Dita Kombëtare e Ndërmjetësimit - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 10/07/2017

Dita Kombëtare e Ndërmjetësimit

Në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë më datë 7.07.2017 u mbajt eventi Dita Kombëtare e Ndërmjetësimit. Në fjalën e saj zv. Ministria e Drejtësisë znj. Etilda Gjonaj (Saliu), shprehu se; Misioni i Ministrisë së Drejtësisë, nëpëmjet Ndërmjetësimit është që të sigurojë qytetarëve shqiptarë, një alternativë të re për zgjidhjen e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve të tyre, pa iu drejtuar procesit gjyqësor, me një kosto shumë të ulët dhe për një kohë shumë të shkurtër, me një procedurë transparente, ku janë vetë palët që vendosin në marrjen e këtij vendimi.

Të njëjtin qëndrim me Ministrin e Drejtësisë e ndau edhe kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, i cili tha se gjykatat shqiptare janë të mbingarkuara dhe shtimi i numrit të gjyqtarëve nuk është e vetmja zgjidhje.

Prej vitit 2013, Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve funksionon në Shqipëri në të gjithë vendin dhe ajo trajton një sërë çështjesh, përfshi ato familjare, civile, tregtare dhe penale mes personave që kërkojnë zgjidhje me pajtim.

Më poshtë fjala e znj. Etilda Gjonaj

Të nderuar pjesëmarrës,

Është kënaqësi të marr pjesë në këtë ceremoni në Ditën Kombëtare të Ndërmjetësimit, duke shprehur njëkohësisht edhe vullnetin e Ministrisë së Drejtësisë për të treguar se përmirësimi i institutit juridik të ndërmjetësimit si një institut i ri, është një ndër prioritetet tona.

Dinamika e shpejtë e zhvillimit ekonomik dhe ndryshimeve shoqërore, në Shqipëri, në këto vitet e fundit është e karakterizuar me rritjen e numrit të madh të mosmarrëveshjeve dhe konflikteve të shumta ndër njerëzore.

Sot, Ndërmjetësimi është një prej metodave alternative që njerëzit t’i zgjidhin mosmarrëveshjet me ndihmën e ndërmjetësit neutral, i cili është i trajnuar për të ndihmuar njerëzit për të arritur një zgjidhje të pranueshme.

Misioni i Ministrisë së Drejtësisë, nëpëmjet Ndërmjetësit është që të sigurojë qytetarëve shqiptarë, një alternativë të re për zgjidhjen e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve të tyre, pa iu drejtuar procesit gjyqësor, me një kosto shumë të ulët dhe për një kohë shumë të shkurtër, me një procedurë transparente, ku janë vetë palët që vendosin në marrjen e këtij vendimi.

“Me ndërmjetesim fitojnë të dyja palet”, dhe nisur nga eksperienca e vendeve të tjera, ndërmjetësimi është një procedurë më efikase, më e shpejte dhe më ekonomike.

Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Delegacionin e Bashkimit Europian ka përfunduar Projektin e Binjakëzimit “Mbështetje për Zhvillimin e Zgjidhjeve Alternative të Mosmarrëveshjeve në Shqipëri”, projekt i cili ofroi eksperiencën më të mire Europiane në fushën e Ndërmjetësimit. Këto angazhime dhe bashkëpunime të ndërsjellta synohen të shndërrohen në stimuj të vazhdueshëm për përmirësimin e standardeve të përgjithshme të institutit të ndërmjetësimit.

Gjatë tre viteve të fundit, Ndërmjetësuesit e licensuar nga Ministria e Drejtësisë, të organizuar në Dhomën Kombëtare të Ndërmjetësimit, kanë mundur ti japin zgjidhje rreth 5000 konflikteve, duke lehtësuar dhe ulur ngarkesën e gjykatave.

Në ditën ndërkombëtare të këtij shërbimi, vlerësojmë dhe gjykojmë se Jo për çdo konflikt duhet t’i drejtohemi gjykatës, pasi ka edhe shërbime të tjera alternative që i japin zgjidhje më lehtë problemeve.

