Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço po zhvillon një vizitë zyrtare në Spanjë në kudër të intensifikimit dhe thellimit të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët në sistemin e drejtësisë mes dy vendeve.
Në nisje të axhendës së takimeve z. Naço është pritur nga homologu i tij spanjoll z. Rafael Catalá.
Reformat legjislative në sistemin e drejtësisë në të dyja vendet, iniciativat e përbashkëta legjislative antikorrupsion, bashkëpunimi në çështjet e marrëdhënieve juridiksionale ndërkombëtare në fushën civile dhe penale, kanë qenë disa nga çështjet e shtruara për diskutim gjatë këtij takimi.
Gjithashtu gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm me Qeverinë Spanjolle dhe qasja e njëjtë e të dy qeverive në luftën kundër korrupsionit, terrorrizmit dhe narkotrafikut.
Ministri Naço vlerësoi ndihmën e dhënë dhe shprehu vullnetin e Qeverisë Shqiptare për të marrë nga Spanja eksperiencën më të mirë në lidhje me reformën në sistemin e drejtësisë.
Pasi është njohur nga Ministri Naço me reformat e deritanishme të ndërmarra në sistemin e drejtësisë, Ministri i Drejtësisë Spanjolle, z. Rafael Catalá u shpreh se këto reforma janë në të njëjtën linjë me nismat ligjore dhe principet që Qeveria Spanjolle po realizon, gjë që e lehtëson vendosjen e bashkëpunimit duke garantuar se ndihma dhe asistenca nuk do të mungojnë.
Në vijim, Ministri Naço eshtë pritur dhe ka realizuar takime të tjera të nivelit të lartë sikurse me z. José Ramón Navarro, President i Audiencës Nacionale, z. Carlos Lesmes, Presidentin e Këshillit të Përgjithshëm të Pushtetit Gjyqësor, institucion ky homolog me Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
Ministri Naço u paraqiti zyrtarëve më të lartë të drejtësisë spanjolle një tablo të reformave të ndërmarra nga Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria Shqiptare, si dhe evidentoi vullnetin qeveritar për reformimin e institucioneve kryesore të sistemit të drejtësisë sikurse të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Prokurorisë së Përgjithshme, Gjykatës së Lartë si dhe Gjykatës Kushtetuese.
Gjatë takimit të zhvilluar me Presidentin e Audiencës Nacionale (Gjykatës Kombëtare), z. José Ramón Navarro, ndër të tjera është folur edhe mbi procesin e dixhitalizimit dhe implementimit në Audiencën Nacionale të sistemeve të reja elektronike në sistemin gjyqësor, sikurse dosja elektronike gjyqësore.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.