Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, mbajtën takime me përfaqësues të Kancelarisë, Ministrisë së Brendshme dhe Bundestagut, duke falënderuar Gjermaninë për mbështetjen e vazhdueshme e të pakursyer ndaj Shqipërisë në rrugëtimin e saj europian.
Në vijim të rekomandimit pa kushte të Komisionit për hapjen e negociatave të BE-në me Shqipërinë, delegacioni shqiptar informoi partnerët kyç në Gjermani mbi ecurinë e reformave shtet-formuese të ndërmarra nga Qeveria shqiptare si dhe përmbushjen plotësisht të kushteve të vendosura nga Këshilli Europian në Qershorin e 2018.
Bisedimet mes palëve u fokusuan në arritjet e Qeverisë shqiptare Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme në luftën kundër krimit të organizuar, reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit.
Ashtu si edhe Raporti i Komisionit evidenton, lufta kundër krimit të organizuar është intensifikuar ndjeshëm, sidomos në muajt e fundit, përmes operacioneve të përqendruara ndaj grupeve aktive, duke i zvogëluar hapësirën e veprimit, nëpërmjet përfshirjes, koordinimit dhe harmonizimit të përpjekjeve të gjitha agjencive ligj zbatuese në vend.
Përfaqësuesit e Qeverisë dhe Parlamentit Gjerman, duke njohur dhe vlerësuar progresin e arritur, shprehën mbështetje për Shqipërinë, dhe nxitën që zëri shqiptar të jetë i bashkuar, pasi informacione shpesh të kundërta lënë vend për perceptime jo të mira në Gjermani dhe në BE.
Ministrja e Drejtësisë Gjonaj informoi se zbatimi i reformës në drejtësi, si një nga reformat historike të ndërmarrë nga ndonjë vend kandidat, është në fazën e fundit të zbatimit.
Procesi gjithëpërfshirës i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve është zbatuar me përpikmëri duke përmbushur edhe qëllimet fillestare që kishte reforma në drejtësi: rritjen e profesionalizmit, zhdukjen e korrupsionit në sistem, konsolidimin e pavarësisë dhe paanësisë si dhe rikthimin e besimit të publikut në të, theksoi ministrja. Ajo bëri me dije se edhe organet e reja të sistemit të drejtësisë kanë filluar funksionimin e tyre me kapacitete të plota dhe po ushtrojnë funksionet e tyre kushtetuese për të garantuar pavarësinë, paanësinë dhe integritetin e sistemit gjyqësor.
Znj. Gjonaj theksoi gjithashtu faktin që pritet plotësimi i vakancave në Gjykatën Kushtetuese, i cili gjithashtu është një proces që pritet të mbyllet së shpejti, si një proces plotësisht i pavarur dhe i paanshëm nga mazhoranca politike qeverisëse apo ndikime të tjera partiake, në Republikën e Shqipërisë.
Lufta kundër korrupsionit dhe masat e marra nga Qeveria shqiptare dhe Ministrit të Drejtësisë, si Koordinator Kombëtar Antikorrupsion, ishin temë e rëndësishme, për të cilat ministrja Gjonaj informoi mbi ecurinë e zbatimit të Planit të Masave të Strategjisë Kombëtare Antikorrupsion, si dhe rezultatet konkrete të deritanishme të arritura nëpërmjet Task Forcës, si një mekanizëm ndërinstitucional i ngritur nga Qeveria. Këto rezultate të arritura nga Task Forca Antikorrupsion, për herë të parë u vlerësuan pozitivisht edhe nga Raporti i Komisionit Europian.
Nga ana e tij, Ministri i Brendshëm Lleshaj theksoi se bashkëpunimi dy palësh policor me Gjermaninë është shumë i kënaqshëm në nivelin operacional dhe me rezultate konkrete. Ai gjithashtu, vuri në dukje faktin se Shqipëria tashmë ka dalë nga harta e kultivimit të kanabisit, përmes një angazhimi ndërinstitucional në nivel qendror dhe vendor, me një plan konkret pune për kontrollin e territorit, rritjen e ndërgjegjësimit në komunitet, duke vënë para përgjegjësisë çdo përpjekje e tentativë për ringjallje të këtij fenomeni.
Në lidhje me fenomenin e azilkërkimit të shqiptarëve në BE, ministri i Brendshëm theksoi se Shqipëria është një vend i sigurt, ku të drejtat e njeriut janë të mbrojtura, e kësisoj çdo përpjekje për të siguruar azil në vendet e BE-së, në mënyrë abuzive, duhet penguar në bashkëpunim mes autoriteteve të dy vendeve. Shqipëria vazhdon të ushtrojë kontroll të rreptë në Pikat Kufitare, por lufta e vërtetë qëndron në goditjen e rrjeteve të organizuara të trafikut njerëzor, që kamuflohen me veprimtari turistike ose mbështetje sociale. Në këtë kuadër, marrëveshja me FRONTEX është një hap i rëndësishëm në përpjekjet e përbashkëta për të frenuar migracionin e paligjshëm, nëpërmjet territorit të Shqipërisë, drejt vendeve të BE. Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar në këtë sfidë të përbashkët.
Ministrat shqiptar nënvizuan se hapja e negociatave me Shqipërinë, nuk është vetëm njohje e progresit të saj të rëndësishëm, por edhe nevojë për të mbajtur ritmin e reformave dhe besimin tek e ardhmja europiane e Shqipërisë dhe rajonit.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.