Deklarata e Ministrit Manjani: “ Nevoje për reformë të thellë në hetimin penal” - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 11/12/2015

Deklarata e Ministrit Manjani: “ Nevoje për reformë të thellë në hetimin penal”

 

Ministri i Drejtësisë z. Ylli Manjani ka zhvilluar ditën e sotme një takim me median, ku i është përgjigjur interesit të gazetarëve mbi çështje të ndryshme në sistemin e drejtësisë.

Në nisje të fjalës së tij, Ministri Manjani në formë të përmbledhur ka bërë publike vendimmarrjen e tij por edhe aktivitetin e punës një mujor në krye të Ministrisë së Drejtësisë.

Më poshtë, komunikimi i Ministrit të Drejtësisë, z. Ylli Manjani gjatë konferencës për shtyp:

Duhet t’ju them se ka qenë një muaj shumë i ngarkuar dhe kam qenë në situata të zgjidhjes së emergjencave të ndryshme. Ndjej keqardhje që për shkak të volumit të madh të kërkesave nga qytetarët nuk kam mundur t’u përgjigjem të gjithëve, por i kam lexuar të gjitha ankesat dhe tani jam duke marrë masat për zgjidhjen ligjore të tyre.

Shumica e ankesave bëhen për shkak të vendimeve gjyqësore dhe shërbimit të munguar nga zyrat e institucioneve të drejtësisë. Të dyja këto objektiva janë të rëndësishme për mua. Sa i takon ankesave ndaj gjyqësorit, duhet të shpjegoj se si Ministër nuk e kam tagrin të ndërhyj në gjyqësor dhe vendimet e gjyqtarëve. Megjithatë mund të ndërhyj në raste shkeljesh apo abuzimesh. Kam rënë dakord me KLD që inspektoriatet tona të zhvillojnë inspektime të përbashkëta, sepse veç e veç nuk i shërbëjnë qëllimit që ne kemi.

Kam qenë dhe mbetem i angazhuar për të mbështetur reformën në drejtësi, që drejtohet nga një komision i posaçëm. Ministri ka caktuar një numër ekspertësh që po merren me këtë reformë, që nis nga ndryshimet kushtetuese dhe ndryshimet e ligjeve. Konkretisht, Ligji për funksionimin e Gjykatës Administrative për shpejtësinë e vendimeve, pasi ky është edhe qëllimi i kësaj gjykate, që të zgjidhë çështjet, në mënyrë të veçantë biznesit, brenda afateve, por sa më shpejt që të jetë e mundur. Kjo do të përmirësojë klimën e biznesit, nëse vendimet jepen në kohë.

Kam propozuar sot në qeveri një ligj për amnistinë, i cili është thjesht një propozim dhe qeveria ka të drejtën ta ndryshojë. Jam optimist që projekt-ligjet janë subjekt përmirësimi dhe i gjetjes së një zgjidhje sa më të mirë që të jetë e mundur. Ligjet duhet të jenë konsensuale dhe të zbatohen sa më mirë, kjo është filozofia ime.

Z. Ministër, ju e nisët fjalën tuaj duke thënë se keni shumë ankesa nga qytetarët dhe pjesa më e madhe lidhen me vendimet gjyqësore. Kohët e fundit ka pasur një grup qytetarësh nga Korça që kanë ngritur akuza për një gjyqtar të apelit, të quajtur S. Kallço. A mund të na thoni nëse jeni azhornuar me këto ankesa dhe a keni pasur një ankesë zyrtare nga familjarët. Cili është hapi që ka marrë Ministria e Drejtësisë lidhur me këtë rast?

Patjetër që jam njohur me këtë çësthje përmes mediave dhe familjarëve. Jam në anën e tyre në aspektin emocional, por si Ministër jam i detyruar të respektoj procedurat ligjore. Dje kam ngarkuar drejtorinë e inspektimit të gjyqësorit që të bashkëpunojë më inspektimin e KLD për të bërë një plan të përbashkët isnpektimi sidomos për pjesën procedurale të gjykimit dhe për të verifikuarnëse është e vërtetë çështja e një farë konflikti interesi apo nepotizimi që është denoncuar në media. Nëse do të verifikohet se jemi në kushtet e nepotizmit dhe konfliktit të interesit patjetër që do të propozohet edhe masë disiplinore.

Sa persona do të përfitojnë nga amnistia dhe cilat kategori?

