Fjala e ministres Gjonaj, në seancën plenare të datës 18.07.2019
Ndryshimet që propozohen sot në kodin penal, si një nismë e një grupi deputetësh, janë një nga masat që kjo shumicë qeverisëse ka ndërmarrë me qëllim luftën e pakompromis kundër kriminalitetit.
Lufta kundër kriminalitetit, si një prioritet i Qeverisë shqiptare, në çdo formë që ajo shfaqet, nuk mund të jetë efektive në rast se instrumentat që janë në dispozicion për ta luftuar atë janë të papërshtatshme.
Për këto arsye, ka lindur edhe nevoja për rishikimin e një sere veprash penale në kodin penal.
Ashpërsimi i politikës penale, nuk është e vetmja mënyrë për të luftuar kriminalitetin por të diktuar shpeshherë në nevojën e mbrojtjes së autoritetit të shtetit, shëndetit të qytetarëve, mbrojtjes së jetës së punonjësve të policisë, këto ndryshime bëhen të nevojshme.
Veçanërisht në ato vepra penale që lidhen me Mbrojtjen nga dhuna e policit, funksionarit publik, të zgjedhurit dhe personelit të shërbimit publik, ruajtja e rendit, qetësisë publike dhe ndalimin e zhurmave, dhe në përdorimi i armëve dhe lëndëve plasëse pa leje të organeve shtetërore është domosdoshmëri.
Shqiptarët kanë qënë dëshmitarë të protestave të dhunshme që opozita organizoi gjatë muajve të fundit,
që, duke goditur policinë si dhe duke përdorur lëndë plasëse dhe Molotov, kanë rrezikuar rëndë jetën dhe shëndetin e punonjësve policisë dhe funksionarëve të tjerë publik përgjegjës për mbrojtjen e godinave të organeve kushtetuese si dhe rendin dhe qetësinë.
Fatkeqësisht, protestat e dhunshme të opozitës, nuk janë thjesht disa veprime kriminale të zakonshme, por tejkalojnë cdo limit të prekjes së autoritetit të shtetit, ashtu sic është cënimi I jetës së punonjësve me unifromë apo zyrtarëve të tjerë në detyrë për mbrojtjen dhe sigurinë e rendit kushtetues.
Këto ndryshime që propozohen në kodin penal, jo vetëm shërbejnë për të mbrojtur autoritetin e shtetit, por transmetojmë një mesazh shumë të forte në luftën kundër kriminalitetit, pavarësisht formës që shfaqet, dhe pacënueshmërisë së funksionarëve publik që mbrojnë interesin publik si dhe rendin dhe sigurinë publike.
Nevoja për mbrojtjen e përshtatshme të mjedisit, veçanërisht me rritjen e zhvillimit ekonomik ka treguar se mjedisi nuk mund të mbrohet sic duhet vetëm përmes legjislacionit specifik/administrativ. Prandaj legjislacioni sektorial i fushës së mjedisit plotësohet, më këto ndërhyrje, edhe nga sanksionet përkatëse të parashikuara ne Kodin Penal.
Ndryshime të tjera të rëndësishme, që ne po i ndërmarrim si një detyrim i madh ndaj qytetarëve shqiptar si edhe fëmijëve tanë, lidhen me sigurinë ushqimore. Siguria ushqimore, duke parë edhe rastet që shpesh janë shfaqur në media, është një nga çështjet që meriton një vemendje të veçantë, për shkak të ndikimit të madh që ka në cilësinë e jetës sonë.
Nëpërmjet këtyre ndryshimeve të kodit penal janë kriminalizuar sjellje, që ose deri më tani përbënin vetëm shkelje administrative, ose nuk kishin asnjë parashikim të mirëfilltë ligjor si shkelje lidhur me sigurinë e ushqimit.
Ndryshimet e propozuara në kodin penal, vijnë si zbatim i politikës që maxhoranca qeverisëse ka ndërmarrë për të luftuar kriminalitetin në përgjithësi dhe krimin e organizuar në veçanti.
