Drejtësia Restauruese, 310 ekspertë nga 50 vende të botës mblidhen në Tiranë - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 14/06/2018

Drejtësia Restauruese, 310 ekspertë nga 50 vende të botës mblidhen në Tiranë

 

 

Mbahet në Tiranë Konferenca e 10-të ndërkombëtare e Forumit Evropian për Drejtësinë Restauruese, me temë “Zgjerimi i vizionit për Drejtësinë Restauruese – Drejtësia restauruese ndërmjet realiteteve dhe vizioneve në Evropë e më gjerë”, organizuar nga Forumi Evropian për Drejtësinë Restauruese, Ministria e Drejtësisë e Republikës së Shqipërisë dhe Fondacioni “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi i Mosmarrëveshjeve“.

Drejtësia restauruese është një model alternativ i drejtësisë që mbështet procese dhe rezultate riparuese për viktimat e krimit dhe riintegruese për autoret e tij. Modelet e drejtësisë restauruese përdoren si brenda sistemit penal ashtu dhe jashtë tij, në komunitet. Vizioni i drejtësisë restauruese është reformimi i sistemit penal në përputhje me të drejtat e njeriut dhe sistemet demokratike.

Duke marrë fjalën në Konferencë, Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj theksoi: “Drejtësia restauruese është një nga risitë më të rëndësishme që Shqipëria ka futur në legjislacionin e saj. Pjesë e Reformës në Drejtësi që kemi ndërmarrë është dhe miratimi i Kodit të Drejtësisë Penale për të Miturit, i cili hyri në fuqi në 1 janar të vitit 2018. Aktualisht jemi në fazën e zbatimit të tij, duke nxjerrë aktet nënligjore dhe duke ngritur strukturat përkatëse për zbatimin e Kodit”.

Më tej ministrja Gjonaj foli për masat konkrete që janë marrë për trajtimin e të miturve në konflikt me ligjin: “Jemi në fazën e ngritjes së 5 qendrave për trajtimin e të miturve në konflikt me ligjin, në bashkëpunim me bashkitë. Aktualisht kemi nënshkruar një marrëveshje me Bashkinë e Tiranës, e cila parashikon vënien në dispozicion të institucionit të Shërbimit të Provës, të një pjesë të ambienteve në çdo Qendër Sociale nën administrimin e kësaj bashkie, me qëllim zbatimin e programeve për të miturit në konflikt me ligjin. Kjo marrëveshje do të replikohet edhe në bashkitë e tjera”.

Ministrja e Drejtësisë ka garantuar se nga ana e Qeverisë për zbatimin e drejtësisë për të miturit do të ofrohet i gjithë angazhimi i duhur financiar dhe institucional, ndërsa ka shprehur besimin se me përkushtim e angazhim institucional do të arrihet që drejtësia restauruese të jetë pjesë efektive e trajtimit dhe zgjidhjes së konflikteve penale.

Në konferencë kanë marrë pjesë rreth 310 ekspertë të fushës nga 50 vende të ndryshme të botës për të diskutuar tema dhe praktika të reja të drejtësisë restauruese brenda dhe jashtë sistemit penal. Ky aktivitet ndërkombëtar ka si synim eksplorimin e realiteteve dhe vizioneve për drejtësinë restauruese në kontekstin penal dhe social në Evropë përmes tri tematikave kryesore: Ndërthurjet e drejtësisë restauruese me sistemin e drejtësisë penale; Realitete dhe vizione për drejtësinë restauruese për të miturit; dhe projektimi i drejtësisë restauruese si një lëvizje sociale.

Konferenca është përshëndetur dhe znj. Vasilika Hysi, Nënkryetare e Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa kanë marrë pjesë në të përfaqësues nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, OSBE-ja, UNICEF-i dhe Save the Children.

Në Shqipëri kjo konferencë përkon me reformën në drejtësi dhe në veçanti me hyrjen në fuqi të Kodit të Drejtësisë Penale për të Miturit, në 1 janar 2018, kod që i detyron institutet shqiptare ta konsiderojnë drejtësinë restauruese si mundësi të parë në trajtimin e të miturve në kontakt me ligjin.

Forumi Evropian për Drejtësinë Restauruese është një organizatë ndërkombëtare me qendër në Belgjikë, që mbështet dhe promovon zhvillimin e drejtësisë restauruese në mbarë botën. Në konferencat që Forumi organizon çdo dy vjet marrin pjesë ndërmjetës, aktorë të ndryshëm nga sistemi i drejtësisë, studiues, dhe politikanë të interesuar për drejtësinë restauruese.

Aktiviteti është mbështetur nga Programi i Drejtësisë i Komisionit Evropian, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, Save the Children, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, UNICEF-i, Ambasada e SHBA-ve në Tiranë dhe Bashkia, Tiranë.

Në mes të prezantuesve ndërkombëtarë marrin pjesë akademikë dhe praktikues të drejtësisë restauruese nga gjithë bota, si Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraeli, Italia, Belgjika, Austria, etj.