Nuk është mirë të kthehet kjo çështje në statistikë. Burgimi nuk është zgjidhja më e mirë. Kemi një kategori grash apo burrash në moshë të thyer, apo edhe të mitur, të cilët kanë marrë një vendim, po vuajnë një dënim, por çmohet gjithmonë që shteti është përkrahës i trajtimit të tyre njerëzor. Unë nuk besoj që një i mitur do ta ketë të ardhmen e tij në burg. Kjo nuk është një çështje që zgjidhet nga kjo amnisti, por mendoj që kur një i mitur futet në burg shoqëria nuk duhet ta shënojë si kriminel për pjesën e mbetur të jetës, ndaj duhet të jemi më të ndjeshëm për çështjen. Nëse do jemi të suksesshëm me këtë projektligj në Parlament, atëherë unë do të shkoj dhe t’i takoj vetë përfituesit e t’i uroj që të mos kthehen më në atë mjedis. Ka edhe një element organizativ që lidhet me mbipopullimin. Është një shqetësim i ngritur vazhdimisht nga Avokati i Popullit dhe organizatat e të drejtat e njeriut, por nuk është kjo arsyeja. Nuk mbështesim në këtë amnisti ata që janë në procedim penal aktualisht, sepse nuk duam të japim mesazhin që i arrestojmë dhe pastaj i lirojmë. Ndërkohë gjykatat dhe prokuroritë shqiptare duhet t’i përdorin sa më shumë dënimet alternative, shërbimin e provës që është një shërbim i ri dhe funksionon shumë mirë. Nga amnistia përfitojnë ata që u ka mbetur 2 vjet dënim për të kryer, apo janë dënuar me dy vjet dhe ata që janë në shërbimin e provës në momentin e amnistisë. Kostoja e mbajtjes në burg është aktualisht 800 euro në muaj. Mbajtja në burg kushton, edhe pse unë jam për ndëshkimin sipas ligjit. Unë si Ministër kam ndërmend të ndërhyj, që Kodi Penal të rishkruhet dhe të mos bëjmë kapërcime sipas shqetësimit të momentit. Sot kemi një përvojë 25 vjet në pushtet, që ka krijuar gjithë praktikën e nevojshme, por edhe asistencën e nevojshme për ta shkruar këtë Kod, qartë dhe bukur, sipas standardit të ri që kërkohet.

Në të gjitha qeveritë kam qenë në luftë me këtë handikap. Detyra e qeverisë është që t’i ndihmojë qytetarët që të kenë akses në gjyqësor. Çdo vit është bërë një ndryshim në Kodin Penal dhe kjo është mungesë stabiliteti dhe shkon përtej mandatit të çdo qeverie, por nuk është kjo tema ime. Unë besoj që ligji më i mirë është vendimi i gjykatës, më i mirë edhe se ligji i shkruar nga Parlamenti. Por shkrimi i një Kodi Penal të ri është më e rëndësishmja për mua.

Në këtë amnisti jemi fokusuar tek të dënuarit dhe jo ata në procedim, pikërisht për të dhënë këtë mesazh: ndërhyrjen e shtetit për të ndëshkuar keqbërësist dhe dhënia e mundësisë gjykatave që të japin një vendim për këto raste. Nuk përjashtohet që në Parlament apo në Qeveri të ketë një propozim të ri. Detyra ime është të sugjeroj një draft duke shpresuar të miratohet.

Në një nga tryezat për drejtësinë, Ambasadori Amerikan z, Donald Lu përmendi si një ndër skandalet e gjyqësorit shqiptar edhe pafajësinë në shkallën e parë të shtetasit Arben Frroku. Duke qenë se vendimi me burgim të përjetshëm ka marrë formë të prerë, ju si Ministër i Drejtësisë a do të kërkoni inspektim për këtë çështje?

Detyra ime si Ministër i drejtësië është të koordinoj punën për inspektime, nëse është e nevojshme, së bashku me KLD. Ky është një standard që na është kërkuar sistematikisht nga Bashkimi Europian dhe nuk kam ndërmend ta anashkaloj, pra të bëjë unë isnpektime më vetë. Nuk ka ndërmend ta ushtroj këtë të drejtë pa u koordinuar më KLD-në. Së dyti, asnjë nga inspektoriatet nuk i hyn dot thelbit të vendimit dhe aq më tepër që ky vendimështë përmbysur nga Gjykata e Apelit, pra kjo është arsyeja pse ka dy shkallë gjykimi dhe një shkallë e tretë rishikimi, për të garantuar të drejtat ligjore dhe kushtetuese të palëve. Nuk mundet që institucione jashtë gjyqësorit të ndryshojnë vendimet apo edhe t’i ndryshojnë ato. Kjo është arsyeja që unë kam thënë që ditën e parë se nga unë nuk do të dëgjoni asnjë koment mbi përmbajtjen e vendimeve të gjykatave. Si ministër nuk mund të bëj komente sepse cilësohet si ndërhyrje në punët e gjyqësorit.

