Deklarata e Ministrit Naço, “Politikë e re dënimi, në luftën kundër kriminalitetit”. - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 27/12/2013

Deklarata e Ministrit Naço, “Politikë e re dënimi, në luftën kundër kriminalitetit”.

Qeveria shqiptare do t’i përgjigjet kriminalitetit, në mënyrë të veçantë kriminalitetit tek moshat e reja, me një politikë të re dënimi, duke nisur nga Janari i vitit 2014.

 

Ministri i Drejtësisë Z. Nasip Naço në një deklaratë për mediat, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, bëri të ditur se kjo politikë  e re do të synojë në një ashpërsim për veprat penale që parashikojnë dënime të rënda dhe dënime të tjera alternative të parashikuara në Kodin Penal.

 

Deklarata e Ministrit të Drejtësisë Z. Nasip Naço pas mbledhjes së qeverisë:

 

“Tendenca në rritje e kriminalitetit në vend gjatë kohëve të fundit, veçanërisht në grupmoshat rinore është fakt i njohur. Kësaj tendence në rritje të kriminalitetit në vend, qeveria shqiptare është e vendosur t’i përgjigjet me një politikë të re dënimi, të tillë që nga janari 2014 në sistemin e drejtësisë shqiptare të ketë një klimë të re në raport më dënimin dhe llojin e tij.

 

Ne do t’i drejtohemi shumë shpejt dhe Prokurorisë së Përgjithshme në bazë të ligjit për prokurorinë për të ndërtuar një politikë e të re dënimi. Që do të thotë se do të kërkojmë një ashpërsim për veprën penale që parashikojnë dënime të rënda dhe sigurisht që do të kërkojmë dënime të tjera alternative të parashikuara në Kodin Penal.

 

Ne do t’i kërkojmë prokurorisë aplikimin e Nenit 58 “Gjysmëliria”, Nenit 59 “Pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënia në provë”, Nenit 59/a “Qëndrimi në shtëpi”, Nenit 60 “Detyrimet e të dënuarit të vënë në provë”, Nenit 60/a “Detyrimi për të hequr dorë nga përdorimi i alkoolit ose drogës”, Nenit 61 “Detyrimet e të dënuarit gjatë kohës së provës”, Nenit 62 “Shkelja e kushteve dhe e detyrimeve gjatë kohës së provës”, Nenit 63 “Pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe detyrimi për kryerjen e një pune në interes publik”, Nenit 64 “Lirimi me kusht”, Nenit 65 dhe Nenit 65/a “Periudha e sigurisë”.

 

Nën këtë frymë kanë ecur edhe ndryshimet e Kodit Penal në vitin 2008, 2010, 2012 dhe në vitin 2013 duke përmirësuar ndjeshëm parashikimet e Kreut të VII të tij “Alternativat e dënimit me burgim” si në drejtim të përmbajtjes së dispozitave që lidhen me dënimet e alternative ashtu edhe me parashikime shtesë në llojet e dënimeve alternative të përmndura më sipër.

 

Këtij qëllimi i ka shërbyer edhe ngritja dhe vënia në funksionim e shërbimit të provës që ka një mision të posaçëm atë mbikëqyrjes dhe mbështetjes në zbatimin e alternativave të dënimit me burgim.

 

Në të njëjtën frymë do të ecim edhe në mbikëqyrjen elektronike, e cila është vetëm sot një zyrë pilot në Tiranë, për ta shtrirë më pas në të gjithë Shqipërinë.

 

Projektligji “Për dhënie amnistie”, si nismë e Qeverisë shqiptare synon: një reformë në raport me dënimin penal, e orientuar tanimë drejt së duhurës, drejt një drejtësie korrigjuese dhe restauruese shoqërore.

Kësaj reforme i shërben edhe miratimi nga ana e këshillit të ministrave të Projektligjit “Për Policinë e Burgjeve” dhe të ligjit “Për trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” si dhe propozimet për shtesa dhe ndryshime në Kodin e Procedurës Penale që bredna qershorit do të paraqiten për shqyrtim dhe miratim në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

AJO QË MUND T’U THEM ËSHTË SE PËRFITOJNË NGA DHËNIA  E AMNISTISË TË DËNUAR DERI NË TRE VJET BURGIM, PËRVEÇ  ATYRE RASTEVE KUR NENI 4 I LIGJIT PËR AMNISTINË PARASHIKON NDRYSHE DHE VË KUFIZIME TË VEÇANTA; PËRFITOJNË  GRATË BARAZ DHE MBI MOSHËN 55 VJEÇ  SI DHE DHE BURRAT MBI 60 VJEÇ ( SIGURISHT PËRJASHTOHEN ATO RASTE TË VEÇANTA QË JANË TË NDALUARA NGA NENI 4 I LIGJIT).”