Avokatura e Shtetit, përfundon praktika profesionale e studentëve të drejtësisë. - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 17/10/2014

Avokatura e Shtetit, përfundon praktika profesionale e studentëve të drejtësisë.

18 studentë të vitit të dytë Master pranë Fakultetit të Drejtësisë, janë certifikuar sot gjatë një ceremonie në Ministrinë e Drejtësisë, e cila shënoi edhe finalizimin e Praktikës Profesionale të Studentëve të Fakultetit të Drejtësisë, pranë institucionit të Avokaturës së Shtetit.

Për të ndihmuar në aftësimin sa më të mirë profesional të juristëve të ardhshëm në Shqipëri, Avokatura e Shtetit shpalli në mars 2014 Programin e parë të Praktikës Profesionale pranë këtij institucioni për studentë të vitit të fundit në Programet Master Profesional dhe Master Shkencor (drejtimi publik, penal, civil), në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës (FDUT).

Ky program u ideua dhe u zbatua në bashkëpunim me FDUT-në, si dhe me mbështetjen e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe projektit JuST të USAID-it.

 

Ceremonia e sotme gjatë së cilës ishin të pranishëm Ministri i Drejtësisë, Z. Nasip Naço, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Z. Erion Veliaj, Avokate e Shtetit, Znj. Alma Hicka, Drejtori i projektit JuST të USAID-it, Z. John A. Carver, si dhe Z. Altin Shegani, Dekan i DFUT-së; shënoi përfundimin me sukses të një përvoje formuese gjashtëmujore, gjatë së cilës këta studentë patën mundësinë të thellojnë dijet e tyre teorike të marra në auditorë, dhe t’i ndërthurin ato me dije praktike të përftuara nga puna e përditshme e avokatëve të shtetit

Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, në fjalën e tij gjatë ceremonisë, theksoi se sistemi i drejtësisë në Shqipëri është i hapur që të mirëpresë prurje të reja në të gjitha hallkat e tij, me profesionistë të plotësuar me njohuri praktike që në vitet e shkollës, si dhe të aftë dhe të gatshëm të shërbejnë me etikë dhe integritet.

 

Më poshtë fjala e plotë e Ministrit të Drejtësisë, z. Nasip Naço:

 

Sot kam kënaqësinë që të mirëpres në institucionin që drejtoj, një ceremoni mjaft të veçantë, cila ka një vlerë të rëndësishme, ndër të tjera edhe për faktin se fokusi i saj po na shkëput disi nga “klima e ashpër” e debatit mbi reformën në drejtësi.

Finalizimi i Praktikës Profesionale të Studentëve të Fakultetit të Drejtësisë, pranë institucionit të Avokaturës së Shtetit, përbën një lajm mjaft pozitiv dhe gjej rastin të përgëzoj organizatorët dhe pjesëmarrësit, duke uruar që nisma të tilla të jenë edhe më të shpeshta në të ardhmen.

Kjo praktikë mblodhi së bashkë 18 studentë të vitit të dytë Master pranë Fakultetit të Drejtësisë, përgjatë një stazhi  6 mujor, gjatë të cilit këta studentë patën mundësinë të thellojnë dijet e tyre teorike të marra në auditorë, dhe t’i ndërthurin ato me dije praktike të përftuara nga puna e përditshme e avokatëve të shtetit.

Njohuritë profesionale që këta studentë kanë marrë gjatë këtyre 6 muajve të praktikës së zhvilluar pranë Avokaturës së Shtetit, janë bazike dhe lidhen me një aspekt të rëndësisë e të veçantë në sistemin e drejtësisë, siç është mbrojtja e interesave të Shtetit Shqiptar para gjykatave kombëtare dhe ato ndërkombëtare.

Një nisëm e tillë më inkurajon të besoj se në vendin tonë, rritja e mëtejshme e cilësisë së shërbimeve juridike në të ardhmen do të jetë një realitet i prekshëm.

Në tërësi, sistemi i drejtësisë në Shqipëri është i hapur që të mirëpresë prurje të reja në të gjitha hallkat e tij, me profesionistë të plotësuar me njohuri praktike që në vitet e shkollës, si dhe të aftë dhe të gatshëm të shërbejnë me etikë dhe integritet.

Gjithashtu, gjej rastin të inkurajoj jo vetëm Avokaturën e Shtetit që ta vazhdojë këtë traditë që ka nisur, por edhe institucione të tjera në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, me synim promovimin e një brezi të ri juristësh, të cilët që në ditën e parë të nisjes së karrierës së tyre, të jenë të plotësuar në drejtim të praktikave juridike.

Togfjalëshi “zëri i rinisë”, për fat të mirë sot nuk është thjesht një slogan i thatë e populist.

Me mjaft kënaqësi, gjatë këtij viti të parë të qeverisjes, kam konstatuar se zëri i të rinjve dhe pjesëmarrja e tyre kanë fituar mbështetje përmes politikave nxitëse të Qeverisë Shqiptare, që promovojnë përfshirjen e të rinjve në procese të rëndësishme, ndaj dhe përfitoj nga rasti ta përgëzoj Ministrin Veliaj sikurse edhe të tjerë kolegë, të cilët në vëmendjen e axhendës së tyre të punës, kanë përfshirë edhe të rinjtë në projekte të ndryshme.