Këto ndryshime propozohen edhe në vijim të ndryshimeve ligjore që janë miratuar pak kohë më parë për forcimin e masave të sigurisë në sistemin penitenciar, me rregjimin e posaçëm 41 Bis, për të garantuar ndërprerjen e çdo lidhje të strukturave kriminale që vuajnë dënime për krime të renda, me pjesëtarë të tjerë të grupeve kriminale që mund të vijojnë të jenë të lirë.
Lufta ndaj kriminaliteti është gjithëpërfshirëse dhe si pjesë e masave legjislative të ndërmarra do të jetë edhe paketa e 5 projekligjeve të organeve ligjzbatuese për ekzekutimin e vendimeve penale me qëllim që të garantohet më së miri zbatimi i politikave penale.
Jam e vetëdijshme për shqetësime jo vetëm të deputetëve por edhe të profesionisteve dhe praktikantëve të legjislacionit penal, që Kodi penal ka pësuar ndryshime të shpeshta të cilat janë diktuar nga nevoja e momentit.
Por pavarësisht ndryshimeve shumë të nevojshme që propozohen sot, për shkak të një sërë faktorëve, ka ardhur koha e përgatitjes së një Kodi të ri penal.
Një ndër prioritetet e qeverisë është pikërisht paketa antikrim e cila përmban dhe rishikimin në tërësi të Kodit penal, dhe një sërë ligjesh të tjera për ta bërë me efektive luftën ndaj kriminalitetit.
Një kod i ri penal është një domosdoshmëri e kohes per te harmonizuar me mire dispozitat e Kodit penal të ndryshuara në mënyrë të vazhdueshme dhe të përsëritur e cila ka krijuar jo pak probleme ne harmonizimin e tij te brendshem.
Por gjithashtu kjo diktohet edhe nga nevoja per ti pershtatur me mire institutet e Kodit penal me zhvillimet e vet shoqerise dhe kryesorja me dukurite dhe vecoritë e reja, te vet kriminalitetit ne teresi dhe krimit te organizuar ne vecanti.
Kjo iniciativë pa dyshim kërkon një analize te plote te situates aktuale dhe nje metodologji qe nderton nje proces gjitheperfshires dhe sa me profesional me nje asistence nderkombetare me eksperte te njohur ne kete fushe jo vetëm si dosmosdoshmëri e ndryshimeve por edhe si një kërkesë e përshtatjes me direktivat e bashkimit Evropian.
Por, sigurisht, sado që ta forcosh politikën penale apo edhe të garantosh kushtet e sigurisë në vendet e ekzekutimit të vendimeve penale, ajo nuk do të prodhojë asnjëherë rezultatet e nevojshme në rast se sistemi i prokurorisë dhe ai gjyqësor nuk e zbatojnë atë në mënyrë efektive.
Për këtë qëllim, roli që luan çdo prokuror, në ndjekjen penale, veçanërisht të veprave penale që cënojnë rëndë rendin publik, apo edhe punonjësit e policisë së shtetit, duke ulur në këtë mënyrë, perceptimin e përgjithshëm për mirëfunksionimin e shtetit, është shumë i rëndësishëm.
Vetëm nëpërmjet profesionalizmit të të prokurorëve, për të ndjekur penalisht të gjitha veprat penale, veçanërisht ato që cënojnë institucionet kushtetuese, pavarësisht se kush është organizatori apo nxitësi i këtyre veprave penale,
Shqipëria do të jetë në gjendje të ketë rezultate të jashtëzakonshme në luftë kundër kriminalitetit.
Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi, me këto ndryshime në kodin penal i ka dhënë gjyqtarëve dhe prokurorëve armët e duhura për të luftuar kriminalitetin, në të gjithë format e saj.
Tashmë i takon atyre t’i përdorin këto instrumenta dhe të ndikojnë në uljen e ndjeshme të kriminalitetit në Shqipëri.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.