Përmes një raporti te bërë publik ditën e sotme, qeveria shqiptare ka prezantuar arritjet e 300 ditëve të para të punës së saj.
Drejtësia dhe reformimi i saj, si një nga detyrat e rëndësishme që duhej përmbushur por edhe një sfidë madhore në punën e qeverisë së re, prej muajit Shtator të vitit të kaluar e në vazhdim, ka bërë një progres të konsiderueshëm, fakt ky që u mbajt parasysh edhe në dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.
“Pasuria më e madhe e një shteti apo një kombi, është drejtësia. Për këtë, ne u angazhuam përballë qytetarëve se do të rivendosim integritetin e pushtetit gjyqësor, për të hapur një faqe të re të sundimit të ligjit në Shqipëri, në përputhje me standartet e një vendi kandidat aspirant për në Bashkimin Europian”, u shpreh Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, në nisjen e prezantimit të tij për 300 ditët në krye të drejtësisë shqiptare.
Më poshtë fjala e plotë e Ministrit të Drejtësisë, z. Nasip Naço
Ne u zotuam përpara gjithë shqiptarëve se solidarizohemi me më të dobëtit dhe për një akses të plotë dhe të barabartë në drejtësi për të gjithë.
Ne e mbajtëm premtimin tonë !
Krijuam mundësi aksesi të plotë në drejtësi me një tarifë të reduktuar, në të gjitha shërbimet e administratës gjyqësore, në masën 37 % – 50 %.
Çdo shtetas mund t’i drejtohet lirshëm, në çdo moment, gjykatës, për të kërkuar të drejtën e munguar, apo të cënuar.
Ne u zotuam përpara shqiptarëve se do të realizonim një proces skanimi të plotë dhe transparent për gjithë vendimarrjen në procesin e kthimit të pronës, për t’i hapur rrugë zgjidhjes përfundimtare të çështjes së pronave në shqipëri, e cila nuk ishte zgjidhur për 21 vjet.
Ne e mbajtëm premtimin tonë!
Ne realizuam regjistrimin dhe dixhitalizimi e të gjithë vendimmarrjes së AKKP-së, ndër vite, përmes skanimit dhe regjistrimit në një data-bazë të unifikuar.
Sot nuk ka për të ndodhur si dje, ku me vendimet tërësisht antiligjore janë kthyer në natyrë, jo vetëm pasuri të njohura historikisht si pasuri shtetërore publike, me vlerë kombëtare, por dhe të shpallura si pasuri botërore, siç është rasti i Parkut Kombëtar të Butrintit apo katër ishuj të Ksamilit.
Kjo epokë ka marrë fund!
Ne e dixhitalizuam këtë sistem.
Në Shtator të vitit 2013 sistemi i aplikimit elektronik të subjekteve ishte i shtrirë në 5 zyra vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme.
Ne premtuam shtrirjen e këtij sistemi në gjithë territorin e Republikës.
Ne e mbajtëm premtimin tonë!
Në 300 ditët e para të qeverisjes aplikimi elektronik u realizua në 17 zyra vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe deri në fund të vitit ai do të shtrihet, sic kemi premtuar, në 35 zyrat vendore.
Kjo do të sjellë transparencë, besueshmëri të publikut dhe shërbim efektiv, në më pak kohë, ndaj tij.
Me financimin e Bankës Botërore, 7 vjet më parë, filloi zbatimi i projektit për regjistrimin fillestar të pasurive të paluajtshme.
Në 6 vitet e kaluara regjistrimi fillestar kishte përfunduar për 160.000 pasuri.
Për 300 ditët e para të qeverisjes, regjistrimi fillestar ka përfunduar në 320.000 pasuri,
Çka do të thotë më shumë transparence, efektivitet dhe siguri për shtetasit që gëzojnë një titull pronësie.
Ne premtuam dhe realizuam implementimin e sistemit ALBPOS, në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, sistem ky që mundëson:
Ne e mbajtëm premtimin tonë!
Sistemi “ALBPOS” (Sistemi Shqiptar i Pozicionimit Global) është dizenjuar dhe realizuar nga Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ku janë instaluar 16 antena satelitore në 16 njësi vendore, për të mundësuar përcaktimin e saktë të kufijve të pronave dhe parcelave, duke shmangur kështu mbivendosjen ose pasaktësitë e mëparshme.
