Fjala e dytë e ministres Gjonaj, në seancën plenare të datës 18.07.2019 - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 18/07/2019

Fjala e dytë e ministres Gjonaj, në seancën plenare të datës 18.07.2019

“Miratimi i dy ligjeve të reja sot në Kuvend ka një rëndësi kyçe, pasi Reforma në Drejtësi, çdo ditë e më shumë, po merr formën e saj të plotë. Nëse do të duhet të thërrasim veç një moment kujtesës, pallati i drejtësisë disa vite më parë dukej si një organizim korporatist, me gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar si dhe me lidhje të papërshtatshme me botën e krimit.

Që edhe pse të gjithë e shihnim se si po i merrte frymën qytetarëve, ishin të paktë ata që besuan vërtet, se projekti i kësaj mazhorance qeverisëse për të reformuar sistemin e drejtësisë, do të kapërcente vështirësi të jashtëzakonshme politike dhe jo vetëm, për të mbërritur këtu ku është sot, duke punuar pa ndërprerje për atë që synon të jetë nesër… dhe që do të jetë!

Ndërsa sot pothuajse 3 vjet nga miratimi i ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi, në sallën e këtij Kuvendi, për fat apo për ironi të fatit gati pas dy vjetësh miratojmë këto ndryshime në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Do të duhej shumë më herët që këto ligje të miratoheshin me qëllim që funksionimi i sistemit të drejtësisë të ishte më i shpejt por padyshim edhe për të kaluar në mënyrë të natyrshme periudhën tranzitore të zëvendësimit të sistemit të vjetër me atë të ri.

Dhe sot me miratimin e këtyre ndryshimeve mund të themi plotësisht që politika nuk mundet më ta pengojë zbatimin e refromës në drejtësi.

Dy projektligjet që po shqyrtohen sot nga Kuvendi që ndryshojnë disa dispozita të ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë dhe ligjit për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, si dy nga shtatë ligjet më të rëndësishme të reformës në drejtësi, vendosin edhe njëherë, mekanizma të përshtatshëm për garantimin e llogaridhënies së gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, shmangien e çdo perceptimi të publikut për paanësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe rregullojnë edhe njëherë mënyrën e funksionimit dhe vendimarrjes së Këshillave, me qëllim që të jenë sa më eficent në garantimin e një sistemi drejtësie të pavarur dhe njëkohësisht llogaridhënës.

Projektligjet kanë si qëllim që të plotësojnë vakumin e madh që u krijua nga gjykata kushtetuese, veçanërisht në çështjet e përgjegjësisë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Si pasojë e këtij vendimi të gjykatës kushtetuese, i cili veçanërisht për shfuqizimin që i bëri dispozitave që lidheshin me përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si Ministër i Drejtësisë kam hasur jo pak herë me vështirësinë e propozimit të një mase disiplinore për gjyqtarët që kishin abuzuar me detyrën.

Gjykata Kushtetuese, me shfuqizimin në bllok të këtyre dispozitave, i krijoi një pengesë të madhe zbatimit të reformës në drejtësi dhe rriti perceptimin e pandëshkueshmërisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve në sytë e publikut.

Megjithatë, rolin kryesor në krijimin e idesë së pandëshkueshmërisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve, gjatë periudhës tranzitore, e luajti refuzimi kategorik i opozitës për miratimin e këtyre ndryshimeve, të hartuara bashkarisht nga ekspertët e shumicës dhe pakicës parlamentare, vetëm se në luftën e tyre kundër reformës në drejtësi dhe përpjekjes për ruajtjen e kontrollit mbi një sistem të kalbur, mosmiratimi i ndryshimeve të këtyre ligjeve ishte një instrument që tentonte te ndikonte në perceptimin e publikut mbi mosfunksionimin e reformës në drejtësi.

Dhe po t’i shohësh edhe sot, në ditët e tyre më të vështira, vazhdojnë të krijojnë ngrehina, të turbullojnë qarqe ndërkombëtare, për të dhënë idenë e mos funksionimit të reformës në drejtësi. Opozita bëri ç’ishte e mundur duke mbajtur peng një sërë procesesh për ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, për institucionet e vettingut, për pengimin e plotësimit të vakancave të gjykatës kushtetuese, ashtu siç mbajti peng edhe këto ndryshime të cilat vinin si një detyrim kushtetues dhe ligjor në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Dhe pikërisht ata që sot bërtasin për mungesën e funksionimit të gjykatës kushtetuese, nuk treguan respekt dhe përgjegjshmëri për zbatimin e vendimit të gjykatës Kushtetuese, ku detyronte Kuvendin që të plotësonte kuadrin ligjor të shfuqizuar.