Në këtë kuadër, dua të garantoj se Ministria e Drejtësisë në fokus të nismave të saj, do të ketë edhe përfshirjen e të rinjve, të cilët përmes energjisë dhe pasionit të tyre, mund të jënë një element i rëndësishëm në përcjelljen e frymës së reformave të sistemit apo sikurse kam pasur rastin të shprehem, studentët e rinj do të jenë brezi që do të ripërtërijë sistemin, edhe duke protestuar kundër heshtjes së zërit të drejtësisë

 

Rolin aktiv të të rinjve do ta konsideroja mjaft pozitiv, veçanërisht në tejçimin që ata mund t’i bëjnë politikave reformuese, të cilat lidhen më sektorë të sistemit ku përfshirja e komunitetit është mjaft domethënëse.

Më konkretisht, përmes shembujve personal, të rinjtë mund të jenë një aktor me rëndësi në promovimin e sjelljeve që parandalojnë recidivzmin dhe mund të luajnë një rol aktiv në drejtim të promovimit të rëndësisë së edukimit, si dhe jetës së shëndetshmë sociale e kulturore.

Ndaj dhe në këtë drejtim do të propozoja ndërmarrjen e veprimeve konkrete.

Hapat e parë janë hedhur nga disa institucione varësie, ku do të veçoja nisjen e bashkëpunimit mes Shërbimit të provës dhe drejtorive arsimorelidhur me rritjen e efikasitetit të mbikqyrjes, si dhe reduktimin dhe paradalimin e kriminalitetit.

Gjithashtu, një hap i rëndësishëm është edhe përfundimi i marrëveshjes midis institucioneve të vuajtjes së dënimit dhe Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, qendrave apo shkollave te Formimit Profesional, në mënyrë që ky shërbim në thelb mësimor dhe arsimor të shtrihet edhe në Institucionet e Ekzekutimit të Vuajtjes së Dënimit Penal.

Çdo i dënuar, kryesisht moshat e reja, që kanë braktisur shkollën, do të kenë mundësinë, që gjatë kohës së vuajtjes së dënimit, të ndjekin kurset e formimit profesional, të ofruara falas nga shteti, brenda strukturës dhe godinës së IEVP-ve.

Kjo iniciative eshte ne te mire te institucioneve shtetërore, pasi tregut do t’i ofrohen njerëz me formim profesional teknik, si dhe nga ana tjetër krijohen kushtet per uljen e kriminalitetit dhe te recidivizmit.

Gjithashtu, si Ministër Drejtësie, por edhe si qytetar i këtij vendi, gjej rastin t’i inkurajoj të rinjtë studentë, që të marrin një rol aktiv edhe në ngritjen e ndërgjegjes qytetare në luftën korrupsionit dhe pse jo të denoncojnë çdo veprim korruptiv të hasur gjatë studimit në auditore, veprim që mund të ketë cënuar personalitetin e tyre apo që është bërë shkak për denigrim, e për pasoja janë ndjerë të nëpërkëmbur duke mos u vlerësuar në bazë merite.

Referuar këtyre situatave mesazhi im është:

“Ndoshta mund të ketë raste kur mund të ndiheni të pafuqishëm për të parandaluar padrejtësinë, por asnjëherë nuk duhet të ndaleni së protestuari kundër saj!”.

Reforma në drejtësi është një proces kompleks, delikat dhe sfidë kryesore e shoqërisë shqiptare, që lidhet pashmangshmërisht me shtigjet e integrimit në familjen europiane, prandaj synimi ynë duhet të jëtë forcimi i sundimit të ligjit, që do t’i bëjë të sigurta këto shtigje, drejt  arritjes së destinacionit final: Europës së zhvilluar, që aq shumë ju e meritoni!

Kjo mund të arrihet vetëm falë integritetit të atyre që bëjnë drejtësi dhe i shërbejnë asaj, vlera të cilat i duhen edukuar brezave që në hapat e parë.

Aktualisht, më shumë se kurrë, vendi ynë ka nevojë për të rinj dhe të reja, si këta që janë sot para nesh, të formësuar me ideologjinë e paanshmërisë dhe transparencës.

Sot ne po evidentojmë deformimet e sistemit, që ka sjellë shkelja me dashje e ligjit gjatë këtyre 20 viteve, ndërsa nesër shpresoj se ju do të jeni miqtë e vërtetë të së drejtës,për t’i dhënë asaj privilegjin që i takon, sepse e drejta është absolute!

Në përfundim, i uroj studentëve pjesëmarrës të kësaj praktike sa më shumë suksese në të ardhmen, dhe ju ftoj që bashkarisht të vazhdojmë të ecim drejt vlerave të qenësishme që promovojnë rëndësinë e sistemit të drejtësisë, respektimin e të drejtave të individit, dialogut dhe tolerancës në një shoqëri demokratike.