ZRPP Elbasan, përurohet salla e pritjes së qytetarëve - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 15/07/2014

ZRPP Elbasan, përurohet salla e pritjes së qytetarëve

Ministri i Drejtësisë z. Nasip Naço ka marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të sallës së pritjes së qytetarëve, në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në qytetin e Elbasanit.

 

Në fjalën e tij Ministri Naço ka falenderuar drejtuesit kryesorë të Zyrës së Regjistrimit të Pasurisë të Paluajtshme, si edhe përfaqësuesit e Bankës Botërore, të cilët bënë të mundur investimit e rreth 100 mijë dollarëve për të përmirësuar këto ambjente, që do të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në pëemirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve të Elbasanit.

 

“Në programin 300 ditor, në fokus të projekteve të Ministrisë së Drejtësisë ka qenë shërbimi ndaj qytetarëve. Në fjalën time, gjatë prezantimit të punës 300 ditore, jam munduar të paraqes disa arritje, siç është edhe sistemi ALBPOS, i cili bën të mundur që gabimet në terren, të jenë vetëm plus-minus dy centimetra. Përveç paraqitjes së jashtme të kësaj godine ne duhet t’i shërbejmë qytetarëve me qëllim që gabimet të mos ndodhin siç kanë ndodhur dje. Reformat në ecurinë e tyre mund të kenë probleme të natyrave të ndryshme, por ne jemi të vendosur që t’i shërbejmë sa më shumë qytetarit”, u shpreh z. Naço

 

Lidhur me interesin e medias mbi planet për reformin e sistemit të drejtësisë në tërësi dhe veçanërisht atij gjyqësor, Ministri Naço shprehu keqardhjen qe shpesh qytetarët kur i drejtohen gjykatës, duhet të paguajnë, një pagesë kjo jo vetëm e tarifave të legalizuara por edhe të “tarifave të tjera”…

 

“Ne po përpiqemi që dora e gjyqtarit të përdoret vetëm për çekiçin e drejtësisë dhe jo për t’u futur në xhepat e qytetarit. Në programin 300 ditësh një nga objektivat tona është dixhitalizimi i sistemit të drejtësisë i cili do t’i shërbejë qytetarit si dhe do të parandalojë edhe rastet e korrupsionit. Deri më tani nga 30 gjykata, në 24 prej tyre funksionon sistemi i hedhjes së shortit në mënyrë elektronike, dhe mbeten edhe 6 gjykata për t’u plotësuar. E gjithë puna jonë është e orientuar ne drejtim të reformimit dhe dixhitalizimit të sistemit të drejtësisë”, tha Ministri Naço