Vizita në Hollandë, Naço: Reformat tona do të flasin me gjuhën e Brukselit - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 19/05/2014

Vizita në Hollandë, Naço: Reformat tona do të flasin me gjuhën e Brukselit

Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço ka vizituar sot Hollandën në kuadër të disa takimeve të rëndësishme zyrtare, gjatë të cilave në emër të qeverisë shqiptare ai ka diskutuar rreth reformave që po ndërmerren në sistemin e drejtësisë, lidhur me proceset integruese të Shqipërisë, me fokus të veçantë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

 

Në nisje të takimeve Ministri Naço është pritur nga homologu i tij hollandez, z. Ivo Opstelten.

 

Ministri Naço u shpreh i kënaqur lidhur me ecurinë e marrëdhënieve dy palëshe mes dy vendeve tona, ndërsa theksoi se institucioni që ai drejton mbetet i hapur ndaj propozimeve për të negociuar marrëveshje dypalëshe me Mbretërinë e Hollandës në fushën e drejtësisë apo për çdo lloj asistence në kuadër të bashkëpunimit institucional.

 

Z. Naço e informoi homologun e tij se Shqipëria ka paraqitur një grup gjithëpërfshirës reformash të lidhura me shtetin ligjor, duke përfshirë zbatimin e vazhdueshëm të politikës anti-korrupsion, luftën kundër krimit të organizuar dhe reformën në gjyqësor.

 

“Jemi të vendosur për të çuar përpara reformat e nisura dhe këto refoma do t’i konsultojmë në mënyrë të vazhdueshme dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë. Reformat tona do të flasin me gjuhën e Brukselit”, u shpreh Ministri Naço

 

Ministri i Drejtësisë së Hollandës, z. Opstelten ka përshëndetur arritjet e deritanishme të ndërmarra në reformimin e sistemit të drejtësisë, ndërsa ka theksuar se Qeveria Hollandeze vlerëson progresin e arritur dhe ambicjet e Qeverisë Shqiptare kundrejt reformave të sistemit të drejtësisë.

 

“Ne besojmë që vazhdimi në rrugën e nisur do te ketë rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha z. Opstelsen

 

Z. Naço u ndal edhe në përmbushjen e reformave dhe sfidave për integrim, dhe në këtë kuadër e cilësoi partneritetin dhe asistencën hollandeze të një rëndësie të veçantë.