Analiza e Permbarimit, Ministri Vasili: Vendim i ekzekutuar, drejtësi e realizuar - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 27/02/2017

Analiza e Permbarimit, Ministri Vasili: Vendim i ekzekutuar, drejtësi e realizuar

Ministri i Drejtësisë, z. Petrit Vasili, mori pjesë sot në analizën vjetore të Shërbimit Përmbarimor Shtetëror, nga ku theksoi rëndësinë e këtij shërbimi për qytetarët.

Në fjalën e tij, z. Vasili theksoi se një drejtësi e realizuar është një drejtësi në të cilën  vendimi ekzekutohet.

“Në të gjithë rastet, kur një e drejtë e fituar nuk ekzekutohet, ajo mbetet një e drejtë fiktive, njëkohësisht bëhet një dhimbje për qytetarët, të cilët e kanë fituar atë, por nuk e marrin dot, nuk gëzojnë dot frutet e të drejtës që kanë fituar. Dhe në fakt nuk janë të drejta që fitohen lehtë, pasi shpenzohet kohë e gjatë në procese gjyqësore dhe kur ai moment final vjen shoqërohet me një dëshpërim të ri, me pamundësinë për t’a ekzekutuar. Ndaj për këtë arsye të madhe, Shërbimi Përmbarimor është edhe jetik, delikat në raportin e tij edhe me drejtësinë edhe me qytetarët. Është rruga lidhëse midis asaj që drejtësia prodhon dhe qytetari prek”, tha Ministri Vasili

Ministri i Drejtësisë theksoi se këto vite, Shërbimi Përmbarimor Shtetëror ka bërë dy gjëra të rëndësishme, duke vlerësuar pozitivisht punën e gjithsecilit punonjës, në mënyrë të veçantë të drejtuesit të institucionit, për ritmin, por edhe për rritjen e mesazhit të besimit në mënyrë të veçantë tek ky shërbim dhe serioziteti i tij.

“Kemi një institucion që shkon drejt konsolidimit, i cili ka bërë punë të mëdha me kufizime të mëdha edhe të karakterit të burimeve njerëzore që ka pasur në dispozicion, por dhe financiare. Shifra e trajtimit nga 57 përmbarues të afro 10 mijë çështjeve që arrin në 2016, ku mesatarja e dosjeve është gati 800 në vit, flet vetë për një ngarkesë të jashtëzakonshne, që quhet mbingarkesë, e cila do të çonte në paralizimin e institucionit, por e kundërta ka ndodhur; institucioni ka ecur dhe ka arritur rezultate të shumta dhe po ta krahasoj me të shkuarën, ku shërbimi ka pasur trefishin e punonjësve dhe me sa realizon aktualisht, i bie minimalisht të ketë bërë tre herë e ca punë më shumë, pra 300 %”, tha Ministri Vasili

Treguesit, theksoi z. Vasili, na bëjnë optimist, pasi, sipas tij, vullneti i mirë imponon dhe standarde të reja dhe këto rezultare kanë impouar dhe qeverinë t’a rishikojë mënyrën e mbështetjes së shërbimit, duke miratuar për këtë vit një rritje në masën 60 % me personel shtesë, që nuk është një e mirë që i bëhet shërbimit, por qytetarëve.

“Sa më shumë rritje e kapaciteteve me këtë konsolidim institucional që shërbimi ka marrë, aq më shumë çështje do të kenë mundësi të trajtohen, të ekzekutohen dhe të çohen deri në fund”, vlerësoi z. Vasili.

Ministri Vasili u ndal gjithashtu tek një nga elementët kyç që i është shtuar shërbimit, sipas tij, thelbësor dhe i veçantë për shërbimin përmbarimor privat.

“Marrja abuzive e parave dhe pastaj nuk dihej fati sesi çoheshin çështjet, besoj se ishte një dëm i madh që i bëhej qytetarit, i cili humbte shpresën se vendimi i tyre do të ekzekutohej, por në anën tjetër shpenzonin para dhe këto vendime nuk ekzekutoheshin. Tani struktura e re, pra tarifë bazë dhe pjesa tjetër është e lidhur me suksesin, e bën shumë të varur këtë çështje me rezultatin dhe rezultat do të thotë që qytetarët të kenë vedime të ekzekutuara. Kjo është besoj një qasje tërësisht jo vetëm bashkëkohore, por edhe shumë e dobishme për qytetarët”, tha Ministri i Drejtësisë.

