Zgjidhja alternative e konflikteve, prezantohet projekti i binjakëzimit - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 12/11/2015

Zgjidhja alternative e konflikteve, prezantohet projekti i binjakëzimit

 

“Mbështetje për zhvillimin e Zgjidhjeve Alternative të Konflikteve në Shqipëri” është projekti i ri i Binjakëzimit i BE-së i cili është prezantuar sot zyrtarisht në Ministrinë ë Drejtësisë.

Rritja e efiçencës dhe pavarësisë së shërbimeve për Zgjidhjen Alternative të Konflikteve në Shqipëri si dhe mbështetja e zhvillimit të mëtejshëm të shërbimeve të ndërmjetësimit dhe arbitrazhit në Shqipëri përbëjnë ndër qëllimet kryesore të këtij projekti.

Gjatë ceremonisë së prezantimi të projektit, të pranishëm ishin Z. Idlir Peci, Zëvendës/Ministrër i Drejtësisë, Z. Yngve Engstrom, Drejtues i Bashkëpunimit pranë Delegacionit të BE-së, Znj. Bronislava Tomasova, Ambasadore e Republikës Çeke, Z. Timo Sorsa, Drejtues i Projektit, Znj. Marjo Naapi, Këshilltare e Përhershme Binjakëzimi, Znj. Drita Avdyli, Kryetare e Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësimit në Shqipëri, etj.

Në fjalën e tij të hapjes, Zëvendës/Ministri i Drejtësisë, z. Idlir Peçi theksoi se reforma e rëndësishme e alternativës së re të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, me më pak shpenzime, më pak kohë, më pak burokraci e më shumë besim, do të krijojë një klimë të re në marrëdhëniet mes qytetarëve dhe zgjidhjes së konflikteve.

“Nëse shohim stastikat gjyqësore jo rrallë ne vërejmë se shpesh gjykatat janë të mbingarkuara nga çështjet gjyqësore, e për këtë shkak gjyqtarët seancat i programojnë larg nga njëra-tjetra, e qytetarët ndihen të pakënaqur nga ky shërbim publik i rëndësishëm për ta. Kjo reformë është mjaft e rëndësishme dhe vjen në Shqipëri pas suksesit që ka patur në vendet më të zhvilluara dhe me drejtësi më të konsoliduar se kjo e jona. Ne jemi të bindur se kjo reformë e munguar deri më sot në Shqipëri, jo vetëm që do ta modernizojë sistemin e drejtësisë, por përbën padyshim një hap cilësor drejt reformës në drejtësi, sepse ajo do të lehtësoje trupën gjyqësore nga shumë e shumë çështje duke e bërë më efikase dhe më profesionale”, u shpreh z. Peçi.

Projekti do të zbatohet përgjatë 18 muajve në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, Dhomën Kombëtare të Ndërmjetësimit në Shqipëri dhe Institutin Kombëtar të Shëndetit dhe Mirëqenies në Finlandë, në partneritet me Shërbimin Çek të Ndërmjetësimit dhe Provës.

Tre komponentët kryesorë të Projektit të Binjakëzimit janë: Konsolidimi i kuadrit ligjor, Forcimi i Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësimit, duke përfshirë ndër të tjera, Trajnimin e Trajnerëve dhe Rritjen e Ndërgjegjësimit për Bashkëpunimin Ndër-institucional dhe mbi Ndërmjetësimin.