Fjala e plotë
Mirëmbrëma të gjithëve,
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Lartë gjyqësor
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë
Të nderuar pedagogë dhe student të shkollës së Magjistraturës
Ta gëzoni godinën e re!
Këto mjedise me mbështetjen e Qeverisë shqiptare për institucionet e reja të drejtësisë, shpresoj të jenë një mundësi më shumë, një arsye më shumë, në përmbushje të misionit tuaj, atë çfarë shqiptarët, vëndi dhe të gjithë ne, presim nga ju.
Ne e bëmë detyrën tonë. Kjo ndërtesë e bukur dhe tejet funksionale e pagëzuar me emrin kuptimplotë “Poli i drejtësisë” është në shërbimin tuaj.
Tashmë është rradha juaj, nëpërmjet funksionimit efektiv për të ushtruar detyrën tuaj kushtetuese dhe ligjore me përgjegjshmëri, në garantimin e një sistemi drejtësie të pavarur, të paanshëm dhe efikas për qytetarët shqiptarë. Urime të gjithëve !
E nderuar znj Moses – One, e nderuar znj Calavera,
Përsëri jemi bashkë në një ditë të shënuar si kjo e sotshmja. Ashtu siç kemi qënë gjatë gjithë këtyre viteve me ju! Faleminderit juve, SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian për mbështetjen që na keni dhënë që në nisje të reformës në drejtësi, sot në jetësimin e saj dhe në vazhdim për formëzimin e të gjithë arkitekturës së sistemit të ri të drejtësisë.
Mbështetja, asistenca dhe kontributi juaj ka qënë faktor kyç për miratimin dhe zbatimin e reformës dhe e tillë do të mbetet në vazhdimin e jetësimit dhe funksionimit me efikasitet të këtyrë institucioneve.
Më lejoni të shpreh mirënjohjen time dhe të qeverisë shqiptare si dhe të çdo qytetari shqiptar për SHBA, Bashkimi Evropian, misionet tuaja të asistencës si dhe të gjitha vendeve të tjera mike dhe partnere që vazhdojnë të na mbështesin në këtë proces.
Të nderuar miq,
3 vjet nuk janë shumë për historinë e një vendi në përpjekjet shtetformuese, për hartimin dhe zbatimin e reformës në drejtësi, për vetë përmasat e kësaj reforme që synon të shëmbë një sistem të kalbur, dhe mbi të, të ndërtojë jo thjesht një pallat qoftë edhe me arkitekturë të bukur sa kjo ndërtesë në të cilën jemi sot. Por mbi të gjitha të ndërtojë një pushtet të ri drejtësie, me një sërë institucionesh të reja që synojnë të garantojnë drejtësi të re, të barabartë, për t’i dhënë fund njëherë e mirë pandëshkueshmërisë dhe për të rifituar besimin e qytetarëve tek drejtësia.
Lufta për ideimin, hartimin dhe miratimin e kësaj reforme ka qënë e vështirë, por beteje pas beteje, ja dolëm.
Ja dolëm për t’ju dhënë shqiptarëve një shprese të re, për të pasur drejtësinë që ata meritojnë, një drejtësi të drejtë dhe të barabartë për të gjithë.
Ja dolëm për t’i dhënë Shqipërisë me këtë reformë një mundësi më shumë për të qënë nesër me meritë, me dinjitet, plotësisht të barabartë në fushën e zbatimit të ligjit si anëtare e ardhshme e familjes evropiane.
Vizioni, përgjegjshmëria dhe vendosmëria e atyre që e ideuan dhe e hartuan ditë pas dite këtë reformë ishte garancia që ne të kishim një reformë të përmasave të tilla historike. Dhe ashtu sic është vlerësuar botërisht me shumë të drejtë nga partnerët tanë amerikanë dhe evropiane, një reformë historike që i kapërcen kufijtë e vendit tonë.
Si pjesë aktive e ekipit të ekspertëve të Sekretariatit Teknik, pranë Komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi, jam dëshmitare për punën e jashtëzakonshme të kryer, të shumë debateve të zjarrta për formësimin e projektit kushtetues dhe akteve ligjore që e shoqëruan atë.
Mirënjohje për të gjithë ata ekspertë vendas dhe ndërkombëtare që e ideuan, projektuan dhe e formësuan këtë projekt që përbën themelin e reformimit dhe ngritjes së drejtësisë së re.
