Fjala e ministres së Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Bashkisë së Tiranës për zbatimin e masave alternative të shmangies nga ndjekja penale e të miturve në konflikt me ligjin
Është një kënaqësi e veçantë për mua që të jem sot këtu për të institucionalizuar një marrëveshje bashkëpunimi, që për nga lloji i saj dhe rëndësia e problematikës që trajton është ndoshta më e veçanta që është nënshkruar ndonjëherë mes institucioneve shtetërore.
Nuk është një rastësi, që rikthehemi brenda një kohe të shkurtër në këtë qendër sociale multifunksionale të Bashkisë së Tiranës, pas tryezës shumë të rëndësishme që zhvilluam rreth 1 javë më parë, me gjithë zinxhirin e institucioneve përgjegjëse për drejtësinë për të miturit, por edhe me partnerët ndërkombëtarë që na kanë mbështetur dhe do vijojnë të jenë bashkë me ne në këtë model të ri të trajtimit të fëmijve dhe të rinjve në kontakt me ligjin.
Nuk është rastësi, pasi kjo Qendër mund të konsiderohet si dallëndyshja e parë e një vargu qendrash sociale në Tiranë dhe në të gjithë bashkitë e tjera të vendit, ku të miturit në konflikt me ligjin do të kenë mundësinë të trajtohen, ashtu siç marrin shërbimin dhe trajtimin një kategori fëmijësh.
Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur ka parashikuar për herë të parë në legjislacionin shqiptar dhe në praktikën e drejtësisë, një institut krejtesisht të ri që është “shmangia nga ndjekja penale”.
Tashmë, të miturit që kanë kryer një vepër të lehtë penale dhe jo me pasoja të rënda do të kenë mundësi të korrigjohen, këshillohen, informohem dhe udhëzohen se si mund të përmirësojnë sjelljen, se si mund të riparojnë dëmin e shkaktuar apo se si mund të pajtohen me viktimën nëpërmjet zbatimit të masave alternative të shmangies nga ndjekja penale.
Për herë të parë, në drejtësinë moderne shqiptare po zbatohet një proces i ri që i jep mundësi të miturit të mos i nënshtrohet procesit gjyqësor. Masat alternative të shmangies do të jepen nga organet kompetente gjyqësore, të cilat në çdo rast do të mbajnë në konsideratë interesin më të lartë të të miturit, rrethanat e tij familjare, mjedisore dhe shoqërore, nivelin e zhvillimit dhe faktorë të tjerë ndikues.
Marrëveshja që ne po nënshkruajmë sot ka vlerën e gurit të themelit në këtë sistem të ri, krejtësisht bashkëkohor që ne jemi duke ndërtuar për drejtësinë për të miturit. Kjo marrëveshje ka një rëndësisi të veçantë, sepse institucionalizon një proces, që është kompletuar në akte ligjore e nënligjore dhe që tashmë nis të zbatohet në praktikë.
Është një proces, i cili përbën një risi jo vetëm për vendin tonë, por njëkohësisht edhe për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Për herë të parë të miturit në kontakt me organet e drejtësisë trajtohen jashtë institucioneve të mbyllura, jashtë atyre burgjeve, të cilat pavarësisht kushteve të përmirësuara që mund të ofrojnë nuk mund të krijojnë mjedisin e duhur për rehabilitimin e të miturve dhe për një drejtësi miqësore për këtë kategori.
Sipas marrëveshjes, Bashkia e Tiranës ka vënë në dispozicion të trajtimit dhe rehabilitimit të të miturve në kontakt me ligjin 5 qendra sociale multifunksionale.
Nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, Shërbimi i Provës dhe gjithë zinxhiri i institucioneve të varësisë që trajtojnë çështjet e drejtësisë për të mitur do të nisin menjëherë punën për realizimin e të gjitha detyrimeve që rrjedhin në kuadër të një drejtësie miqësore për të gjithë të miturit në kontakt me ligjin.
Në të njëjtën kohë disa bashki të tjera të vendit kanë shprehur gadishmërinë për të qenë pjesë e këtij sistemi të ri, duke vënë në dispozicion qendrat e tyre sociale.
Strukturat e Ministrisë së Drejtësisë janë duke punuar intensivisht, që modeli i marrëveshjes që po nënshkruajmë me Bashkinë e Tiranës, të institucionalizohet sa më shpejt edhe me këto bashki të tjera.
Më lejoni që në mbyllje të fjalës sime të shpreh falënderimet për Bashkinë e Tiranës dhe kryetarin e saj, z.Erion Veliaj.
© Ministria e Drejtësisë 2024 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.