Firmoset memorandumi i bashkëpunimit me MSH. Të pranishëm edhe përfaqësues të CTP - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 23/11/2021

Firmoset memorandumi i bashkëpunimit me MSH. Të pranishëm edhe përfaqësues të CTP

Manja: Mbyllet Zaharia, të dënuarit transferohen në datat 27-28 në burgun e Shënkollit

Ministri i Drejtësisë z.Ulsi Manja dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale znj. Ogerta Manastirliu kanë firmosur sot në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë një marrëveshje për trajtimin e personave me masë mjekësore, apo të dënuarve me probleme të shëndetit mendor. Në takim kanë qenë prezent edhe përfaqësues të CTP (Komiteti për Parandalimin e Torturës të Këshillit të Europës). Në fjalën e tij, ministri Manja ka përmendur punën që po bëhet për rehabilitimin e dy burgjeve të dëmtuar nga tërmeti si dhe menaxhimin e problematikave dhe adresimin korrekt dhe të menjëhershëm të rekomandimeve të CTP. “Mund të pohoj se kam urdhëruar transferimin e të dënuarve në datat 27-28 Nëntor, nga burgu i Zaharisë drejt blloqeve 2-3 të burgut të Shënkollit, të rikonstruktuara dhe përshtatura më së miri, si një fazë e ndërmjetme”, është shprehur z.Manja. Po ashtu ai ka nënvizuar se në buxhetin e vitit 2022 janë parashikuar rreth 4.5 milionë euro investime për insfrastrukturën në burgje.

Nga ana e saj znj. Manastirliu shprehu gadishmërinë e institucionit që ajo drejton në ndihmë dhe asistencë për këtë kategori të burgosurish. “Në këtë fazë të planit të veprimin për përmirësimin e kushteve dhe trajtimit të personave me çrregullime të shëndetit mendor që kanë kryer një vepër penale, do të vijojmë të ofrojmë të gjithë ndihmën e nevojshme të asistencës mjekësore, jo vetëm për protokollet mjekësore por edhe ekzaminimet e nevojshme dhe trajtimin e duhur që do të garantojmë në këtë institucion tranzitor”, është shrprehur znj. Manastirliu.

Ndërkohë përpara se të nisnin diskutimet teknike mes stafeve, përfaqësuesit e CTP kanë shprehur konsideratat e tyre për punën e deritanishme si dhe për firmosjen e memorandumit të bashkëpunimit.