I nderuar z. kryetar i Kuvendit,
Të nderuar deputetë,
Jemi përditë dëshmitarë të fenomenit, gjithnjë e më të shpeshtë, të abuzimit të ligjit nga ata që duhet të jenë garantët e drejtësisë në vend, gjyqtarë dhe prokurorë.
Jemi dëshmitarë të vendimeve të paligjshme për lirimin nga burgu të të dënuarve me burgim të përjetshëm, me rrezikshmëri të lartë.
Jo një herë, por disa e disa herë, sipas një skeme të mirëpërgatitur.
Dhe disa gjyqtarë që kanë kurajon të shkelin hapur ligjin në ditën me diell, janë ende aty, ndërsa qeveria, qytetarët janë spektatorë të kësaj shfaqjeje të shëmtuar, me kosto tepër të lartë për rendin dhe sigurinë e për jetën e qytetarëve.
Jemi dëshmitarë të nëpërkëmbjes e të drejtave të investitorëve të huaj, për shkak të vendimmarrjes së gjyqtarëve në ikje e sipër, që mendojnë vetëm të zhvatën sa të munden deri në momentin kur t’u vijë radha e vetting-ut.
E të kota janë thirrjet e shqetësimet e shoqatave të tregtisë, të ambasadave dhe kambanat e alarmit të Transparency International.
Abuzuesit e ligjit nuk do të ndalen sepse nuk kanë më asgjë ç’të humbin.
E ndërkohë ne, vendi, shqiptarët kanë ç’humbasin pasi ky vend nuk mund të rrijë peng i atyre që shkelin ligjin me çekiçin e drejtësisë ne dorë.
Jemi të ndërgjegjshëm se, paralelisht me reformimin rrënjësor e të paprecedentë, që procesi i vetting-ut ka sjellë në sistemin e drejtësisë, me pastrimin në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend, ka sjelle si efekt anësor edhe një përkeqësim të ndjeshëm sa i përket shkeljeve të ligjit në vendimmarrjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë të sigurt se do të largohen prej tij.
Ministria e Drejtësisë nuk ka reshtur së përcjelluri ankesa dhe kërkesa për fillim të hetimit disiplinor duke i denoncuar institucionalisht dhe publikisht ata gjyqtarë dhe prokurorë që janë në shkelje të ligjit, si më herët pranë inspektoriatit të KLD-së edhe institucionet aktuale të drejtësisë.
Por procedimi disiplinor është një proces që kërkon me të drejtë kohën e tij edhe për shkak të garancive të parashikuara për subjektin nën hetim e, ndërkohë, mungon një instrument ligjor që, në rast shkeljesh flagrante të pezullojë gjyqtarin nga ushtrimi i funksioneve të tij.
Me ndryshimet e propozuara në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ne, sot i përgjigjemi një nevoje të jashtëzakonshme të qytetarëve shqiptarë për t’i garantuar atyre një proces të drejtë.
Nisma ligjore e paraqitur për diskutim e miratim sot në Kuvend synon, pikërisht, të bëjë të mundur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të gjyqtarëve dhe prokurorëve, për të cilët ka filluar procedimi disiplinor për shkelje të ligjit, që cenojnë rëndë figurën e magjistratit.
Me këto ndryshime, Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë do të ketë një mekanizëm efektiv dhe do të ketë mundësinë e marrjes së masave të menjëhershme për ngrirjen e veprimtarisë së zyrtarëve që shkelin ligjin. Do të jetë Inspektori i cili, në rast filmi të procedimit disiplinor ndaj një magjistrati, gjyqtari apo prokurori i cili ka vepruar në shkelje të rëndë të detyrave dhe funksioneve të tij, do të vlerësojë nëse janë kushtet për marrjen e masës së pezullimit të magjistratit.
Për këtë, derisa të merret një vendim përfundimtar lidhur me masën disiplinore ndaj këtij magjistrati, do të jetë Inspektori i Lartë që, nëse janë kushtet do të propozoje masën e përkohshme të pezullimit, e cila, ashtu sikurse edhe normat kushtetuese dhe ligjore e parashikojnë, do të jetë vendimmarrje e të dy këshillave.
