Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani ka marrë pjesë ditën e sotme në analizën e përbashkët të punës së Gjykatës së Apelit Tiranë dhe Gjykatave të Rrethit Gjyqësor Tiranë, Dibër, Mat, Kurbin dhe Krujë.
Gjatë fjalës së tij Ministri Manjani evidentoi disa çështje që kërkojnë një vëmendje të veçantë dhe që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me përgjegjshmërinë e sistemit gjyqësor, i cili praktikisht gjykon të drejtat e rreth 1 milion e gjysmë banorëve të Republikës së Shqipërisë.
“Jashtë kësaj salle statistikat nuk vlejnë. Në sallat e gjyqit diskutohen liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, jo vetëtm themelore por dhe ligjore. Përpara hallit, për individin statistika e përgjithshme për fat të keq nuk ngjit. Unë pajtohem plotësisht me kritikën që i bëhet pushteteve të tjera të cilët kritikojnë pushtetin gjyqësor. Në fakt, kritika për kritikë nuk është një gjë e mirë, vetëm shton mllefin, vetëm shton përceptimin për të keqen. Unë jam përpjekur si Ministër Drejtësie të mos jem në mes të këtij kanali akuzash reciproke, por të jem të paktën zëdhënës ose përçues i opinionit public, pas gjithë atyre njerëzve që marrin iniciativën dhe shkruajnë ankesa çdo ditë në Ministrinë e Drejtësisë. Sot në mëngjes dëgjova në TV një zonjë që ishte në katastrofë mendore. Nuk i hy nëse ka të drejtë apo nuk ka sepse është çështje gjyqësore. Por si kjo zonja ka plotë dhe dua të them që rastet individuale janë shumë të rëndësishme dhe duhet të trajtohen më shumë kujdes, pa dashur të anashkaloj dhe statistikat që janë të rëndësishme. Ajo që ndodhë është që shumica e njerëzve që shprehen për gjykatën ndoshta nuk vijnë fare në gjykatë, nuk kanë cështje në gjykatë, por megjithatë kanë një perceptim shumë të keq për gjykatën. Sado i drejt teknikisht dhe procedurialisht apo qoftë me substancë të jetë jetë vendimi i gjykatës, nëse nuk e beson opinioni public, s’kemi bërë asgjë. Pra, sfida që shtrohet përpara për t’u trajtuar është që të bëheni të besueshëm për opinion publik”, tha z. Manjani
Ministri Manjani është ndalur edhe në trajtimin e një shqetësimi konkret që ndër të tjera i është bërë prezent edhe nga sistemi bankar dhe që ka të bëjë me vendimet që lidhen me kreditë e këqija dhe që ka ndikim të drejtpërdrejtë në ecurinë e punës së shërbimit përmbarimor.
“Po ballafaqohemi sot të nderuar gjyqtar me një fenomen për të cilin jemi ende ne kohë që ta trajtojmë me rreptësinë më të madhe. Kam parasysh pikë së pari shqetësimin që vjen nga sistemi bankar për kreditë e këqija. Në praktikën tuaj gjyqësore ka raste trajtimi, vlerësimi; në mënyrë të veçantë çështja e vlerësimit të kolateralit, e cila na ka shkaktuar një shqetësim edhe në shërbimin përmbarimor, për shkak se shërbimi përmbarimor gjithmonë e më shumë bllokohet, pezullohet me vendime gjykatash. Shumë shpejt, në pak ditë do t’i propozoj Këshillit të Ministrave dhe më tej do t’ia përcjell parlamentit një paketë ligjore për këtë çështje. Një paketë ligjore e cila do të duhet të forcojë më së pari rolin e përmbaruesit sepse mesazhi që duam të japim është ky:- Kush ka marrë kredi, duhet ta kthejë mbrapsht, qindarkë në qindarkë, sepse vërtet marrëveshja për kredi është marrëveshje private, bankë-klient, kreditor-debitor, por interesi është publik dhe ato para nuk janë private por janë publike. Nuk kemi ndërmend të tolerojmë, më mirë tani sesa më vonë, sepse mund të jetë shumë vonë, por ju lutem shumë të mbani në vëmendje këtë konsideratë. Çështja e kredive të këqija duhet adresuar