Sot në Ministrinë e Drejtësisë, Ministrja Etilda Gjonaj bashkë me Ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj dhe Drejtuesin e SPAK, Prokurorin Arben Kraja, deklaruan fillimin e aplikimit të Regjimit të Posaçëm në Burgjet e Sigurisë së Lartë, të ashtuquajturin Regjimi 41-Bis.
Të tre autoritetet kanë firmosur listën e parë me 7 persona të akuzuar dhe dënuar për vepra të rënda penale që variojnë nga pjesëmarrje në organizata kriminale dhe deri në pjesëmarrje në organizata terroriste.
Në fjalën e saj para përfaqësuesve të medias, Ministrja Etilda Gjonaj deklaroi se ‘Pas kryerjes së një procesi të gjatë ne verifikimin dhe vlerësimin e të gjithë informacionit në bashkëpunim me të gjitha institucionet përgjegjëse sipas ligjit, SPAK, Ministria e Brendshme, Shërbimi informativ shtetëror, Drejtoria e përgjithshme e burgjeve, drejtoria e përgjithshme e policisë, agjensitë ligjzbatuese u konkludua procesi për vendimmarrjen për 7 subjektet e para.
Vendimmarrja për zbatimin e këtij rregjimi, pavarësisht ndonjë pretendimi që është vonuar, mund të them se përkundrazi ka marrë të gjithë kohën e nevojshme në zhvillimin e tij, pasi është një proces që zbatohet për herë të parë në vendin tonë, një proces mjaft kompleks në aspektin e vendimmarrjes së tij me qëllimin për të krijuar një praktikë të shëndetshme. ‘.
‘Ky është një rregjim që po zbatohet për herë të parë në Shqipëri, bazuar në modelin e suksesshëm italian, përvoja e të cilëve ka dëshmuar rezultate të jashtëzakonshme kundër grupeve të struktuara kriminale dhe mafias.
Ky është një tregues i qartë i vullnetit të qeverisë për të intensifikuar me vendosmëri luftën e institucioneve shqiptare kundër krimit të organizuar, organizatave kriminale, si edhe organizatave apo elementëve terroristë. Përfshirja në këtë rregjim të subjekteve të cilët paraqesin rrezikshmëri të lartë do të shërbejë gjithashtu për parandalimin dhe ndëshkimin e veprimtarisë kriminale të subjekteve që ndodhen aktualisht në burgje.‘ – u shpreh Ministrja e Drejtësisë Gjonaj.
Ata që do të gjykohen për veprat penale të krimit të organizuar, pjesëmarrje në organizata kriminale dhe terroriste, do të vendosen në një regjim të posaçëm me kufizim të të drejtave, me qëllim për të të parandaluar:
– kontaktet me organizatën kriminale ku bëjnë pjesë apo me organizata të tjera aleate;
– konfliktet e mundshme me elementë të organizatave kundërshtare;
– ndërveprimin me të burgosurit apo të paraburgosurit e tjerë që i përkasin të njëjtës organizatë ose të organizatave të tjera me të cilat ata bashkëpunojnë.
Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj deklaroi se ‘Do të dëshiroja të vlerësoja mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë dhe personalisht Kryeministrit Rama si dhe Kuvendit të Shqipërisë, komisionit të ligjeve dhe atij të sigurisë, lidhur me miratimin e paketës së re ligjore për sistemin penitenciar përfshi dhe ngritjen e këtij rregjimi të posacëm antikrim.
Një falenderim i merituar shkon për partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë Delegacionin e BE-se, Ambasada e SHBA-ve, Ambasadën Britanike që në asnjë moment nuk e kanë kursyer mbështetjen dhe ndihmën e tyre jo vetëm në aspektin e ndërmarrjes të këtij hapi të guximshëm por edhe me mbështetje konkrete në sistemin e burgjeve.
Falenderoj gjithashtu të gjitha institucionet e përfshira në këtë proces, për frymën e bashkëpunimit shumë të mirë përtej vështirësive dhe sfidave që shfaqen në përditshmëri në luftën kundër krimit të organizuar, si shprehje e vullnetit të përbashkët për të arritur rezultete më të forta në luftën kundër krimit të organizuar.’.
Në takim ishin gjithashtu të pranishëm, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili dhe përfaqësues të Misionit OPDAT, Ambasadës së SHBA, Ambasadës Britanike dhe Bashkimit Europian në Shqipëri.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.