EURALIUS 5, vijimësi e bashkëpunimit të suksesshëm për zbatimin e Reformës në Drejtësi - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 13/06/2018

EURALIUS 5, vijimësi e bashkëpunimit të suksesshëm për zbatimin e Reformës në Drejtësi

 

 

EURALIUS 4 filloi në një kohë kur Reforma në Drejtësi, një nga reformat më të mëdha të ndërmarra ndonjëherë nga shteti shqiptar, sapo kishte filluar. Ekipi i EURALIUS-it ishte bashkudhëtar në çdo sfidë dhe çdo përpjekje që është kryer për konceptimin, hartimin dhe më pas miratimin e të gjithë paketës së ligjeve të reformës në drejtësi.

Dhe sfidat që kaluam nuk ishin të pakta: u deshën orë pafund pune, nga ekspertët më të mirë shqiptarë dhe të huaj, në diskutime teknike dhe politike të jashtëzakonshme.

Me qëllim ndërtimin e një sistemi të ri dhe shembjen e një sistemi që i garantonte paprekshmërinë klasës politike shqiptare dhe të ndërtosh një sistem që i garanton mbrojtjen e të drejtave themelore shtetasve shqiptarë nuk ishte e lehtë.

Unë jam krenare që ne nuk zgjodhëm rrugën e shkurtër: nuk vendosem për të kryer disa ndërhyrje kozmetike në sistem, që nuk rregullonin problemet e tij, por i shtynin në kohë: deri në problemin apo krizën e ardhshme të sistemit – përkundrazi: ne zgjodhëm rrugën e vështirë – ndryshime rrënjësore të sistemit me qëllim heqjen e çdo trupi të huaj, qoftë lidhje politike, qoftë lidhje kriminale apo edhe paaftësi dhe korrupsion – asnjë nga këto dukuri nuk mund të rrijë krah për krah me gjyqtarët dhe prokurorët.

Prandaj, ne zgjodhëm ta reformojmë rrënjësisht këtë sistem. Dhe kam kënaqësinë që EURALIUS-i dhe njerëzit pas këtij projekti ishin po aq të përfshirë në këtë proces sa edhe ne ekspertët shqiptarë. Bashkërisht jemi përpjekur për të ndërtuar një sistem drejtësie që është i pavarur, transparent, efiçent dhe, më e rëndësishmja, i përgjegjshëm dhe i aftë për t’u vetë korrigjuar. Por jemi të vetëdijshëm që pa mbështetjen sa politike aq dhe teknike të Ambasadorëve të BE-së, SHBA-së, Gjermanisë, Austrisë, Holandës etj., dizenjimi dhe miratimi i Reformës në Drejtësi do të ishte tepër i vështirë.

Por sot, kemi përfunduar një pjesë të mirë të rrugëtimit.

Tashmë ndodhemi përpara sfidave të reja, e pikërisht për zbatimin e kësaj reforme. Përpjekjet e shkaktuara nga kundërshtarët e reformës do të mbeten vetëm përpjekje të dëshpëruara, dhe vështirësitë e hasura nuk duhet të na frikësojnë.

Procesi i rivlerësimit kalimtar ka prodhuar rezultatet e para – të ndjeshme për vetë sistemin si dhe për qytetarët shqiptarë. Shumë shpejt pritet të përfundojë rivlerësimi i listës prioritare të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ritmi i procesit të vetingut duhet të shpejtohet nga Institucionet e përfshira në këtë proces, kjo për të bërë të mundur ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë sa më shpejt.

Me ngritjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë futet në rrjedhën e duhur mirëadministrimi i drejtësisë dhe i sistemit gjyqësor.

Sigurisht, këto procese nuk mund të përfundohen të vetëm; nuk duam t’i përfundojmë të vetëm.

Prandaj, sot kam kënaqësinë që ndodhem në eventin lançues të projektit EURALIUS 5, i cili, me të njëjtin përkushtim si edhe projekti i mëparshëm, do të asistojnë Ministrinë e Drejtësisë, Kuvendin dhe organet e reja të sistemit të drejtësisë, t’i shërbejnë më mirë qytetarëve shqiptarë – të garantojnë më së fundmi atë çka qytetarët shqiptarë meritojnë – një sistem drejtësie që jep drejtësi dhe jo padrejtësi.

EURALIUS 5 me një konsorcium të ri të disa vendeve të BE-së si Gjermani, Austri, Holandë dhe Itali, do të ketë një sfidë shumë të madhe përpara: të përmbushë dhe tejkalojë pritshmëritë e mëdha të vendosura në sajë të arritjeve të EURALIUS 4.

 

Ministria e Drejtësisë, si dhe institucionet e tjera, do ta kenë gjithmonë derën e hapur për të bashkëpunuar me EURALIUS-in dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë në zbatimin e reformës në drejtësi dhe konsolidimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

 

Sfida jonë e përbashkët është tashmë përpara, e pikërisht ka të bëjë me jetësimin e reformës në drejtësi.

Qeveria shqiptare ka jo vetëm vullnetin politik, por ka treguar angazhimin konkret në mbështetjen ligjore, financiare dhe infrastrukturore që i është dhënë zbatimit të reformës në drejtësi.

 

Jo më pak se para disa ditësh, Kolegji i Posaçëm i Apelimit filloi veprimtarinë e tij në ambientet e reja të rikonstruktura tërësisht, me të gjitha mjetet teknike dhe teknologjike sipas standardeve ndërkombëtare, falë kjo mbështetjes së Qeverisë shqiptare.

 

Sot me lejoni që në emër të Qeverisë dhe Kryeministrit Rama të shpreh garancinë për mbështetjen pa asnjë ekuivok të çdo procesi që nevojitet për zbatimin e reformës në drejtësi, për të kryer të gjitha angazhimet e ndërmarra.

 

Por ashtu si në fazën e parë, jam shpresëplotë se do të kemi të njëjtën mbështetje të partnerëve ndërkombëtare, tashmë, për të vënë në jetë sistemin e ri të drejtësisë, pa asnjë vonesë.

 

Rikthimi i besimit të publikut në sistemin e drejtësisë dhe forcimi i shtetit ligjor do të jetë sfida jonë e përbashkët gjatë viteve të ardhshme.

 

Ministria e Drejtësisë mirëpret çdo bashkëpunim për rritjen e efiçencës, profesionalizmit dhe llogaridhënies së sistemit dhe që i kthen përsëri drejtësinë qytetarëve shqiptarë.

 

Dhe së fundmi, më lejoni të bëj një falënderim për mbështetjen e pakursyer të vendeve të BE-së pjesë të këtij koalicioni të projektit EURALIUS, dhe në mënyrë të veçantë Ambasadoren e BE-së znj. Romana Vlahutin.

 

Fjala e Ministres së Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj gjatë prezantimit të EURALIUS V në Tiranë, projekt i asistencës teknike ligjore i financuar nga BE-ja