Trajnim të miturve në konflikt me ligjin
Në 1 janar 2018 ka hyrë në fuqi Kodi i Drejtësisë Penale për të Miturit, që i detyron institucionet shqiptare ta konsiderojnë drejtësinë restauruese si mundësi të parë në trajtimin e të miturve në kontakt me ligjin. Me synimin e përfitimit të një ekspertize sa më të gjerë në këtë fushë, Ministria Drejtësisë dhe Forumi Evropian për Drejtësinë Restauruese ka organizuar në Tiranë një konferencë ndërkombëtare me pjesëmarrjen e 310 ekspertëve nga 50 vende të ndryshme të botës.
Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj duke përshëndetur konferencën theksoi: “Drejtësia restauruese është një nga risitë më të rëndësishme që Shqipëria ka futur në legjislacionin e saj.”
Më tej ministrja Gjonaj foli për masat konkrete që janë marrë për trajtimin e të miturve në konflikt me ligjin: “Jemi në fazën e ngritjes së 5 qendrave për trajtimin e të miturve në konflikt me ligjin, në bashkëpunim me bashkitë. Aktualisht kemi nënshkruar një marrëveshje me Bashkinë e Tiranës, e cila parashikon vënien në dispozicion të institucionit të Shërbimit të Provës, të një pjesë të ambienteve në çdo Qendër Sociale nën administrimin e kësaj bashkie, me qëllim zbatimin e programeve për të miturit në konflikt me ligjin. Kjo marrëveshje do të replikohet edhe në bashkitë e tjera”.
© Ministria e Drejtësisë 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.