Të nderuar miq,
Sot jam këtu para jush jo si ish eksperte e grupit të hartimit të reformës, por në cilësinë e Ministres së Drejtësisë. Para jush ndihem mirë që qeveria ku bëj pjesë dhe personalisht Kryeministri i vendit, Z.Rama, i kanë dhënë dje dhe vazhdojnë t’i japin ende mbështetje aktive të pakushtëzuar, procesit të reformimit të drejtësisë shqiptare.
Pak ditë më parë, Këshilli i legjislacionit dhe Komisioni i ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, ndërmorën të fundit detyrim në reflektim të vendimit të gjykatës Kushtetuese duke i dhënë KLGJ-së dhe KLP-së të gjitha instrumentat ligjor për të ushtruar funksionin e tyre, me një kuadër ligjor tashmë të kompletuar.
Në mënyrë të vazhdueshme mbështetja buxhetore për reformën në drejtësi ka qënë në mënyrë konstante e padiskutueshme në programet tona buxhetore. Kryeministri i vendit, qeveria shqiptare ka alokuar një buxhet tej mundësive të saj, por e bindur që është gjëja e duhur në funksion të jetësimit të reformës në drejtësi, të vetdijshëm se kjo ka një vlerë të shumëfishtë sot dhe nesër për fatet e vendit; një investim jo vetëm për të sotshmen, por për të nesërmen e fëmijëve tanë.
Sot sistemi i drejtësisë ka një mbështetje financiare të pakrahasueshme me pak vite më parë në financa dhe në burime njerëzore duke mundësuar dhe dyfishimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe anëtarëve të institucioneve të reja.
Institucionet e reja të drejtësisë janë shtuar nga pikëpamja e numrit të burimeve njerëzore duke ju akorduar një buxhet shumë motivues dhe qeveria ka qënë dhe është e gatshme për t’i dhënë mbështetjen për çdo burim financiar dhe njerëzor të nevojshëm për të gjitha institucioneve e tjera që do të ngrihen në vijim.
Infrastruktura bashkëkohore për organet e vettingut dhe kjo godinë sot, është pjesë e gjithë atij investimi që qeveria ka dhënë për zbatimin e reformës në drejtësi.
Ndjehem e vlerësuar që ndodhem në funksionin e ministres së Drejtësisë, në këtë moment tepër të rëndësishëm dhe historik për fatin e vendit, për shpresat dhe për të ardhmen e tij.
Ju siguroj se si anëtarë e qeverisë në cilësinë e ministres së Drejtësisë por njëkohësisht dhe si koordinatore kombëtare antikorrupsion, e konsideroj prioritet bashkëpunimin me ju, në kufijtë e parashikuara nga kushtetuta dhe ligji.
Pres me padurim që luftës kundër korrupsionit t’i bashkohen edhe institucionet e reja, të SPAK-ut dhe BKH-së, si institucionet kyç, që shpresoj fort, do të shënojnë kthesën e duhur në betejën kundër pandëshkueshmërisë ndaj fenomenit të korrupsionit ndër vite.
Është koha për të bërë ndryshimin e kërkuar në hapjen e faqes së re për shtetin e së drejtës. Shqiptarët shpresojnë dhe besojnë që reforma në drejtësi do t’ju japi garanci për të patur drejtësinë që ata meritojnë të kenë, qeverisje më të mirë në të gjitha nivelet, dhe kryesorja një kontribut më shumë në endrrën e tyre për të qënë pjesë e familjes evropiane.
Në mbyllje më lejoni tju uroj suksese të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj që do të betohen sot në këtë ditë të shënuar, dhe do të marrin zyrtarisht detyrën e gjyqtarit dhe prokurorit për të shërbyer me devotshmëri si gjyqtarët dhe prokurorët më të rinj të sistemit.
Uroj që të ushtroni veprimtarinë tuaj me përgjegjshmëri dhe transparencë që ashtu sic thoshte Sokrati: Të dëgjoni me kujdes, të përgjigjeni me zgjuarsi, të peshoni me maturi, dhe të vendosni me paanësi.
Shqiptarët shpresojnë te reforma në drejtësi, të rinjtë ëndërrojnë që ajo t’ju japi atyre mundësinë dhe garancinë për të ndërtuar të ardhmen e tyre në këtë vend.
Ne të gjithë kemi përgjegjësinë dhe detyrimin ta kthejmë shpresën në besim dhe ëndrrën në realitet.
Ne mundemi, duhet dhe do ta bëjmë këtë gjë!
Ju faleminderit!
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.