Drejtoria e Shërbimit Përmbarimor Shtetëror analizon veprimtarinë e punës njëvjeçare - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 15/01/2016

Drejtoria e Shërbimit Përmbarimor Shtetëror analizon veprimtarinë e punës njëvjeçare

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Përmbarimor Shtetëror ka zhvilluar ditën e sotme analizën e veprimtarisë njëvjeçare të punës, ku ka evidentuar arritjet dhe sfidat kryesore.
Gjatë këtij aktiviteti i pranishëm ka qenë Zv/Ministri i Drejtësisë, z. Arben Isaraj i cili ka vlerësuar punën e bërë nga ky shërbim gjatë 15 viteve të ekzistencës së tij, duke e konsideruar shërbimin e ofruar aktualisht si një partner të sigurtë, serioz e të rëndësishëm në fushën e ekzekutimit të detyrueshëm.

Më poshtë fjala e z. Isaraj, gjatë analizës së punës së Drejtorisë së Shërbimit Përmbarimor Shtetëror:

Shërbimi publik i përmbarimit gjyqësor – si qëllimi final i materializimit të drejtësisë së dhënë, në Shqipëri është i organizuar në Shërbimin Përmbarimor Gjyqësor Shtetëror dhe në Shërbimin Përmbarimor Gjyqësor Privat.

Përmbaruesit gjyqësorë, i kryejnë veprimet e tyre procedurale për ekzekutimin e detyrueshëm të titujve ekzekutivë, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Civile, Kodit Civil, akteve të tjera ligjore dhe nënligjore, si dhe për subjektet e tjera private dhe shtetërore, që përfshihen në procesin e ekzekutimit.

Dualizmi në këtë shërbim publik, nënkupton faktin e barazisë funksionale që kanë të dyja shërbimet përmbarimore gjyqësore, duke respektuar të njëjtat rregulla materiale dhe procedurale të fushës.

Ky lloj sistemi, i cili funksionon edhe në shumë vende demokratike të botës, ka avantazhin se:

• i jep lirinë e duhur individit apo subjekteve të interesuara (private, publike apo shtetërore) për të zgjedhur ndërmjet të dyve: shërbimit publik shtetëror dhe/ose atij publik privat;

• i jep sigurinë, shpejtësinë, paanësinë dhe pavarësinë e nevojshme, ekzekutimit të vullnetit civil.

Në këtë kontekst, të dy shërbimet përmbarimore, tanimë janë kthyer në një pjesë integrale, e rëndësishme, e unifikuar dhe aktive në sistemin e së drejtës.

Shërbimi i përmbarimit gjyqësor publik shtetëror, i cili funksionon që prej vitit 2001 (me 5z përmbarues aktivë sot) dhe Shërbimi i përmbarimit gjyqësor publik privat (nga 230 licenca ekzistuese/150 janë aktive sot), i cili funksionon si i tillë që prej vitit 2010.

Dallimin e bën vetëm :

  1. Juridiksioni (shërbimi privat ka juridiksion veprimtarie kombëtar ndërsa shtetërori vendor);
  2. Organizimi strukturor (Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, ndërsa ai shtetëror ka (Drejtoria e Përgjithshme e Përmbarimit + zyrat vendore);
  3. Varësia administrative (shërbimi privat në varësi të Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, ndërsa shërbimi shtetëror në varësi të Ministrisë së Drejtësisë)

Prandaj ju përmbarues  gjyqësorë, kurrë nuk duhet të harroni :

1. Se detyrat duhet t’i kryejnë në përputhje me ligjin, duke i qëndruar besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, do të ruajne sekretin profesional dhe gjatë veprimtarisë se tyre do të udhëhiqem nga parimet e profesionalizmit, paanësisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut”;

2. Se shërbimet/përfitimet duhet të jepen dhe të merren gradualisht dhe në këtë mënyrë ato do të shijohen më mirë nga të gjitha palët. (Makiaveli);

3. Se debitorët, janë thjesht ata që e kuptojnë më mirë, se sa pak ndryshim ka midis pengesës dhe mundësisë në shlyerjen e detyrimeve. Dhe janë në gjendje t’i kthejnë të dyja në avantazhin e tyre;

4. Se përmbaruesi publik shtetëror nuk mund të përfitojë nga pasuria e klientit të tij, përveçse kur ekziston pëlqimi i shprehur i këtij të fundit.

Gjithësesi, në këto 15 vjet të ekzistencës së Shërbimit Përmbarimor Shtetëror, ndihma që ky shërbim ka dhënë në ekzekutimin e detyrueshëm të titujve ekzekutivë, na ka ofruar ritme serioze, profesionale dhe cilësore, duke e kthyer atë sot në partnerin e sigurtë, serioz e të rëndësishëm në fushën e ekzekutimit të detyrueshëm.

Edhe analiza vjetore e sotme, e punës suaj, nëpërmjet shifrave të raportuara, fakton rezultate pozitive sasiore por dhe cilësore.

Nëse do të analizonim trendet tuaja të ngarkesës dhe ekzekutimit të titujve të detyrueshëm vetëm në 3 vitet e fundit, rezultatet janë befasuese.

Përse e them këtë ?

Së pari, nëse cështjet e regjistruara për ekzekutim janë shtuar dyfish, po dyfish është shtuar dhe përqindja e ekzekutimit të tyre.

Së dyti, duhet theksuar ky rezultat ka ardhur nga një trupë përmbaruesish shumë e pakët në numër dhe të pambështetur sic duhet materialisht dhe në infrastrukturë.

Ndaj sot është dita t’ju falenderojmë dhe përkrahim për punën tuaj në shërbim të drejtësisë, qytetarit dhe ekonomisë së vendit.

Por, koha dhe shoqëria ecën përpara me ritme të pabesueshme dhe ne ngecim shpesh në pengesa të paimagjinueshme, objektive dhe subjektive.

Qeverisja shqiptare në këtë fushë është ende e re dhe pa përvojën imune të përballimit të sëmundjeve që bartin interesat e vjetra apo të hershme, të cilat shfaqen kaq hapur, në shumë raste pa pikë humanizmi dhe me “çelësa në dorë”, për të marrë pasuritë e shqiptarëve, të cilët u kthyen dikur në debitorë, me fajin apo pa fajin e tyre.

Por prapë ajo është një qeverisje e zgjedhur për t’i mbrojtur ata…!

Ndaj ju ekzekutorë të drejtësisë dhe jo të padrejtësisë duhet të keni parasysh se:

Kush dëshiron sukses të vazhdueshëm, duhet të ndryshojë sjelljen e tij profesionale dhe ligjore, me kohën bashkë.

Ju nuk duhet dhe nuk mund, të punoni nën moton: “Një veprim një shpërblim”.

Ju jeni Shërbimi Përbarimor Shtetëror dhe motoja juaj e vetme është dhe dhe do të mbetet: “Një veprim një shërbim”.

ANALIZË E VEPRIMTARISË SË SHËRBIMIT PËRMBARIMOR GJYQËSOR SHTETËROR, PËR VITIN 2015.