Z. Ministër, sot ka pasur mbledhje të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe mesa dimë nga mbledhja është rrëzuar kërkesa juaj për futjen në rendin e ditës për zgjedhjen e zëvendës/kryetarit. Keni ndonjë koment për këtë?
Në rendin e ditës së mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë ishin disa pika të rëndësishme, ndërsa është pranuar dhe është futur edhe kërkesa e Ministrit të Drejtësisë për pezullimin nga detyra të gjyqtarit të shkallës së parë Kavajë z. Osman Aliu, i cili para disa kohësh po nga Ministri i Drejtësisë është dërguar për procedim disiplinor dhe për shkarkim nga detyra. Këshilli i Lartë i Drejtësisë në ato momente nuk e mori parasysh kërkesën e Ministrit të Drejtësisë dhe nga “shkarkim nga detyra” i dha masë disiplinore “vërejte me paralajmërim”. Duke përfituar nga rasti do doja të theksoja që vetëm sistemin audio ky gjyqtar, përkrah shkeljeve të tjera, nga 287 seanca gjyqësore e kishte aplikuar vetëm në 8 raste, që do të thotë 3.4 % të kohës efektive. Po ky gjyqtar është dërguar për gjykim për shkelje dhe fshehje të pasurisë së tij nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë e bërë me dije nga mediat. Sigurisht që kam bërë verifikimet përkatëse me Prokurorinë e Rrethit gjyqësor Tiranë dhe pas informacionit i kam kërkuar zyrtarisht KLD-së që të fusi në rendin e ditës pezullimin nga detyra të gjyqtarit.
Tashmë e dini që vitin e kaluar janë bërë disa ndryshime në ligjin “Për organizimin dhe fuksionimin e Këshillit të Lartë të Drejëtsisë” dhe një nga pikat kryesore ka qenë edhe futja e një neni të veçantë në rastet kur gjyqtari merret i pandehur pasi ka një non-sens të theksuar si në rastin e këtij gjyqtari, kur vazhdonte dhe gjykonte, ndërsa në anën tjetër paraqitej në prokurori apo shkonte të gjykohej në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Unë besoj që është rasti i parë që Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe pse e ka kontestuar ligjin në atë kohë, është i detyruar që ta zbatonte dhe doja ta falendëroja në këtë rast që po ecin në rrugën e integritetit dhe të zbatimin e ligjit.
Kërkesa e dytë ishte e futur me procedurë të përshpejtuar nga Presidenti i Republikës, në rastin e gjyqtarit të akuzuar dhe dënuar për korrupsion. Dotë doja ta inkurajoja Presidentin të eci në këtë drejtim, në rrugën e integritetit por edhe të efiçencës së Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sot është marrë vendimi tjetër për shkarkimin nga detyra të një gjyqtari të akuzuar dhe dënuar për korrupsion nga Gjykata e Krimeve të Rënda.
Sigurisht që kërkesa ime tjetër e bërë publike drejtuar Presidentit të Republiëks për emërimin e zëvendës/kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, besoj që ka rënë në vesh të shurdhër, pra nuk kemi zbatimin e njëjtë dhe korrekt në frymë dhe në gërmë të ligjit për atë që ju duket e lehtë dhe nuk cënon interesat e tyre dhe e zbatojnë ligjin, ndërsa për atë që cënon interesat e tyre, nuk e fusin në rendin e ditës. Unë përfitoj nga rasti për t’i bërë thirrje prapë Presidentit të Republikës që në çdo rast të zbatojë ligjin, duke propozuar dhe emëruar zëvëndës/kryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, sepse ju e dini tashmë që ky Këshill dhe pse ne duam që të funksionojë normalisht, nuk funksionon normalisht, për shkak të mungesës së zëvendëskryetarit të KLD-së, i cili duhet të bëjë organizimin e të gjithë punës së KLD-së. Mund të them se sot kishte dhe disa emërime të kryetarëve të gjykatave administrative të cilët prej mbi një viti e gjysëm ishin kërkuar nga Ministri i Drejtësisë të hynin në rendin e ditës dhe fatmirësisht u futën. Edhe në këtë rast dua ta përgëzoj Presidentin e Republikës i cili tregon që po futet në rrugën e ligjit dhe i kishte përfshirë sot në rendin e ditës, por konstatova se një pjesë e mirë e këtyre gjyqtarëve të cilët pretendojnë për t`u bërë kryetar gjykate nuk e përmbushnin kriterin e sistemit të vlerësimit siç e parashikon ligji, pra që të jesh kryetar i gjykatës duhet që dy herët e fundit të jesh vlerësuar “shumë mirë”. Sigurisht që në një rast votova pro, një gjyqtare e shkëlqyer e vlerësuar “shumë mirë” në rastin tjetër votova kundër dhe e shpjegova dhe votën kundër, për shkak se gjyqtari që u emërua kryetar nuk ishte vlerësuar dy herët e fundit “shumë mirë”. Pra, unë përfitoj nga rasti për t’i bërë prapë thirrje KLD-së që në rastet e promovimit dhe emërimit të këtyre kryetarëve të gjykatave, në rastet me procedurë të përshpejtuar, të zbatojë ligjin.
E kam theksuar disa herë dhe e ritheksoj përsëri që përgjegjësitë për sistemin gjyqësor nuk i ka qeveria, por i ka KLD-ja, pra gjyqësori sot ka fytyrën e Këshillit ët Lartë të Drejtësisë dhe të gjitha përgjegjësitë për mosfunksionimin e këtij sistemi i takojnë këtij Këshilli dhe prandaj përfitoj nga rasti për t’iu bërë edhe njëherë thirrje të gjithë anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë që në çdo kohë të tregojnë integritet dhe efiçencë.
