Euralius 4, tryezë për konsolidimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 17/12/2014

Euralius 4, tryezë për konsolidimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri

U zhvillua sot në Ministrinë e Drejtësisë tryeza e parë e Komitetit të Aktorëve të udhëhequr nga prezanca e misionit EURALIUS IV, mbi “Konsolidimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri”. Të pranishëm në takimin e rëndësishëm ishin Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Nacco, Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, znj. Romana Vlahutin, Shefi i Misionit Euralius IV, z. Rainer Deville, si dhe ekspertë vendas e të huaj të sistemit të drejtësisë.

Në fjalën e saj të përshëndetjes, Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, znj. Romana Vlahutin, u shpreh se puna që po bëhet me aktorët e interesuar, pjesë e së cilës është edhe tryeza e sotme, përbën një hap të rëndësisshëm në përmirësimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

“Vendimet e sistemit gjyqësor janë ende të ndikuara nga politika dhe korrupsioni. Për këtë arsye, një sistem gjyqësor eficent dhe i përgjegjshëm është tepër i rëndësishëm për investitorët e huaj. Shqipëria ka treguar vendosmëri në reformën e sistemit të drejtësisë, kjo është për tu përgëzuar. Shkalla e përfshirjes së të gjithë aktorëve në reformën e sistemit të drejtësisë është shumë e rëndësishme, por edhe shkalla e përfshirjes së ekspertëve dhe publikut, gjithashtu. Theksoj se është e nevojshme të ketë mbështetje më të madhe ndaj Ministrisë së Drejtësisë në këtë proces të vështirë. Mendoj se është thelbësore të shohim ecurinë e Shqipërisë dhe faktin se ky vend ka institucione demokratike dhe që respektojnë të drejtat e njeriut”.- theksoi ndër të tjera znj. Vlahutin.

Ndërsa Ministri Naço, gjatë fjalës së tij, u ndal veçanërisht në ndryshimet ligjore të hartuara dhe miratuara nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, siç janë ndryshimet në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, por edhe ndryshimet ligjore për emërimet në sistemin gjyqësor me qëllim rregullimin e stafit të administratës gjyqësore.

“Nisja e kësaj reforme është shprehje e pritshmërisë së lartë që ka opinoni publik për transformimin e sistemit. Korrupsioni dhe keqfunksionimi, mungesa e integritetit dhe e profesionalizmit, niveli ulët i pavarësisë, transparencës dhe llogaridhënies së sistemit tashmë janë identifikuar dhe pranohen gjerësisht si fenomene dëmtuese, lufta ndaj të cilave duhet të jetë në fokusin e kësaj reforme. Është për tu vlerësuar mbështetja e misionit Euralius për gjithë hapat legjislativë që ka ndërmarrë Ministria e Drejtësisë deri më sot, si dhe asistenca dhe konsultimi me Komisionin e Venecias, me qëllim finalizimin e një pakete iniciativash ligjvënëse, që do të kenë si objektiv reformimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të sistemit të drejtësisë. Reforma në drejtësi është një nga prioritetet e maxhorancës qeverisëse, që së bashku me mendimet e ekspertëve do të mundësojë hartimin e një strategji të re, në kushtet kur strategjia ekzistuese ka përfunduar. Kuvendi i Republikës së Shqipërisë tashmë ka ngritur një komision bipartizan të posaçëm për reformën në drejtësi, për të siguruar një reformë transparente dhe profesionale në sistemin gjyqësor, por edhe konsolidimin e shtetit të së drejtës. Ministria e Drejtësisë është e vendosur për të vijuar këtë reformë, për të arritur në fund në hartimin e një dokumenti strategjik dhe zbatimin e një reforme të suksesshme, me rezultatet e dëshiruara nga të gjithë ne.”

I pranishëm në panel ishte edhe z. Fatmir Xhafa, kreu i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, i cili vlerësoi praninë e aktorëve të lartë për procesin e reformës në drejtësi.

“E vlerësoj këtë tryezë për të shkëmbyer pikëpamje dhe si një pikë koordinimi me aktorët kombëtare e ndërkombëtarë, gjë që ka munguar deri diku këto vite dhe unë shpresoj që kjo tryezë ta arrijë këtë gjë. Unë e vlerësoj si pozitiv faktin që misioni Euralius do të ketë një zyrë përfaqësimi në Kuvendin e Shqipërisë, për të asistuar drejtpërdrejtë punën e Komisionit për Reformën në Drejtësi dhe shpresoj që edhe opozita të jetë së shpejti pjesë e procesit. Faza e parë e punës së këtij komisioni do të nisë këtë javë, ku barra më e madhe e punës përgatitore do t’i takojë Ministrisë së Drejtësisë. Reforma do të jetë e shtrirë në kohë, por ka disa prioritete. Do të ishte shumë mirë që të identifikoheshin pikat kyçe të reformës, që të ecim me dy shpejtësi, që do të thotë se ka një prioritet mbi prioritetet dhe kjo është lufta kundër korrupsionit. Kjo është një çështje prioritare, sidomos në sistemin gjyqësor, pasi ne na duhet një trupë e shëndoshë që të mund të përballet me korrupsionin në të gjitha hallkat e shtetit. Për këtë arsye, duhet bërë analiza e situatës dhe identifikimi i sektorëve më të prekur, për të dalë me pika konkrete dhe instrumentat e duhura për të ndërhyrë. Ne kemi vullnetin për ta bërë këtë prioritet të punës sonë, prandaj bashkë me ndërkombëtarët duhet të bëjmë efikase shumë shpejt një paketë masash anti-korrupsion. Reforma do të bëhet dhe përgjegjësive në zbatimin e ligjit askush nuk duhet tu largohet. Dua të theksoj, se reforma është shqiptare, në kuptimin që zbatimi i saj është detyra dhe përgjegjësia jonë, sepse bëhet fjalë për drejtësinë e kërkuar nga qytetarët e këtij vendi.”

Në pjesën e dytë, tryeza u fokusua në analizën teknike të eskpertëve ligjore shqiptarë e të huaj që ishin pjesë e tryezës, të cilët sugjeruan edhe mënyrat e përshtatshmërisë së reformës me nevojat imediate të sistemit të drejtësisë.