I nderuar z. Daci dhe z Boga,
I nderuar Ambasador i Delegacionit të Bashkimit Evropian z. Soreca,
E nderuar Shkëlqesia juaj Ambasadore e Hollandës znj. Korthals Altes,
Të nderuar të ftuar dhe pjesëmarrës
Është kënaqësi për mua, në rolin e dyfishtë si Ministre e Drejtësisë dhe Koordinatore Kombëtare kundër Korrupsionit, që Java e Integritetit 2020, pavarësisht kushteve të vështira e atipike, organizohet për të dytën herë sivjet. Kjo maratonë aktivitetesh po shndërrohet në një traditë për të bërë së bashku të gjithë aktorët e sistemit, që luftojnë çdo ditë për praktika më të mira në drejtësi, në administratë, në biznes, në shoqërinë civile, në botën akademike dhe në organizatat ndërkombëtare.
Java e integritetit na mbledh për të vlerësuar arritjet e vitit që po lëmë pas, si dhe na krijon një hapësirë për të menduar për sfidat e reja që na presin; për të reflektuar e parë në mënyrë kritike fenomene të dëmshme, për t’u frymëzuar nga modele sjelljeje me vlerë, për të shkëmbyer mendime e gjeneruar ide inovatore, për të parë probleme të përbashkëta nga këndvështrime të ndryshme e për të bashkëpunuar fort për t’i zgjidhur ato bashkë. Kjo iniciativë dhe ky bashkëpunim, tregon se ne si komunitet besojmë në një shoqëri të ngritur mbi themele integriteti, dhe se jemi të gatshëm të punojmë për të përcjellë këtë vlerë në çdo fushë, çdo sektor, dhe tek çdo individ.
Une besoj se vetëm nëse vendosim integritetin si vlerën bazë të punës tonë, do të mund të ndërtojmë hap pas hapi modelin e shoqërisë, ku duam të jetojmë. Kjo frymë ka udhëhequr reformat madhore të ndërmarra vitet e fundit. Konkretisht, reforma në drejtësi ka vendosur integritetin në themelet e funksionimit të shtetit të së drejtës, ku përmes instrumentit të rivlerësimit kalimtar, përcaktimit të kritereve të integritetit për emërimet në pozicionet më të larta në gjyqësor dhe prokurori, si dhe ngritjen e një sistemi të organeve të reja të luftës kundër korrupsionit po i jepet fund një epoke të kulturës së pandëshkueshmërisë e po hapet një epokë tjetër për funksionimin e gjyqësorit në vend.
Në këtë linjë, kryeministri z. Rama dhe Qeveria Shqiptare, gjithashtu ka zgjedhur të përçojë qeverisjen reflektive ndaj nevojave të qytetarëve, qeverisjen gjithëpërfshirëse, qeverisjen transparente. Në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit kemi ndërrmarë iniciativa të shumta, ku dhe mekanizmat sistemike të premtuar një vit më parë tashmë janë në fazë zbatimi dhe me shumë vendosmëri e përgjegjësi po çohen deri në fund, ndër të cilat vlen të përmenden:
E këtu dua të ndalem pak: tek kultura institucionale. Asnjë nga ligjet e miratuara, asnjë nga sistemet e ngritura apo mekanizmat e ndërtuara nuk do të kishte vlerë, nëse ata që e përçojnë nuk ndajnë të njëjtat vlera. Integriteti është sistem vlerash, i cili duhet të bëhet pjesë e pandashme e kulturës tonë institucionale. Integriteti na vesh me dinjitetin që duhet t’ia kthejmë administratës publike, sepse është e vetmja vlerë që do i kthejë besimin qytetarëve dhe bizneseve në funksionimin e institucioneve.
Besimi i qytetarëve mund të cenohet lehtësisht nga një akt i parregullt i cilitdo zyrtar publik, qoftë ky i nivelit të ulët apo të lartë, duke njollosur kështu të gjithë administratën dhe duke impaktuar imazhin e çdo zyrtari që punon me ndershmëri e devotshmëri. Këto sjellje cenojnë rëndë të mirën publike, marrin çdo herë nga pak nga të gjithë ne. Megjithatë, nëse e ndryshojmë perspektivën, nëse e shohim me këtë lente rezultatin fundor të një sjelljeje korruptive, do të mund ta vlerësojmë më shumë integritetin, do ta aspirojmë më shumë dhe më shumë do ta kemi.
Më lejoni dhe njëherë të falenderoj të gjithë partnerët që kanë qënë në zanafillë të kësaj nisme, ICC, Delegacionin e Bashkimit Evropian, si dhe Ambasadën e Mbretërisë së Hollandës si dhe të gjithë partnerët që i janë bashkuar kësaj iniciative në këtë edicion të dytë, për të promovuar kulturën e integritetit. Së bashku, do të mundemi të çmitizojmë pak nga pak sharmin akoma ekzistues rreth praktikave korruptive, dhe të afrohemi drejt një modeli menaxhimi dhe qeverisjeje bazuar në integritet në të gjithë sektorët e jetës. Këto forume edhe në ditë të vështira si këto, na sjellin në vemendje dhe na veshin me përgjegjësinë se e ardhmja e bazuar mbi integritet krijohet sot dhe të gjithë jemi përgjegjës për ta bërë këtë të ardhme më të mirë, në përmbushje të aspiratave të qytetarëve shqiptarë për një Shqipëri në transparente, më të drejtë, dhe bazuar në standardet evropiane.
Faleminderit!
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.