Aleksander Furxhi
: Deri dje komunikimi publik i qeverisë ka qenë e tillë që opozita në bllok ka qenë pas protestave të përnatshme të të rinjve në Tiranë dhe në disa qytete. Kurse sot kryeministri e veçoi Lulzim Bashën, duke thënë se përgjegjës kryesor është presidenti dhe ish-kryeministri Berisha. Nga çfarë niset kryeministri për një konsideratë të tillë?
Etilda Gjonaj
: Ne e kemi parë gjatë këtyre ditëve që ka patur eksponentë apo edhe drejtues të institucioneve të pushtetit vendor të PD apo edhe të LSI. Dhe besoj që të gjithë pamjet kanë treguar që në mos janë organizatorët kryesorë, ata kanë qënë pjesë, dhe për më tepër fakti që kanë marrë pjesë të miturit, fëmijët që kanë qënë edhe nën moshën e përgjegjësisë penale në grupime apo protesta, sepse sot nuk e meritojnë më të quhen protesta, pasi janë akte dhune. Akte që kanë shkatërruar të gjithë pjesën e institucioneve publike, kanë shkatërruar një sërë institucionesh kulturore. Por nga ana tjetër duhet të themi që pjesë e këtyre organizimeve kanë qënë edhe eksponentë të partive opozitare.
Aleksander Furxhi
: Qeveria mori një vendim për të lidhur një pension për familjen Rasha. A nuk është ky një vendim i parakohshëm në kuptimin që çështja është ende nën hetim?
Etilda Gjonaj
: Është tërësisht në kompetencën e Këshillit të Ministrave për të nxjerrë një vendim mbi një bazë ligjoire që është ligji për Sigurimet Shoqërore. Nuk është një akt i jashtëzakonshëm, por i referohet përgjigjes me masa për shkak të kësaj humbjeje jete të djalit të tyre.
Aleksander Furxhi
: Pra qeveria ka marrë një krah, e quan viktimën të pafajshëm…
Etilda Gjonaj
: Kjo nuk ka lidhje fare me përgjegjësinë penale të efektivit apo si do të vendosë në fund gjykata. Kjo lidhet me një akt administrativ. Nuk ka një detyrim ligjor që një akt i Këshillit të Ministrave të dalë pasi të përfundojë një proces gjyqësor. Qeveria nuk është ajo që do të bëjë drejtësi për humbjen e djalit. U shqyrtuan disa nga kushtet dhe rrethanat që duhet të përmbushë një familje për t’i akorduar një pension. Përsa kohë ka një bazë ligjore dhe thuhet që ka një humbje jete nga organet ligjzbatuese, në rastin konkret nga policia, atëherë lidhet një pension.
Aleksander Furxhi
: Çfarë parashikon ligji për të miturit, si do të veprohet me ata që janë ndaluar dhe arrestuar. Janë disa dhjetëra tani për tani…
Etilda Gjonaj
: Në këtë protestë janë keqpërdorur të miturit. Atyre u njihet e drejta për t’u grumbulluar, por në mënyrë paqësore. Ata janë përdorur nga ata që i kanë nxitur për të qenë pjesë e këtyre protestave. Prokuroria duhet të fillojë hetime për ata që kanë nxitur këto protesta. Për përgjegjësinë penale që mbajnë ata të mitur, është gjykata që vendos masën e sigurisë për ta. Gjithmonë është shkuar në masa alternative dhe më të buta.
Aleksander Furxhi
: Ka qenë pjesë e debatit publik ditët e fundit një dokument lidhur me ndryshimet në Kodin Penal. A ka një proces të tillë?
Etilda Gjonaj
: Patjetër që ka. Nuk ka asnjë lidhje as me humorin virtual, as me satirën, ka një draft të Kodit Penal që po punohet në grup eskpertësh. Nuk është një draft final, institucional i Ministrisë së Drejtësisë. Do t’i nënshtrohet një skanimi, filtrimi. Ky nuk është një Kod Penal që i shërben vetëm të sotshmes, por të ardhmes, që Kode të tilla të mos ndryshohen. Faleminderit!
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.