Unë jam i vendosur që të vazhdoj në rrugën që kam nisur. Kam një mbështetje maksimale nga maxhoranca dhe do vazhdoj që t’i kërkoj këtij Këshilli që në çdo rast të zbatojë ligjin, të tregojë integritet dhe t`iu thotë të gjithë shqiptarëve që ne po ecim në rrugën e duhur, që vendimet të jenë të drejta por të jenë edhe të besueshme për opinion publik. Ju tashmë e dini që deri dje kishte vetëm slogane për korrupsionin në drejtësi, por sot kemi dy gjyqtarë të dënuar për korrupsion dhe do vazhdojnë edhe rastet e tjera pas bashkëpunimit me Inspektoratin e Deklarimit të Pasurisë, drejtorinë e Pastrimit të Parave në Ministrinë e Financave, Prokurorinë e Përgjithshme dhe sigurisht me Ministrinë e Brendshme dhe të gjitha institucionet e tjera, për t’i thënë çdo gjyqtari që të mos e fusi dorën në xhepin e qytetarit, por të përdori çekiçin për dhënien e drejtësisë.
Z. Naço, dy gjyqtarët që janë dënuar për korrupsion, a janë shembuj konkretë të luftës kundër korrupsionit në gjyqësor?
Në këto vite është folur vetëm me sllogane dhe nuk kemi pasur ndonjëherë gjyqtarë të vënë në bankën e të akuzuarve. E rëndësishme është që kjo mazhorancë ka treguar vullnet të hekurt dhe kemi dy rastet e para. Po të pyesnit mua nuk do doja të kishte asnjë rast dhe këto dy rast mos të kishin ndodhur, por tashmë jam po kaq i vendosur bashkë me institucionet e tjera ligjzbatuese, për të vënë përpara përgjegjësisë të gjithë ata që shkelin ligjin qoftë në shifra të vogla por edhe në ato që ju mendoni se janë shifra marramendëse. Ne mendojmë që në çdo rast korrupsioni duhet të dënohet si për vlerat e vogla por edhe për ato vlera që ju mendoni se janë marramendëse. Mjafton të shikosh deklaratat e pasurive të këtyre gjyqtarëve dhe e kuptoni vetë se as formularët nuk dinë t`i plotesojnë, as numra llogarishë nuk dinë se sa kanë dhe përditë Inspektorati i Deklarimit të Pasurisë po i bën prezente, ndërsa Ministria e Drejtësisë në përputhje të plotë me ligjin do t’i nisi për procedim para KLD-së.
Gjykata Kushtetuese ndërkohë që ju kërkoni nga Presidenti miratimin e kërkesës për zgjedhjen e zëvendës/kryetarit të KLD-së, Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin dhe në bazë të këtij vendimi për këtë çështje, ish-nënkryetari i KLD-së z. Çefa kërkon të kthehet në detyrë. Keni ndonjë koment për këto pyetje?
Unë besoj që Presidenti i Republikës siç e zbaton ligjin në disa raste duhet ta zbatojë dhe për nënkryetarin e KLD-së. Për pjesën tjetër që Gjykata Kushtetuese e ka quajtur të papajtueshëm, sigurisht është për t`u parë nga ana jonë dhe për t`u bërë ndryshimet përkatëse, por për sa kohë që është marrë si model rasti i shkarkimit të gjyqtarit në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese, sigurisht është përdorur i njëjti model, e njëjta formë dhe në rastin e shkarkimit të anëtarëve të KLD-së. Unë jam i bindur se mazhoranca si në çdo rast do ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, do bëjë përmirësimet përkatëse të këtyre ndryshimeve, por nuk besoj që ju e patë z. Cefa sot që kishte ardhur në detyrë. Rasti në fjalë lidhet me disa kontestime ndaj ligjit të bërë, i cili është gjetur i papajtueshëm me Kushtetutën, duke kërkuar modifikimin dhe rregullimin vetëm të nenin 4 të këtij, që ka të bëjë me rastet e shkarkimit të anëtarëve të KLD-së, qoftë ata të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare ashtu edhe për ata të zgjedhur nga Parlamenti .
Z. Naço ju deklaruat se keni bashkëpunuar edhe me Inspektoratin e Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, por një prej anëtarëve të KLD-së në fakt u kallëzua nga ky inspektoriat, por ndërkohë është pezulluar hetimi ndaj tij.
Unë do doja që ligji të zbatohej njësoj për të gjithë si për atë rastin e gjyqtarit që ka një vlerë minimale dhe për atë që ju e thatë me miliona euro. Sigurisht kam bërë përpjekjet e mia dhe do të vazhdoj të bëj përpjekjet e mia, brenda kufizimeve ligjore që unë kam si Ministër i Drejtësisë të bëj prezent dhe të kërkoj nga institucionet e tjera ta zbatojnë ligjin. Jemi të gjithë këtu jemi përballë opinonit publik, shteti është ngritur i gjithi në këmbë dhe asnjeri s`ka për t’i shpëtuar drejtësisë, qoftë me procedura. Përfitoj nga rasti për t’ju thënë juve dhe opinionit publik që të denoncojnë në çdo rast fshehjen e pasurisë së zyrtarëve por veçanërisht të të gjithë gjyqtarëve.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.