë mënyrë, sepse në fakt është një ngjarje që ka ndodhur, është një ngjarje që ndodh përditë dhe të jeni të bindur që jashtë kësaj salle të gjithë e besojnë se nëse je gjykatës, je i korruptuar. Ne duhet ta ndryshojmë këtë kulturë të menduari, po do të duhet ta ndryshojmë me një reagim proporcional publik dhe jo duke u fshehur pas alibive ligjore. Kjo është një histori e cila mendoj unë që duhet ta nderojë gjykatën në qoftë se distancohet hapur nga fenomene të kësaj natyre. Nuk ka asnjë kuptim që të flasim pafundësisht për nevojën për reforma, e cila është e domosdoshme, pa asnjë më të voglin diskutim, në qoftë se nuk shoqërohet me reagime të tilla proporcionale. Shqiptarët sot më besoni duan reagim, jo më llafe.

Viti 2015 për gjykatën tuaj ishte një vit frenimi, duhet ta pranojmë këtë, jo për fajin tuaj, por ishte një vit frenimi. Kjo ishte gjykata që u krijua për të shërbyer shpejt dhe në fakt nuk arriti të shërbejë shpejt, sepse diku mungon zyra, diku mungon personeli, por ç’është më e rëndësishmja një vendim unifikues i Gjykatës së Lartë shtoi numrin e çështjeve por jo numrin e gjyqtarëve, në kurriz të Gjykatës Administrative, aq sa Gjykata e Apelit u bë praktikisht frenim. Dhe të ankohesh në Gjykatën e Apelit Administrativ, ishte sikur të të kenë mallkuar nuk e di, se në cilin rreth të Dantes. Sigurisht ndërhymë sa mundëm, shtuam trupën gjyqësore dhe mirë bëmë. Jam totalisht koshient që nuk është prapë e mjaftueshme për stokun e çështjeve që vajtën 12 000, të cilat presin të gjykohen. Pra 12 000 çështje dhe vetëm 14 gjykatës tashmë. Kështu që e kuptojmë që jetojmë në një realitet të tillë shifrash, por në fund të historisë palët, qytetarët duan vendimin e gjyqit. Dhe duhet të bëjmë çmos dhe do të vazhdojmë të bëjmë çmos për ta kthyer Gjykatën Administrative aty tek arsyeja për të cilën është krijuar, për të gjykuar shpejt. Dhe të shërbesh shpejt, nuk do të thotë të shërbesh shkel e shko.

Padyshim që pala kryesore në sallat tuaja të gjyqit është qeveria dhe si e tillë qeveria nuk ka ndonjë pozitë të preferuar, apo preferenciale. Unë jam anëtar i qeverisë dhe nuk jam këtu për të kërkuar ndonjë pozitë preferenciale, por jam këtu për të shprehur të gjithë vullnetin e nevojshëm dhe të gjithë vizionin që kemi për vendime të drejta dhe jo detyrimisht në favor të qeverisë. Këtë duhet ta kemi shumë të qartë. Jemi shumë të interesuar për vendime të drejta, sepse vendimi i drejtë është mënyra e vetme për të korrektuar qeverinë. Ka një sentencë të vjetër, sa ç’është e vjetër demokracia në republikat parlamentare, sipas të cilës problemi është qeveria, prandaj është pushteti tjetër, prandaj janë autoritetet e tjera të pavarura nga qeveria, për ta korrektuar qeverinë. Dhe Gjykata Administrative ka rol kryesor në këtë pjesë, ka rol kryesor nëpërmjet vendimeve të drejta. Vendimet e drejta janë ato që na ndihmojnë ne për të qeverisur mirë, që në fund fare ndihmojnë publikun që të marrë qeverisje të drejtë, të ligjshme dhe të barabartë. Por kjo të nderuar miq, nuk do të thotë aspak që ju jeni qeveri tjetër, ose qeveria paralele.

Të korrektosh qeverinë legjitime të këtij vendi është një gjë, por të krijosh qeveri paralele, kjo është një histori tjetër. E them këtë sepse për fat të keq kemi konstatuar, nuk janë raste tipike, por janë raste që ekzistojnë, ku në disa vendime gjyqesh na rezulton se gjykata merr kompetencat e qeverisë, ose të një pushteti tjetër. Më shkruan një kryetar bashkie diku nga jugu, rast të cilin duhet ta verifimkojmë, sesi këshilltari, jo këshilltari i bashkisë por këshilltari i stafit që është staf politik, shkon në gjykatën administrative pasi hiqet nga puna dhe kërkon mbrojtje nga ligji i shërbimit civil dhe e gjen. Është abc-ja që ligji i shërbimit civil merr në mbrojtje ata që kanë statusin e nëpunësit civil, por jo këshilltarët politik të ish kryetarit të bashkisë, apo të ish ministrit. Besoj se kjo është një gjë fare e qartë. Ky është një  juridiksion i ri, kjo është normë e re e krijuar në gjykatë. Është një fakt, ose histori tjetër që e kam thënë më përpara, prapë një drejtues institucioni më shkruan që një punonjës, nëpunës civil ankohet për statusin e tij, për vlerësimin në punë, me shumë të drejtë, ka të drejtë të ankohet, por nuk mund të bëjë gjykata vlerësim të ri. Pra janë disa elementë të kësaj natyre, të cilat na kanë vendosur në një situatë të vështirë. Kështu që, unë mbetem i vendosur që të jem në favorin dhe në krahun e gjykatës administrative, për çfarë kam në dorë si Ministër i Drejtësisë, jam i vendosur që ta coj deri në fund edhe mbështetjen infrastrukturore, por edhe mbështetjen morale edhe mbështetjen institucionale edhe me burime njerëzore, patjetër që po. Por ju lutem shumë, kërkojmë korrektësi.