Gjithashtu, për të garantuar që ILD ka informacion të plotë për kryerjen e hetimit disiplinor i është garantuar e drejta dhe i është dhënë një mekanizëm i ri që të marrë informacionin e nevojshëm nga të gjitha institucionet përgjegjëse që mund të disponojnë informacione me interes për pasurinë dhe figurën e magjistratit, në funksion të vlerësimit të përgjegjësisë së tij disiplinore. Në këtë mënyrë ne garantojmë që ILD që të ketë mundësinë çdo informacion të nevojshëm për hetimin e përgjegjësisë disiplinore të magjistratëve dhe dërgojmë një mesazh të qartë për çdo magjistrat që vetëm një sjellje dhe karrierë dinjitoze do t’ju mbajë në sistem. Çdo veprim që cenon besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, do të zbulohet menjëherë dhe të gjithë ata magjistratë që guxojnë të cenojnë këtë besim, shumë shpejt do ta gjejnë veten e tyre jashtë sistemit të drejtësisë.
Kjo lloj procedure do të garantojë që qytetarët shqiptar të mos përballen më me raste haptazi abuzive dhe në shkelje të ligjit dhe të shohin që organet shtetërore përgjegjëse nuk kanë në duart e tyre asnjë instrument për t’iu përgjigjur atyre. Nëpërmjet procedurës së përshpjetuar, ne garantojmë që shkeljet haptazi të rënda, të marrin përgjigjen e merituar, duke vendosur pezullimin e magjistratëve, dhe më pas, me përfundimin e procedimit disiplinor, edhe shkarkimin e tyre, në rast se rrethanat e faktit diktojnë një vendim të tillë.
Nga ana tjetër, është paraqitur për diskutim e miratim sot në seancë edhe nisma ligjore për përfshirjen e një mekanizmi zhbllokues në procesin e betimit me qëllim për të mos penguar në të ardhmen, punën e trupës gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, apo dhe të gjyqtarëve dhe prokurorëve të lartë duke siguruar që ceremonia e betimit të kryhet brenda një afati kohor të qartë dhe të arsyeshëm, pa cenuar fillimin e ushtrimit të detyrës nga ana e gjyqtarëve dhe prokurorëve të çdo lloj niveli.
Organizimi i ceremonisë së betimit është një detyrim për institucionet e përcaktuara në Kushtetutë dhe në ligj duhet të jetë një ngjarje e shënuar në karrierën e magjistratëve, por megjithatë, nuk mund të keqpërdoret nga organet që e organizojnë këtë ceremoni për të penguar ushtrimin e funksionit prej magjistratëve ligjërisht të zgjedhur ose emëruar për ta ushtruar atë funksion.
Në këtë projektligj paraqiten si zgjidhje zhbllokuese mundësinë e paraqitjes së betimit në formë të shkruar tek Presidenti i Republikës, Kuvendi apo Këshillat e qeverisjes të sistemit të drejtësisë, propozim ky tërësisht në përputhje edhe me opinionin e Komisionit të Venecias të datës 22 Qershor 2006, i cili ka trajtuar një rast të ngjashëm me Gjykatën Kushtetuese të Ukrainës, ku thekson shprehimisht se “procedura e betimit nuk duhet të çojë në dhunimin e të drejtës së Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese për të ushtruar detyrën e tij”.
Duke mbështetur plotësisht këto nisma, Ministria e Drejtësisë, si autoriteti përgjegjës për krijimin e kushteve për zbatimin e reformës në drejtësi, në bashkëpunim të ngushtë me misionet e asistencës e Delegacionin e Komisionit Evropian, por dhe Ambasadës së Shteteve të bashkuara po punon mbi një analizë të detajuar për zbatimin e reformës, identifikimin dhe adresimin e problematikave që kanë ardhur në zbatim.
Të nderuar deputetë,
Vetëm duke marrë masa të përshtatshme ndaj fenomeneve të shkeljes së ligjit, do të mund të bëjmë të mundur kthimin e besimit të publikut të drejtësia, në këtë fazë kaq delikate dhe deçizive të zbatimit të reformës në drejtësi.
Ndaj do t’ju ftoja të gjithëve të votoni të dy projektligjet që kanë ardhur për ndryshimet në reformën në drejtësi.
Faleminderit!
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.