Dita e Tokës, Manja në IEVP Kavajë - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 22/04/2022

Dita e Tokës, Manja në IEVP Kavajë

“Të miturit kanë nevojë për përkujdesje, ashtu si dhe Toka”

 

Në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, Ministri i Drejtësisë z.Ulsi Manja ka zgjedhur të jetë në IEVP Kavajë, ku trajtohen të mitur në konflikt me ligjin. Ai është shoqëruar në këtë aktivitet edhe nga Presidenti i Caritas Shqiptar, Imzot Angelo Massafra si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve z.Admir Abrija. Në fjalën e tij, z.Manja u shpreh se “…është detyrë e jona që çdo ditë të kujdesemi për Tokën. Toka nuk na përket ne, por ne i përkasim asaj. Të njëjtën përkujdesje duhet të kemi edhe për fëmijët”. Duke folur për banorët e këtij institucioni, të mitur në konflikt me ligjin, ai është shprehur se jeta ka vështirësi, por e rëndësishme është të dish të ringrihesh. “Ka gjithmonë një moment për të nisur ringritjen dhe kjo bëhet më e lehtë kur jemi të gjithë bashkë e kur kemi përkujdesjen e duhur. Përgjegjësia jonë është riintegrimi i tyre në shoqëri e në familje”, është shprehur Ministri i Drejtësisë. Ai ka falënderuar drejtuesen e IEVP znj. Marinela Alia, e cila sipas tij e ka kthyer këtë institucion jo vetëm si rehabilitues, por edhe për edukim multifunksional për të miturit që janë në konflikt me ligjin. Vetë të miturit kanë organizuar një program argëtues, ndërkohë që në fund janë mbjellë 14 pemë ulli dhe mimozë.