Reforma në Drejtësi e miratuar tashmë në vendin tonë, jo vetëm që ridizenjon sistemin e drejtësisë me qëllimin pasjen e një sistemi të pavarur, të paanshëm dhe të efektshëm në funksion të qytetarit, por edhe inkurajon përdorimin e mjeteve alternative jo gjyqësore efikase me qëllim uljen e kostove financiare, kohës së gjykimit si dhe zgjidhjes në mënyrë më të pranueshme të çështjeve. Në këtë kuptim zgjidhja e konflikteve me mjete alternative nëpërmjet ndërmjetësimit si më i përdorshmi është një mjet shumë efikas.

Reforma në sistemin e drejtësisë, ka përfshirë gjithashtu edhe reformimin e profesioneve të lira, ndër to edhe ndërmjetësimin. Projektligji për ndërmjetësimin, si pjesë e paketës së Reformës në Drejtësi, është në proces rishikimi dhe pritet të miratohet në sesionin e ri Parlamentar. Në këtë kontekst, Ministria e Drejtësisë do të tregojë një vëmëndje maksimale në reformimin e kuadrit ligjor ekzistues duke dhënë kontributin e tij real.

Ndërmjetësimi është një shërbim me rëndësi që duhet të promovohet dhe forcuar edhe me shumë për të ardhur në ndihmë qytetarit.

Ky shërbim ka tashmë profesionistë që arrijnë të gjejnë gjuhën e komunizmit ndërmjet palëve në konflikt për të konkluduar me një marrëveshje. Komisioni i Licencimit të Ndërmjetësve, i cili funksionon pranë Ministrisë së Drejtësisë, deri tani ka licensuar 540 ndërmjetësues, nga të cilët 80 rezultojnë me satus aktiv të regjistruar në Regjistrin e Ndërmjetësve dhe të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë me qëllim ofrimin e aksesit të kësaj liste për cdo qytetar.

Vlen të theksohet se marrëdhënien midis Ministrisë së Drejtësisë dhe DhKN e karakterizon një frymë e ngushtë bashkëpunimi. Ky bashkëpunim ka dhënë frytet e veta në përmirësimin më tej të këtij shërbimi.

Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë të fokusojë punën e saj lidhur me këtë shërbim:

· Jo vetëm në përmirësimin e legjislacionit të brendshëm,

· Por edhe në rritjen e performancës së veprimtarisë së këtij shërbimi si një aktor i rëndësishëm në realizimin e dhënies së drejtësisë.

Sot në ditën ndërkombëtarë të këtij shërbimi, më lejoni të shpreh të gjithë vullnetin e institucionit që përfaqësoj për mbështetjen e të gjitha përpjekjeve profesionale dhe të besueshme të ndërmjetësimit, duke shpresuar se të gjithë së bashku do të mund të krijojmë një përvojë të çmuar dhe një praktikë të suksesshme, në drejtim të konsolidimit të këtij procesi në Shqipëri.

Të nderuar pjesëmarrës,

Jam e bindur se rruga e reformave nuk është rruge e lehtë, por ne jemi të vendosur për ti cuar më përpara ato. Reforma në Drejtësi, është dëshmia në këto 4 vjet qeverisjes, e cila pavarësisht pengesave dhe skepticizmit që hasi, arriti të çohej përpara me sukses.

Pavarësisht rrugës së vështirë, kjo rrugë bëhet e bukur kur ke në krah miq të mirë të Shqipërisë, partnerët tanë ndërkombëtar, dhe kur ashtu si sot ke mundësi të tregosh rezultatet reale për qytetarët.

Prandaj dhe unë në përfundim të fjalës time dua të falënderoj përzemërsisht të gjithë partnerët ndërkombëtar, veçanërisht Bashkimin Europian, që kontribuon çdo ditë e më tepër, mbi reformimin e sistemit të Drejtësisë në përgjithësi si dhe në fushën e ndërmjetësimit në vecanti, me qëllimin e mirë që Shqipëria, të bëhet shumë shpejt pjesë e familjes së madhe Evropiane.