Kjo do të bëjë të mundur që të gjitha institucionet që prodhijnë tituj pronësie si AKKP, ZRPP, ALUIZMI të flasin një gjuhë, gjuhën dixhitale.
Dhe të mos ndodh më si dje, ku disa metra katror pronë në mal, të regjistrohen si mijëra hektarë në bregdet, apo diku tjetër.
Kjo epokë ka marrë fund!
Ne e dixhitalizuam këtë sistem.
Në këto 300-ditë ne përmirësuam Regjistrin Dixhital të Noterisë dhe nëpërmjet sistemit “One Stop Shop’, u rrit transparenca e shërbimit noterial , me një shërbim më eficent në transaksionet me pasuritë e paluajtshme, duke shmangur fenomenet korruptive në këtë sistem,
Kjo sot mundësohet jo në 160.000 pasuri, por në 320.000 pasuri që kanë përfunduar tashmë regjistrimin fillestar elektronik.
Kjo është një histori suksesi!
Ne u zotuam përpara shqiptarëve për një sistem drejtësie më transparent.
Në këto 300 ditë në bashkëpunim me Projektin JUST të USAID-it, ne kemi pasuruar sistemin elektronik te menaxhimit të çështjeve gjyqësore, (sistemi ICMIS) me rubrikën e regjistrimit me mjete audio, ku mbajtja e proces verbaleve të seancave gjyqësore bëhet në formë elektronike, në 24 gjykata, në 110 salla gjyqi, me 240 gjykatës dhe 372 punonjës të administratës gjyqësore të trajnuar.
Që në ditët e para të qeverisjes, ne u zotuam përpara shqiptarëve se reformat në sistemin e drejtësisë do jenë prioriteti ynë, me qëllim konsolidimin e sundimit të ligjit, forcim e pavarësisë, paanshmërisë dhe të profesionalizimit në sistemin e drejtësisë shqiptare, në mënyrë që qytetari të mos mbahet më peng i zvarritjes së pajustifikuar nga ana e gjykatës.
Ne e mbajtëm premtimin tonë!
Gjatë këtyre 300-ditëve kemi kërkuar procedimin displinor të rreth 20 gjyqtarëve, pjesa më e madhe me masën e shkarkimit nga detyra, aq sa nuk është kërkuar për 8 vitet e fundit.
Gjyqtarët t’i përdorin duart vetëm për çekiçin e drejtësisë, dhe të mos guxojnë që t’i fusin ato në xhepat e qytetarëve!
Ne u zotuam përpara shqiptarëve se do luftojmë fort fenomenin negativ të korrupsionit.
Në këto 300 ditë ne ndërmorëm inicativat, duke e mbajtur premtimin tonë .
Ne miratuam paketën ligjore antikorrupsion, duke bërë ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, duke klasifikuar korrupsionin si krim të rëndë, kur kjo kryhet nga zyrtarët e lartë, gjyqtarët, prokurorët etj, dhe përcaktuam se në këto raste do të gjykohen nga Gjykata e Krimeve të Rënda.
Kjo jo në kuptim të rritjes së masës së dënimit, por në lidhje me faktin që këto vepra penale do të luftohen me të njëjtat mjete, siç luftohen organizatat dhe bandat kriminale dhe për këtë ne realizuam edhe ndryshimet në ligjin antimafia, me qëllim sekuestrimin apo konfiskimin e pasurive që rrjedhin nga veprimet kriminale korruptive.
Ne jemi të vendosur që luftën ndaj korrupsionit do e fillojmë nga gjyqësori. Kemi tregusar rezultate konkrete. 2 gjyqtarë janë arrestuar për veprat penale të korrupsionit, ndërsa 3 të tjerë po hetohen për fshehje të pasurisë në miliona Euro.
Kjo kupton që lufta kundër korrupsionit, do të ketë në fokusin e saj:
Ne angazhohemi për vijimin bashkëpunimit me të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë.
Reforma do të vijojë të flasë me gjuhën e Brukselit…
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.