Ishte pikërisht kjo opozitë e cila që në krye të herës pavarësisht se miratoi ndryshimet kushtetuese në mënyrë unanime në 22 korrik 2016, bojkoti miratimin e ligjeve të tjera, duke sjellë vonesa 6 mujore në hyrjen në fuqi të paketës ligjore për zbatimin e reformës në drejtësi.

Se nuk kishte asnjë arsye pse, Presidenti i zgjedhur nga partia demokratike të mos shpallte asnjëherë vendet vakante për përzgjedhjen e komisionerëve të organeve të vetingut.

Se nuk ka asnjë arsye pse, pavarësisht se ishte hartuar me asistencën ndërkombëtare dhe të komisionit të Venecias, partia demokratike të sulmonte në gjykatën kushtetuese shtyllën e reformës në drejtësi, ligjin e vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Dhe së fundmi, 6 muaj më pas, kur avokati i popullit shpalli vakancat për anëtarë të komisioneve të vetingut dhe ambasada amerikane i bënte thirrje shqiptarëve patriot për të aplikuar për komisionet e vetingut, dhe kur e panë të pamundur që të frenonin këtë proces, partia demokratike zgjodhi që të largohej nga Kuvendi dhe të zhvendosej në bulevard duke i sjellë reformës edhe një vonesë tjetër prej 6 muajsh.

Dhe kur e kuptuan që lufta ballë për ballë ndaj reformës ishte e pamundur, filluan ta sulmonin atë me organet e sistemit që kishin në kontroll.

Prokurori i Përgjithshëm, menjëherë sa u kuptua që procesi ishte i pandalshëm dhe prokuroria e përgjithshme do të duhej të kryente vlerësimin fillestar profesional të prokurorëve, shkriu strukturën përgjegjëse që kryente këtë vlerësim.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe inspektorati i tij, pavarësisht se ligji i vettingut kishte hyrë në fuqi, një vit më pas nuk kishte kryer asnjë veprim për vlerësimin profesional të gjyqtarëve. Dhe sot dalin e kërkojnë llogari pse është vonuar procesi i vettingut dhe ngritjen e organeve të reja: është vonuar pikërisht për shkak të rolit që ka luajtur partia demokratike apo mos ushtrimit të përgjegjësive kushtetuese të Presidentit në pengimin e reformës në drejtësi – e kjo është e qartë për çdo qytetar shqiptar, prandaj dhe u ndëshkuan aq rendë me votë në zgjedhjet e vitit 2017.

Me miratimin e këtyre dy projektligjeve, Partia Socialiste rikonfirmon edhe njëherë vullnetin e patundur për zbatimin e reformës në drejtësi dhe vijimin e rrugës drejt formimit të shtetit ligjor.

Por pavarësisht kësaj ja dolëm, dhe sot shohim të jetësuar një sërë institucionesh të reja, që pavarësisht vështirësive, pengesave dhe përpjekjeve të jashtëzakonshme të maxhorancës qeverisëse në radhë të parë për mbështetjen që i ka dhënë kësaj reforme, për përgjegjësinë e treguar nga gjyqtarët dhe prokurorët në ushtrimin dhe zbatimin e ligjit për ngritjen e KLGJ dhe KLP-së, dhe për mbështetjen e jashtëzakonshme të partnerëve tanë Bashkimit Evropian dhe ShBA.

Këto ditë një sërë procesesh të rëndësishme kanë marrë rrugë, pasi KLP arriti të përfundoj me sukses vlerësimin dhe verifikimin e kandidatëve për SPAK të cilit natyrshëm do ti duhet edhe pak kohë që të ngrihet.

Shumë shpejt do të shohim të plotësuar edhe gjykatën kushtetuese me kandidatët, por do duhet që edhe ata që së fundmi e kanë sulmuar rezultate e reformës në drejtësi, të marrin përgjegjësitë e tyre për vonesat e krijuara apo për periudhën tranzitore në të cilën po kalon ngritja e sistemit të ri të drejtësisë.

Padyshim si një proces kompleks dhe tërësisht i ridizenjuar ka elementë që duhen përmirësuar por është e rëndësishme për të theksuar se treni tashmë është nisur dhe do të ndalet vetëm kur të mbërrij në stacionin final, në plotësimin e të gjitha hallkave të një sistemi të ri.

Shumë shpejt, qytetarët shqiptarë do të jenë në gjendje të perceptojnë, në çdo kontakt që do të marrin drejtësi nga DREJTESIA E RE.

Faleminderit”