Pak ditë më parë, institucioni i Avokatit të Popullit ka depozituar disa rekomandime për policinë e burgjeve. Në raportin e AP konstatohen shkelje të të drejtave të njeriut dhe konkretisht sipas këij raporti, efektivët e policisë së burgjeve i blejnë vetë uniformat dhe po sipas gjetjes së raportit ata nuk paguhen për orët shtesë.

Të gjitha shqetësimet e Avokatit të Popullit do të gjejnë zgjidhje tek Ministria e Drejtësisë dhe do të informohet AP për të në lidhje me plotësimin e të gjitha rekomandimeve. Detyra e çdo Ministri është që të absorbojë rekomandimet dhe përgjegjësitë. Ka disa probleme buxhetore që e pengojnë zgjidhjen e këtij problemi dhe që dalin jashtë kompetencave të Ministrit të Drejtësisë.

Sipas një komunikate të zyrës së shtypit në Prokurorinë e Përgjithshme, Z. Llalla është vënë në dijeni nga Këshilli i Prokurorisë se institucionet shqiptare janë pasive dhe nuk depozitojnë kallëzime për zyrtarë të nivelit të lartë. Ju si kreu i Ministrisë së Drejtësisë, që keni shumë institucione në varësi, a keni dosje që pritet t’i depozitoni në Prokurorinë e Përgjithshme.

Kam prirjen për ta mbështetur këtë qëndrim sepse jam i bindur se në 25 vitet e fundit, në Shqipëri, problemi kryesor në drejtësinë penale është hetimi penal, që  nuk duhet zgjidhur me deklarata së largu, por duke marrë përgjegjësi. Jam përkrahës i idesë se hetimi me polici gjyqësore, ka qenë problematik sepse një polici gjyqësore është shpërndarë dhe thërrmuar në disa njësi të shtetit që nuk koordinohet mirë dhe nuk merret vesh se cili bën çfarë, ku kret pa pritur zhduken provat dhe një dosje pa prova i shkon prokurorit në tryezë dhe pastaj kjo dosje pa prova ose me prova të mangëta i shkon gjykatësit, ka sjellë një sistem korrupsioni dhe një sistem mosbesimi absurd. Mbetem përkrahës i një reforme të thellë në hetimin penal. Në këtë pikëpamje mbetem i prirur të ndërtoj marrëdhënie besimi me të gjithë ata zyrtarë, përfshirë dhe prokurorin e përgjithshëm, që shprehin rezerva apo arsye të besueshme për ta zgjidh këtë çështje. Kjo nuk më ndalon që të pëgëzoj të gjithë oficerët e policisë gjyqësore të cilat punojnë sot në strukturat e policisë së shtetit, sepse në fund të fundit ata po e përballojnë të gjithë punën por sot mendoj se mungon një prokuror aktiv, qe ne me kalimin e kohës ia kemi zbehur rolin me ligje, ndërkohë që Kushtetuta e ngarkon prokurorin me ndjekjen penale, dhe ndër vite i kemi kërkuar “hesap” prokurorit të përgjithshëm duke mos i dhënë të drejtën e hetimit.  Hetimi ndahet nga policimi, pra veprimtaria gjurmuese policore të ndahet nga veprimtaria hetimore.

Shtimi i buxhetit që ju keni kërkuar nuk është miratuar, a ju pengon për realizimin e punës për vitin e ardhshëm?

Sigurisht, çdo ndërprerje buxhetore vështirëson edhe zbatimin e atyre rekomandimeve që sapo përmendëm, por kam të gjithë angazhimin e Ministrit të Financave dhe Kryeministrit që në vitin financiar do të kemi një zgjidhje definitive për këtë çështje.

Cili është komenti juaj në lidhje me aktet e shënuara në protestën e 8 dhjetorit?

Sigurisht që dënoj çdo sjellje të dhunshme, por nuk mendoj që përshkallëzimi i tensionit politik në tërësi. Ne sot duhet të kishim një tryezë bashkëpunimi për reformën në drejtësi, reformën zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE- ODIHR, të zgjidhnim çështjen e dekriminalizimit dhe jo të përshkallëzonim tensionin politik. Megjithatë PD ka të drejtën e saj të vendosë vijën politike sipas mendimit të saj. Por e theksoj që ka një shkëputje nga dialogu politik, që nuk është një gjë e mirë dhe tërësisht joproporcionale me interesat e qytetarëve. Ka një nevojë për bashkimin e energjive dhe krijimin e një mjedisi politik, administrativ e shoqëror për të thithur sa më shumë investime. Kjo sigurisht kërkon bashkëpunim politik dhe një klimë më të mirë politike.

