Vizita e Ministrit Naço në Republikën Federale të Austrisë - Ministria e Drejtësisë
Postuar më: 15/03/2014

Vizita e Ministrit Naço në Republikën Federale të Austrisë

Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Republikës Federale të Austrisë, gjatë së cilës është takuar me homologun e tij austriak, z. Wolfgang Brandstetter.

Kontributi i Ministrisë austriake të Drejtësisë në reformën e sistemit të drejtësisë, veçanërisht në krijimin e një sistemi të ri për vlerësimin e gjygjtarëve dhe prokurorëve ishin temë e takimit midis dy ministrave.

Gjithashtu Ministri Naço dhe z. Brandstetter kanë diskutuar edhe mbi mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshje bilaterale bashkëpunimi në fushën e drejtësisë, për të cilën ekspertët e të dyja vendeve do të nisin punën në nivel teknik.

Ndërkohë gjatë takimit, Ministri Naço vlerësoi bashkëpunimin me prokurorinë e krimit ekonomik dhe korrupsionit në Vjenë si dhe shfaqi interes për  mundësinë e instalimit të Sistemit Informativ të Drejtësisë (RIS) në Shqipëri.

Ndërsa është ndalur në nevojën e asistencës në drejtim të reformimit të sistemit gjyqësor, z. Naço theksoi rëndësinë e konsolidimit të bashkëpunimit të mëtëjshëm për të mundësuar forcimin e shtetit të së drejtës.

Z. Naço e vlerësoi si shumë të rëndësishme përfshirjen e të gjithë aktorëve në rritjen e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare, në drejtim të përmbushjes së të gjitha ndryshimeve reformuese për arritjen e këtij qëllimi.

Ministri Brandstetter është shprehur i gatshëm për nisjen e një bashkëpunimi në nivel teknik që do të krijonte mundësinë e trajnimeve dhe shkëmbimit të eksperiencës, duke garantuar rritjen e standardeve në sistemin e drejtësisë.

Z. Brandstetter e ka vlerësuar integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian si përmbushjen e një aspirate që ka mbështetjen maksimale të Republikës Federale të Austrisë.