Z. Vasili bëri të ditur se aktualisht është kontaktuar nga Ministria e Drejtësisë kompania përkatëse për ridizenjimin e funksionimin e sistemit të IT.

“Ky sistem elektronik monitoron punën, gjetjen e çështjes, statusin e tyre, zbatushmërinë, ku ndodhen, cilat çështje janë hedhur e cilat presin të zgjidhen, pra lehtëson shumë monitorimin e përditshëm dhe mundësinë për të parë se ku është në çdo moment situata në tërësi në raport me çfarë pritet të zgjidhet. Kjo e bën dhe mundësinë e monitorimit të situatës në kohë reale dhe vrojtimin e punës në mënyrë shumë të shpetë, por dhe në mënyrë të qartë aty ku gjërat nuk funksionojnë siç duhet”, tha ministri Vasili, ndërsa shtoi se ky ka qenë dhe është një veprim që do t’a ndihmojë së tepërmi shërbimin në nivel kombëtar.

Ministri i Drejtësisë risolli në vëmendje udhëzimin e pararadhësit të tij, ish ministrit Manjani, duke e vlerësuar si shumë të drejtë udhëzimin për procedurat ligjore për banesat e blera dhe të porositura nga qytetarët, për të mos u bllokuar pa të drejtë nga shërbimi përmbarimor, për shkak të borxheve të ndërtuesit.

“Besoj se ka qenë dhe kjo një masë shumë e dobishme, drejtpërdrejtë në shërbim të qytetarëve, një masë kurajoze dhe për t’u përshëndetur, besoj se ka bërë qytetarët të ndjehen mire”, theksoi z. Vasili, duke nënvizuar kur qytetarët kishin paguar siç duhet detyrimet e tyre, nuk kishin pse të penalizohej e ardhmja e pronës së tyre për shkak të borxheve që një ndërtues mund të kishte akumualuar. Të gjithë së bashku këto janë elementë që ndërtojnë dhe nga pikëpamja strukturore, nga pikëpamja e rezultateve, por dhe në pikëpamje të ndryshimeve të karakterit ligjor e të mënyrës së funksionitmit, pra dizenjojnë, përshkruajnë para opinionit publik këtë shërbim përmbarimor, në mënyrë të veçantë shtetëror, me një frymë të re. Thashë në mënyrë të veçantë, pasi ndryshimet e reja ligjore na bëjnë optimist që dhe në Shërbimin Përmbarimor Privat të ketë tjetër qasje dhe një lidhje shumë më të drejtpërdrejtë midis punës dhe rezultatit që arrihet”, theksoi z. Vasili.

Ministri Vasili, duke inkurajuar punonjësit e Shërbimit Përmbarimor Shtetëror në zbatimin e vendimeve, theksoi gjithashtu se lidhja e zbatimit të vendimit me shërbimin përmbarimor duhet të na bëjë që vazhdimisht të mendojmë si punonjës të këtij shërbimi, por edhe të mendojmë si të ishim qytetarë.

Z. Vasili vlerësoi se fryma dhe rruga ku ka ecur në këto tre vite shërbimi përmbarimor është një rrugë impresionante, duke evidentuar se edhe më optimistët nuk mendojnë që do të kishte një ecuri të tillë.

“Shifrat e thonë vetë dhe më kokëfortë se shifrat nuk ka. Rikthimi i autoritetit të asaj që qytetarët duan tek ky shërbim, pra të shikojnë shërbim dinjitoz dhe autoritar, së bashku me ndryshime të tjera ligjore që kanë ndodhur dhe ndryshime të tjera strukturore besoj se e bëjnë këtë shërbim të eci dhe të dizenjohet gjithnjë e më shumë si një shërbim i konsoliduar, duke përdorur dhe binjakëzimet që janë krijuar, me shtete të caktuara si Franca e Hollanda që kanë një traditë të shkëlqyer në këto fusha”, u shpreh z. Vasili

Ministri Vasili, duke shprehur mbështetjen për punonjësit e Shërbimit Përmbarimor Shtetëror në punën e tyre, por edhe me nismat ligjore e të tjera, kërkoi nga ata të mos kenë as dekurajimin më të vogël nga vështirësitë e ditës.