Ka një fenomen të nderuar miq, dukshëm, që është fenomeni i njëfarë konflikti interesi që ekziston, në rradhët e trupës gjyqësore, i cili në kuptimin e kodeve të procedurave mund të mos jetë i deklarueshëm, apo që të plotësojë kriteret e konfliktit të interesit, por është një fakt që duhet ta themi dhe që duhet ta pranojmë, me qëllim që të marrim masa që të paktën në kuptimin moral të jemi të qartë me veten. Njëri bashkëshort është në një gjykatë, bashkëshorti tjetër në një gjykatë tjetër. Ky është një fenomen që ekziston në trupën gjyqësore. Fëmijët rriten, mbarojnë edhe juridikun, bëjnë ose avokatin ose noterin. Dhe në qoftë se ne duam vërtetë të distancohemi nga koorporatizmi, atëherë ky është reali, që pjesëtarë të së njëjtës familje kanë në dorë fatin e dikuj tjetër, me çelësat në dorë, me cikël të mbyllur. Natyrisht unë e kuptoj që ka hapësira ligji dhe që ligjet procedurale do t’i rregullojmë, duhet t’i fiksojmë se s’bën, sepse nuk ka kuptim që fëmija noter, gruaja gjykatëse, burri gjykatës apeli dhe mbyllet historia me absolutisht çelësa në dorë. Nuk kemi asgjë kundër trajnimit apo formimit apo kundër punës profesionale të secilit. Edhe licensat e noterit, patjetër që kushdo që do t’i meritojë do t’i marri, por ne nuk jemi që kjo të shërbejë për të krijuar kulturën e koorporatës familjare në pushtetin gjyqësor, sepse ky është një fenomen që dëmton shumë dhënien e drejtësisë. Dhe patjetër që tek reforma e re në drejtësi këto gjëra do të gjejnë zgjidhje.

Të nderuar gjygjtarë të Republikës,

Kultura e gjykimit administrativ është një kulturë relativisht e re, është një kulturë që iu ka takuar dhe ju takon juve që në njëfarë mënyre ta formësoni, të krijoni një model të jurisprudencës së gjykimit administrativ në Shqipëri. Fakti që shteti shqiptar vendosi ta krijojë gjykatën si strukturë më vete, si juridiksion më vete, mendoj se është një gjë pozitive dhe duhet të mbetet e tillë. Unë sigurisht nisur edhe nga shifrat që i nderuari  Kryetar i parashtroi, nuk kam detyrimisht ndonjë qëndrim kritik për punën e secilit,  por në tërësi ju, apo kushdo që merret bashkë me ju në këtë çështje, duhet të marri masa që ta ruajmë  idenë e gjykimit administrativ të shpejtë, cilësor dhe të drejtë. Unë e kuptoj shumë mirë kryetaren e Gjykatës së Shkodrës, e cila e ka të ndaluar të sëmuret, për shkak të vështirësive në plotësimin me burime njerëzore, i kuptoj shumë mirë edhe kryetarët e gjykatave administrative të shkallës së parë në tërësi, duhet ta pranojmë që edhe Gjirokastra ka probleme edhe Korça ndonëse jo shumë, por besoj se kemi Tiranën për ta plotësuar me burime njerëzore.

KLD-ia shumë shpejt do të ndërhyjë për të plotësuar të gjitha vendet vakante, sepse ato vende janë për t’i shërbyer publikut, nuk janë për të shërbyer interesave të askujt, tjetër gjë pastaj se si do të jetë në historinë e së ardhmes, në kuptimin që askush nuk mund të ndihet dhe s’ka pse të ndihet i kërcënuar nëse zbaton ligjin dhe rregullat, por ne na duhet që të shërbejmë, dhe që të shërbejmë shpejt, duhet të marrim ne përgjegjësitë që na takojnë, ashtu siçc edhe ju të merrni ato përgjegjësi që ju takojnë si gjygjtarë të Republikës.

Unë  shpresoj që viti 2016 do të ketë një stok më pak çështjesh për gjykim edhe për shkak të shtimit të numrit të gjyqtarëve, edhe për arsyet që ju thoni që lidhen me infrastrukturën por edhe që lidhen me stafin dhe personelin ndihmës. Gjithçka është e mundur nga pikëpamja financiare buxhetore edhe në bashkëpunim me Zyrën e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor, besoj që do t’i zgjidhim. Jemi në fazën e zgjidhjes.

Kështu që unë mbetem përkrahës i Gjykatës Administrative, mbetem një mbështetës i kësaj gjykate  dhe nxis, absolutisht vendime të drejta, të shpejta dhe cilësisht korrekte. Kjo është ajo që me thënë të drejtën e bën gjykatën administrative të shquar nga pjesa tjetër e gjykimit, ose e strukturës tjetër të gjykatës normale, për arsye se dhe në atë fillim kështu ishte në fakt, njerëzit vinin në gjykatë, për 10 ditë merrnin vendimin dhe kishte njëfarë shprese, shpresë e cila ta themi të vërtetën, filloi të venitej në çastin ku vonohej gjygji, dhe kjo  është një gjë që ne nuk duhet ta lejojmë,  për asnjë arsye. Duhet ta rikthejmë atë shpresë që ishte në vullnetin fillestar që të paktën të kemi një gjykatë që të shërbejë dhe në mënyrë të veçantë me komunitetin e biznesit”, u shpreh z. Manjani