Një kompani private është kontraktuar për të kryer një shërbim publik tek Hipoteka, sa është kostoja e kësaj kontrate?

ADISA apo Front Office si një sportel më vete nuk është shpikje shqiptare, por u jep qytetarëve një shërbim dhe zgjidhje dinjitoze. Ky projekt pilot mbetet i mirë, por si Ministër jam i pakënaqur për vendin ku prodhohet dokumenti hipotekor. Po evidentojmë ku janë defektet në sistem që të gjejmë një zgjidhje ligjore. Në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme nuk ekziston një hartë unike e të gjitha pronave, në mënyrë të sigurtë.. Pritet të bëhet fotografimi ajror dhe pastaj pasqyrimi në këtë hartë. Kjo është një reformë shumë e thellë dhe në momentin që do të bëhet elektronik si shërbim, do t’i vihet në dispozicion edhe kërkuesve. Në janar pritet të nisë edhe dhënia e shërbimit tëk zyra e noterit dhe ta kërkojë shërbimin në ZRPP nëpërmjet noterit, pa ndryshim tarifor. Kjo është një gjë mjaft pozitive, që të paktën ta nisim me Tiranën dhe Durrësin dhe me përfundimin e dixhitalizimit në të gjithë Shqipërinë. Ky është një projekt pilot dhe do të shohim se si do të shkojë.

Që në ardhjen tuaj në detyrën si Ministër janë shkarkuar disa drejtorë burgjesh. A ka përgjegjësi edhe vetë Drejtori i Përgjithshëm që i ka mbajtur në detyrë për kaq kohë?

Lidhur me shkarkimin e drejtuesve të burgjeve, unë them se kam qenë dhe do jem agresiv, për të ndryshuar një mentalitet në administratën e burgjeve, sepse duhet që drejtuesit të jenë profesionistë. Kam firmosur një urdhër se çdo të thotë të jesh drejtues i burgjeve dhe se kush nuk i plotëson ato kritere nuk mund ta mbajë atë detyrë. Dhe nuk ka ndonjë preferencë që të jesh në një parti politike për të marrë detyrën, thjesht duhen plotësuar kriteret. Ata që nuk përfshihen në shërbimin civil por edhe ata që përfshihen do të rekrutohen me aplikime që tashmë janë bërë publike. Unë do të insistoj fort në këtë standard. Sa i takon z. Zoto nuk kam asnjë indicie apo arsye që të bëj këtë lëvizje që thoni ju. Ai është në krye të burgjeve si një profesionist, e zotëron mirë situatën dhe më lejoni të them se nuk është aq e thjeshtë puna aty.

Opozita ka kërkuar krijimin e një qeverie teknike, jo si një artikulim vetëm nga opozita, por edhe nga pozita ka disa mbështetës. A ka vërtetë zëra të tillë?

E thashë që proporcionimi politik nuk është ai që duhet dhe ideja e qeverisë së parakohshme është një rrufe në qiell të hapur. Është strategji e PD, por nuk e besoj se ka arsye për zgjedhje të parakohshme. Ideja e një qeverie teknike as që duhet çuar nëpër mend, sepse në të gjitha rastet kur ka patur të tilla qeveri kanë ardhur pasoja të rënda për këtë vend. Duhet ta kujtojmë këtë, sepse është pjesë e historisë së këtij vendi. Sigurisht që opozita është legjitime për të kërkuar, por nuk mund të ndodhë që të krijohet një qeveri teknike.

Ish- Ministri Naço ka dhënë dorëheqjen dhe ka lënë të kuptohet se bashkëpunimi për reformën në drejtësi nuk ka qenë në nivelin e duhur. Si e shihni ju këtë situatë, pasi duket sikur drejtimin e kësaj reforme e ka marrë PS me Komisionin e Posaçëm?

Ministri i Drejtësisë është prezent në këtë proces me një listë ekspertësh që ka dërguar në këtë komision. Por jam i shqetësuar që ende nuk kemi hyrë tek thelbi: kemi 360 gjykatës në sistemin gjyqësor shqiptar dhe kemi një mbingarkesë çështjesh që nuk arrijnë të zgjidhen. Irlanda ka 150 gjykatës në 4.5 milionë banorë dhe gjykata e tyre janë efektive. Mua më shqetëson, që nuk po merremi akoma me hetimin penal.

A po bashkëpunon opozita ashtu siç duhet për reformën në drejtësi?

Opozita ka bashkëpunuar dhe e kam përshëndetur në disa raste. Kanë bërë një analizë për tu vlerësuar, por sigurisht ka edhe ekstremitete dhe kjo mund të jetë nga të dy krahët politikë. Duhet të hiqen ekstremitetet dhe të arrihet në një zgjidhje të përbashkët.