me përparësi. Logjika është fare e thjeshtë kush merr borxh duhet të kthej borxhin. Marrëveshja për kredi është titull ekzekutiv dhe unë nuk e kuptoj se përse hyn gjykata këtu. Me përjashtim të lëshimit të urdhërit të ekzekutimit unë nuk e di se çfarë roli tjetër mund të ketë gjykata. Ftesa ime për ju dhe për të gjithë trupën gjyqësore është:- Ju lutem të lejojmë përmbarimin të ekzekutojë titujt e ekzekutimit. Nuk mbrohet debitori duke i dhënë mesazhin që të mos paguajë kredinë. Sepse në emër të mbrojtjes së këtij debitori mund të na shkaktohet ndonjë situatë e pakëndshme dhe krejt pa pritur mund të shfaqemi të gjithë debitorë dhe ne e kemi kaluar këtë eksperiencë. Kjo është një ftesë publike qytetare për të gjithë trupën gjyqësore, prokurorët e Shqipërisë dhe përmbaruesit që ta trajtojme këtë problem siç duhet dhe në kohën e duhur. Nuk ka asgjë për panik dhe për t’u shqetësuar, por jemi në kohën e duhur për ta trajtuar dhe nuk mund ta nënvlerësojmë më. Këtë shqetësim e kam nga shumë aktorë, përfshirë edhe sistemin bankar. Është një shqetësim që do të trajtohet edhe në mënyrë legjislative por mbetem përsëri besnik i pikëpamjes se ligji më i mirë është vendimi i gjykatës”, u shpreh z. Manjani
Ministri Manjani solli në vëmendje edhe rëndësinë e respektimit të procedurave gjyqësore sikurse afatet në gjykim.
“Respektimi i orareve të gjykimit, është kulmi dhe “abc” e korrektësisë në marrëdhënien me palët por edhe me publikun. Si Ministër Drejtësie kam për detyrë ta ndjek pjesën procedurale. Unë nuk dua të di se si del rezultati i vendimit sepse nuk është kjo puna ime. Edhe afatet e gjykimit janë një temë e vjetër në Gjykatën e Apelit. Me kryetarin e gjykatës kemi biseduar për të përmirësuar mundësinë e infrastrukturës dhe të gjithë elementëve të tjerë që ndihmojnë punën e gjyqtarit. Të gjithë i kanë sytë tek apeli sepse kjo është gjykata që bën realisht balancën, që e anon gurin e peshores me shumë shpejtësi. Nëse në Gjykatën e Apelit ne arrijmë të gjykojmë shpejt edhe perceptimi do të ndryshojë shumë shpejt.”
Çështja e pronësisë ka qenë një tjetër temë e sjellë në vëmendje për trupën gjyqësore të këtyre gjykatave gjatë analizës së punës së tyre.
“Nëse pronësia ose prona nuk shkon tek i zoti por tek më i zoti, gjykata ka një rol. Debati mbi pronësinë është një debat i vjetër por kjo nuk mundet të endet pafundësisht si një debat ekspertës, fotokopjesh, hartash etj. Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme nuk është 100% aty ku duhet, jam koshient për këtë pjesë, por ju lutem të mbajmë parasysh se informacioni më i saktë që ka sot shteti shqiptar është vetëm aty. Meqenëse jam tek ekspertët, kam një konstatim që më vjen kryesisht nga Gjykata e Tiranës por edhe nga të tjera, se gjykatat tentojnë të anashkalojnë listën e ekspertëve që janë të licesuar nga shteti dhe ju e dini se shteti i licenson ata sipas nivelit, kategorive etj. Kjo dmth se psh jo çdo kush që ka mbaruar për mjekësi mund të jetë ekspert i mjekësisë ligjore nëse nuk është licensuar. Kemi procese gjyqësore të bazuara në akte ekspertimi nga ekspertë që nuk janë të licensuar nga shteti. Këto janë shqetësime që vijnë nga ankesa dhe nga opinion publik.
Bashkëpunimi dhe diskutimi për zgjidhjen e këtyre çështjeve sipas Ministrit Manjani do të ndihmonte ndryshimin e perceptimit ndaj gjykatës.
“Politika nuk duhet të besohet më shumë se sa gjykata. Ky është edhe qëllimi i refomës në drejtësi, të përmirësojë besimin”, përfundoi z. Manjani
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.