Ka nisur punimet konferenca e organizuar nga Ministria e Drejtësisë për “Administrimin, menaxhimin dhe përdorimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara: Praktika të mira dhe aspekte të bashkëpunimit ndërkombëtar”, ku marrin pjesë një sërë personalitetesh të larta të drejtësisë italiane, trup diplomatik dhe përfaqësues të institucioneve kryesore ligjzbatuese në vend.
Në fjalën e saj para të pranishmëve, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj shprehu falënderime për suportin që i është ofruar nga faktori ndërkombëtar, duke u ndalur te përkrahja e prokurorit të Antimafjas dhe Antiterrorizmit në Itali Federico Cafiero De Raho.
Duke i shprehur mirënjohje për mbështetjen, Gjonaj tregoi disa nga detaje te bashkëpunimit që Ministria e Drejtësisë ka pasur me palën italiane, veçanërisht në disa projekte që pritet të fuqizojnë sistemin penitenciar dhe ta bëjë më të fortë luftën kundër krimit të organizuar.
“Në janar te këtij viti, ne organizuam një tjetër konferencë të rëndësishme në bashkëpunim me Prokurorinë Antimafia të Italisë, konferencë e cila kishte në fokus masat parandaluese pasurore dhe masat brenda sistemit të burgjeve për neutralizimin e rrezikshmërisë dhe lidhjeve të të burgosurve me organizatat e origjinës. Konferenca e sotme vjen në vazhdimësi të kësaj konference dhe ka në fokus një aspekt tjetër të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar, atë te sekuestrimit, konfiskimit dhe menaxhimit të aseteve që janë produkt i veprimtarisë së organizatave dhe grupeve kriminale”, -u shpreh Gjonaj ku vijon se:
“Nëse flasim për grupe të strukturuara kriminale, apo organizata kriminale, natyrshëm këto organizata e shtrijnë aktivitetin e tyre të paligjshëm në Shqipëri por edhe jashtë territorit të saj, duke kryer vepra penale nëpër vende të ndryshme (krime transnacionale) dhe më pas duke investuar të ardhurat e përftuara në mënyrë të paligjshme në Shqipëri. Duke qenë një ndër prioritet kryesore tona, kemi ngritur një grup pune i cili është angazhuar për të evidentuar dhe për të bërë një analizë të problemeve që janë hasur në praktikë si dhe të nevojës për të përmirësuar apo ndryshuar legjislacionin. Një legjislacion i qartë do të ndihmojë me hapa konkrete dhe procedura të qarta për të adresuar çështje që lidhen me krimin e organizuar”, -tha Gjonaj.
Gjithashtu, ministrja e Drejtësisë u ndal edhe te ligji “antimafja”.
“Një diskutim mund të shtrohet mbi evidentimin e personave pasuria e të cilëve gjen zbatim nga parashikimet e Ligjit Antimafia, pra për pasuritë e personave mbi të cilët ekziston një dyshim i arsyeshëm i bazuar në indicie, për pjesëmarrje dhe kryerje të krimeve nga banda e armatosur, organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal, pjesëmarrje dhe kryerje e krimeve nga organizata terroriste dhe krimeve për qëllime terroriste. Nga analiza paraprake që kemi realizuar, një problematike tjetër evidentohet lidhur me pasuritë e personave te cilët kanë kryer vepra penale në kuadër të grupeve kriminale jashtë territorit të Shqipërisë dhe që me pas kanë investuar në Shqipëri. Këta shtetas kthehen në Shqipëri duke investuar paratë e tyre, ndaj është e rëndësishme që përveç dhënies rrugë të kërkesave për ekstradim që mund të vijnë nga autoritetet e huaja me qellim ndjekjen penale në vendet ku është kryervepra penale, të procedohet paralelisht me nisjen e hetimit pasuror për pasuritë e këtyre personave. Konstatohet se në pjesën dërrmuese të rasteve nuk procedohet me nisje të hetimit pasuror ndaj këtyre personave”,- nënvizoi Gjonaj.
Ndërkohë, nga ana tjetër, prokurori i Antimafjas dhe Antiterrorizmit në Itali De Raho, u shpreh se është forcuar më tej kooperimi midis Shqipërisë dhe Italisë për temat e përmendura nga ministrja Gjonaj, kooperim i cili sipas tij nuk konsiston vetëm në ekstradimin e subjekteve, por tashmë është një bashkëpunim aktiv në investigime midis dy palëve.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.